Tekstet e reja shkollore - Bota Sot
Tekstet e reja shkollore

Opinione

Tekstet e reja shkollore

Nga: Prof.Dr.Naim Syla- FSHMN, UP Më: 8 shtator 2019 Në ora: 11:28
MASHT

Me datë 05.09.2019  në emisionin e lajmeve qendrore të orës 20:00 të TV Klan Kosovës, u prezantua një material për tekstet e reja shkollore. Prezantimi u dominua nga informacione jo të mira për kualitetin e teksteve. Një pohim i tillë tashmë është i ditur dhe i njohur po thuaj se për të gjithë  mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit. Për  një rreth më të ngushtë përfundimi ishte i ditur që më parë, gjykuar në krejt procesin, i cili fillim e mbarim ishte me shkelje të mëdha. Për këtë u raportua në programet tona televizive dhe  u shkrua në të përditshmet. Por, ajo që më bëri përshtypje atë natë ishte arsyetimi i ministritë në televizion. Me gjakftohtësi arsyeton se ky është një pilotim i teksteve mësimore, prandaj nëse ka lëshime do të eliminohen vitin tjetër. Sinqerisht nuk kam mundur ta kuptoj gjakftohtësinë  dhe arsyetimin e tij. Unë me sa kuptoj pilotim do të thotë provë, eksperiment. Që i bie nëse është mirë vazhdojmë, e nëse nuk është i ndryshojmë kushtet, në rastin tonë librat.

E para, ju ministër duhet ta dini se nuk është mirë tërë sistemi arsimor të pilotohet. Ma thoni vetëm një shembull paraprak që është pilotuar i tërë sistemi. Ose, krejt në bazë të ligjit pse nuk ju dhatë mundësinë të gjithë atyre që kaluan pragun e standardit të futen në pilotim? E dyta, kush do t’i bëjë ndryshimet vitin tjetër? Besoj se e dini se tek ne nuk ka  vazhdimësi të udhëheqjes, ose ndodhë rrallë herë. Nuk është mirë të propozoni zgjidhje për vitin tjetër, edhe më saktë të i tregoni atij që vjen se çfarë duhet bërë për të mbuluar turpin e këtij procesi.

Po e them kështu sepse po dua të besoj  se më në fund në krye të MASHT-it mund të vij një njëri i duhur ose pak më i qëlluar se ju. Në çdo deklaratë tuajën për tekstet shkollore, ju arsyetoheni se me konkursin dhe ligjin jeni mirë. Nuk është ashtu ministër. Vetëm një shembull po ju sjelli, të cilin besoj se të gjithë të interesuarit do ta kuptojnë. Për tekste shkollore kishte konkurs publik të shpallur në web faqen e MASHT-it, shih linkun,https://masht.rks-gov.net/search?q=Konkurs+p%C3%ABr+tekstet+shkollore+dhe+materialet+m%C3%ABsimore+ . Pika II.6 e konkursit thotë: Dorëshkrimet duhet të përmbajnë referenca për të dhënat dhe burimet e informacionit që përmban teksti.  Kërkesa e konkursit është mjaft e qartë, nuk thotë mundet ose është mirë, por prerazi e thotë duhet. Se a është respektuar kjo pikë, e për mua i bie se a është respektuar konkursi ju dhe të gjithë të tjerët mund ta vërtetoni. Për mosrespektim të konkursit keni obligim të ndërmerrni masa, duke filluar nga vartësit e tu e deri tek recensentët.

Tek e fundit përgjegjësin për shkelje e keni premtuar çdo herë. Në të kundërtën cila është logjika e konkursit, kozmetikë ligjore ose, çka tjetër?! Këtë kriter të konkursit mund ta vërtetojnë  për të gjitha tekstet mësimore edhe lexuesit e tjerë. Ndërsa, sa i përket kualitetit të teksteve mësimore do të ishte mirë të hapet debat në nivele profesionale, edhe për këtë është dashur ju ta mendonit mirë. 

Përfundimisht, çfarëdo që ndodhë dhe kudo që shkoni mbajeni mend se fatura e mossuksesit për tekstet shkollore përjetësisht ju takon juve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...