Tirana, Prishtina dhe alarmet e rreme të diplomacisë ruse - Bota Sot
Tirana, Prishtina dhe alarmet e rreme të diplomacisë ruse

Opinione

Tirana, Prishtina dhe alarmet e rreme të diplomacisë ruse

Shaban Murati Nga Shaban Murati Më 11 shtator 2019 Në ora: 08:45
Vladimir Putin dhe Sergio Lavrov

Në ditët e para të vjeshtës diplomacia ruse befas ka identifikuar rrezikun e ri të madh, që i kërcënohet Ballkanit dhe Europës, rrezikun terrorist shqiptar. Në 4 shtator zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, dha alarmin ndërkombëtar se: ”Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të kthehet në një kështjellë të terrorizmit.

Shqiptarët kosovarë të ISIS-it të rekrutuar dhe të trajnuar më parë po kthehen në rajon nga zona e luftës. Ata e dinë ku kthehen. Kjo është një gropë e zezë, ku ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të bëjnë marshim force në një rajon  tjetër. Çështja krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë në tërësi”.

Një ditë më pas alarmin e vazhdon përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Këshillin e Përhershëm të OSBE në Vienë, A.Lukasheviç, i cili në 5 shtator deklaroi lidhur me Kosovën se “Gjendja shkakton një shqetësim gjithnjë e më të madh. Normë për Kosovën janë bërë organizatat terroriste dhe ekstremiste”.

Pastaj në 9 shtator organi përçor i antishqiptarizmit “eadaily.ru” jep konkluzionin tronditës se shqiptarët “janë aleat ideal i perëndimit në thithjen përfundimtare të Ballkanit (përfshirja e gadishullit në një orbitë gjeopolitike, duke u anëtarësuar në NATO dhe BE).

Për realizimin e këtij procesi në radhë të parë amerikanët kanë vënë bast te shqiptarët, me pasionin dhe ambiciet e tyre të lindura për realizimin e projektit të tyre pan-shqiptar në rajon, duke dobësuar jo vetëm fqinjët greko-sllavë, por edhe tërë Evropën e Vjetër “.

Alarmet e reja antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin rrezik terrorist shqiptar janë hiperbola të dezinformacionit klasik rus. Janë të pabesueshme, sepse vijnë nga shteti, që ka kryer agresion ndaj shtetit fqinj të Ukrainës, i ka aneksuar forcërisht Krimenë dhe i ka ndezur luftën separatiste për shkëputjen e Ukrainës Lindore.

Por janë të pabesueshme sidomos, sepse Rusia është një nga shtetet, që ka kontribuar më shumë në furnizimin e ISIS-it me mercenarë nga shtetasit e saj. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse po kërkon të tronditë Europën dhe botën me shifrën e dyfishuar prej saj të rrezikut nga kthimi në Kosovë i 250 luftëtarëve shqiptarë nga Siria.

Në fakt sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve kompetente të Kosovës janë kthyer 110 qytetarë të Kosovës nga Siria, nga të cilët 32 gra dhe 74 fëmijë dhe vetëm 4 ish luftëtarë të ISIS-it, të cilët u arrestuan menjëherë, sepse në bazë të ligjit të miratuar nga parlamenti i Kosovës, ish pjesëmarrësit në luftërat e vendeve të tjera arrestohen dhe dënohen penalisht.

Ministria e Jashtme ruse ngre alarmin ndërkombëtar për gjoja rrezikun ballkanik dhe europian nga “250 ish luftëtarët shqiptarë në Siri”, por hesht për mijëra luftëtarët e ISIS-it, shtetas të Rusisë. Sipas të dhënave të Qendrës Studimore të Radikalizimit, ICSR, në vitin 2018 Rusia kishte 5 mijë shtetas rusë luftëtarë të organizatës terroriste ISIS në Siri dhe Irak.

Sa për ilustrim, në 12 korrik 2019 në Shqipëri u arrestua një shtetas rus me akuzën se ka qenë luftëtar i ISIS-it. Zëdhënësja e MPJ të Rusisë as e falënderoi shtetin shqiptar dhe as e përmendi terroristin rus të arrestuar. Duket 5 mijë mercenarë rusë në radhët e ISIS-it nuk konsiderohen nga Moska rrezik ballkanik dhe europian, kurse “250” mercenarët shqiptarë shpallen rrezik europian.

Ministria e Jashtme ruse gjithashtu nuk flet për mijëra mercenarët rusë, të cilët shërbimi sekret ushtarak rus nëpërmjet kompanisë së tij të njohur botërisht “Vagner” i ka dërguar të luftojnë në Siri në mbështetje të regjimit kriminal të Asadit, siç nuk flet për ata mijra mercenarë rusë, që luftuan për të mbrojtur Gadafin në Libi, etj. Ministria e Jashtme ruse nuk flet për “Ushtrinë kozake të Ballkanit”, që shërbimet sekrete ruse krijuan publikisht në shtator të vitit 2016 në Kotorr të Malit të Zi me mercenarë dhe vullnetarë ortodoksë rusë, serbë, ukrainas, malazezë dhe maqedonas, të cilët kanë luftuar në Bosnje, në Kosovë, në Ukrainë, e deri në Nagornij- Karabak.

Është e kuptueshme se diplomacia ruse ka nevojë të shpikë e të bëjë zhurmë për një rrezik imagjinar të terrorizmit shqiptar, sepse asaj i duhet në këtë momente të ngrejë alarme të rreme antishqiptare.

Së pari, i duhet që nëpërmjet këtyre alarmeve të rreme të dobësojë pozitën biseduese të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve. Rusia synon që të bllokohet procesi i normalizimit dhe i njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës.

Duke zhurmuar në shkallë ndërkombëtare për Kosovën si “kështjellë terroriste shqiptare”, Moska përpiqet të provokojë një shqetësim ndërkombëtar për rrezikun e terrorizmit shqiptar dhe të izolojë Kosovën në planin diplomatik.

Në këtë linjë Moska tenton që me gogolin terrorist shqiptar të bëjë që diplomacia ndërkombëtare të tregohet më pak ose aspak mirëkuptuese për të drejtat dhe kërkesat e Kosovës në dialogun me Serbinë. Ambasadori rus në OSBE në 5 shtator doli hapur kundër marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, duke deklaruar se Perëndimi “kërkon nga Beogradi ta detyrojë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Prishtinën, duke e kushtëzuar me afate artificiale”.

Së dyti, alarmet antishqiptare i duhen diplomacisë ruse për të ushtruar shantazh ndaj udhëheqjes së Serbisë, për ta mbajtur fort të lidhur me Moskën si “mbrojtëse nga terroristët shqiptarë”. Diplomacia rusë synon ta largojë sa më shumë udhëheqjen serbe nga këshillat e faktorit perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Konstatohet një shqetësim në rritje në Moskë se mos Serbia do të detyrohet që për shkak të nevojës së anëtarësimit të saj në BE të tolerojë në kushtin e BE që ajo duhet të njohë më parë Kosovën. Ndaj diplomacia ruse po kërkon të trembë Serbinë me rrezikun terrorist shqiptar, që vjen nga Kosova.

Së treti, strategjia diplomatike e Moskës me ngritjen e alarmeve të rreme antishqiptare lidhet me plane më të sofistikuara afatgjata ruse. Sipas ekspertëve të sigurisë, zhurma e tanishme për rrezikun terrorist nga Kosova mund t’i duhet Moskës që të mbulojë në të ardhmen provokacionet apo atentatet e mundshme terroriste, që Rusia mund të organizojë në Veriun e Kosovës apo brenda në Serbi për të destabilizuar situatën dhe për t’i paraqitur si akte të terroristëve shqiptarë, për të cilat ajo ka paralajmëruar më parë.

Një veprimtari e pritëshme terroriste nga ana e shërbimeve sekrete ruse në Ballkan është një zhvillim i mundshëm për të krijuar tensione dhe konflikte etnike dhe nacionale në Ballkan, si mënyrë për të krijuar hapësirën e duhur për praninë dhe depërtimin e ndërhyrjes ruse në rajon.

Në situatën e alarmeve të rreme të diplomacisë ruse për rrezikun  terrorist shqiptar të luftëtarëve të huaj të kthyer, duhet tërhequr vëmendja të fenomeni i përdorimit të idiotëve të dobishëm të Rusisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, lidhur me temën e preferuar ruse të luftëtarëve të huaj.

Ka disa të ashtuquajtura qendra apo institute studimore apo OJQ shqiptare, të cilat që nga viti 2011 janë specializuar në fryrjen artificiale të çeshtjes së luftëtarëve shqiptarë në Siri dhe në ndërkombëtarizimin e saj. Nga Kosova kanë mbetur në Siri nja tridhjetë shqiptarë dhe me gishtat e dorës nga Shqipëria. Por disa të ashtuquajtura qendra apo institute studimore apo OJQ sigurie në Shqipëri dhe në Kosovë vazhdojnë avazin e fryrjes së rrezikut të luftëtarëve shqiptarë, që kthehen nga Siria, dhe i hedhin në merkaton propagandistike filoruse.

Burime të institucioneve shqiptare të sigurisë bëjnë të ditur për financime okulte ruse, serbe dhe greke, për këto qendra apo institute studimore apo OJQ shqiptare, të cilat çdo muaj publikojnë fantazitë studimore për rrezikun e terrorizmit shqiptar.

Nuk mund të mos bëjë përshtypje që asnjë nga këto të ashtuquajtura qendra apo institute studimore apo OJQ të sigurisë në Kosovë dhe në Shqipëri nuk kanë bërë qoftë dhe një studim apo analizë për mercenarët rusë dhe grekë, që bashkë me forcat ushtarako-policore serbe luftuan kundër popullit shqiptar në Kosovë në agresionin gjakatar serb të vitit 1999. Nuk kanë bërë as edhe një studim apo analizë për mercenarët rusë dhe serbë, që iu bashkëngjitën forcave të pushtetit maqedonas kundër shqiptarëve në konfliktin e armatosur të vitit 2001.

Zhurmaxhinjtë kosovarë të rrezikut terrorist shqiptar nuk kanë bërë as edhe një studim apo analizë për masakrat dhe gjenocidin ndaj popullsisë çame. Të gjitha këto deviacione tematike nuk janë të rastësishme. Njerëzit e caktuar, mekanizmat dhe organizmat e caktuara, vihen në lëvizje në momentet e caktuara dhe në rrethana të caktuara, që iu duhen shteteve dhe forcave antishqiptare, që i paguajnë.

Ofensiva e re e diplomacisë ruse për të ashtuquajturin rrezik terrorist shqiptar është në funksion të strategjisë ruse për të turbulluar situatat dhe për të zgjeruar mundësitë e ndërhyrjes ruse në Ballkan. Është pjesë e luftës hibride, që Moska ka shpërthyer në rajon pas agresionit të saj në Ukrainë, dhe objektivi armik i diplomacisë dhe i strategjisë së shtetit rus në Ballkan mbeten shqiptarët dhe kombi shqiptar./Dita

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...