Ibrahim Fehmiu, mësuesi patriot dhe i ati-i aktorit tonë global

Opinione

Ibrahim Fehmiu, mësuesi patriot dhe i ati-i aktorit tonë global

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 23 shtator 2019 Në ora: 14:56
Familja e Bekim Fehmiut

Atdhetari shembull, i shndërruar në përmendore kohe, se si punohet, luftohet dhe flijohet për komb e atdhe.

Patriot i njëmendtë,që gjithë jetën e kaloi në luftë e përpjekje për ngritjen e arsimit kombëtar, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare dhe çlirimin përfundimtar të trojeve tona etnike nga otomanët dhe Serbia okupatore.

Ibrahim Fehmiu (Imerhalili) ishte kombëdashës i flakët, mësimdhënës i shquar dhe i ati-i mirënjohur i aktorit më të madh të trojeve tona me famë mbarëbotërore Bekim Fehmiut.

Ai pa kaluar shumë kohë, do të shquhej si njëri nga arsimuesit dhe edukatorët e parë dhe më të zot shqiptar, për motet, vendin dhe popullin që i takonte.

Intelektuali patriot dhe veprimtar i spikatur i kombit, Ibrahim Fehmiu, u lind më 25 nëntor të vitit 1892 në Gjakovë dhe vdiq, i shkatërruar shpirtërisht dhe shkallmuar fizikisht, nga torturat dhe keqtrajtimet rankoviqiano-serbo-sllave, në më pak se një muaj, pas lirimit nga burgu komunist më 19 NËNTOR të vitit 1951 në Prizren.

I ati i Bekim Fehmiut, Ibrahimi fillimisht kishte pasur fatin e mirë, që të vinte në jetë, në një familje të pasur tregtare dhe nga më të arsimuarat e kohës.

Mësimet fillore i mori në vendlindje ndërsa ato të larta në qendrën e njohur të atëhershme për edukimin e shqiptarëve në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës në Shkup.

Përveç Ibrahim Fehmiut përgatitjet shkollore në kryeqytetin e Dardanëve, i mbaruan edhe një pjesë e mirë e aktivistëve kombëtar të atyre kohëve.

Ata në vitet e fundit të sundimit të Perandorisë Otomane, me gjithë ndalimin e rreptë nga pushtuesit turq, filluan ta përdornin hapur gjuhën amtare dhe alfabetin e sapokrijuar shqip më 14 nëntor të vitit 1908, nga intelektualët e zgjedhur të kombit në Manastir.

Atdhetari ynë i mirënjohur Ibrahim Fehmiu, pasi mbaron studimet dhe diplomohet më 1912 në Shkup, pa humbur kohë, ai fillimisht kthehet në vendlindjen e tij në Gjakovë, ku nis menjëherë angazhimin për hapjen e shkollave me frymë kombëtare dhe mësimin e të rinjve në gjuhën amtare shqipe.

Ndërsa përveç punës edukativo arsimore, Ibrahim Fehmiu u shqua edhe si luftëtar i dëshmuar i cili kurdo që atdheu pati nevojë, iu bashkua pa asnjë hezitim radhëve të para të luftës me pushkë në dorë, duke u shndërruar në krahë të djathtë të patriotit, bashkëvendësit të tij dhe udhëheqësit të shquar të kombit, heroit Bajram Curri.

Veçanërisht pas shpalljes së Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare në pranverën e vitit 1912,komandant i të cilës ishte Bajram Curri, mësimdhënësi atdhetar u dallua edhe për trimëri në luftimet e zhvilluara kundër pushtuesve turq, në të cilat mori pjesë deri në dëbimin përfundimtar të otomanëve nga trojet tona etnike shqiptare.

Po këta student dhe mësues të devotshëm të atyre moteve të rënda, në mesin e të cilëve, padyshim shquhej për të mirë, elan të lart veprimi, disiplinë të pashoqe dhe angazhim të pareshtur patriotik Ibrahim Fehmiu, menjëherë pas dëbimit të pushtuesve otoman, ngritën në mënyrë urgjente, kudo sistemin e arsimimit kombëtar, bënë hapjen e shkollave dhe u aktivizuan si mësimdhënësit fillestar nëpër shkollat e sapo hapura shqipe, gjithandej trojeve shqiptare.

Ibrahim Fehmiu, si një ndër edukatorët dhe mësuesit e parë shqiptar, jo vetëm se i përkushtohet me tërë qenien arsimimit të popullit të vet, por përpjekjet e tij për ruajtjen e vazhdimësisë së të mësuarit shqip, vijojnë edhe pas pushtimit (në tetorin e vitit 1912) të Kosovës nga Serbia.

Madje megjithëse okupatori serbo-sllav, menjëherë pas pushtimit të Kosovës, filloi ti mbyllte me forcë shkollat në gjuhën shqipe, ai veshi petkun e hoxhës dhe filloj të punonte në xhaminë e Gërçarve, në vendin ku kishte mësuar si fëmijë, në mënyrë që edhe nën petkun fetar, ta ruaj e vijojë të mësuarit shqip, nëse jo në të gjitha hapësirat ku ekzistonin, atëherë të paktën në vende të caktuara ilegale, sa më gjatë që kjo të ishte e mundur.

Kështu që përveç predikimit në gjuhën shqipe, ai u jepte edhe mësime në gjuhën amtare, të gjithë bashkëkombësve shqiptar, nxënësve, të rinjve, por edhe të vjetërve, që tregonin interesim për ta mësuar shkrim-leximin në gjuhën amtare, gjë që me kohë u hetua dhe ai filloi të ndiqet penalisht për tu ndëshkuar me dënimet më drakonike, nga okupatorët serbo-malazez të vendit.

Urrejtja e okupatorëve sllav kishte shkuar aq larg, sa që vetëm pse u kishte mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe bashkëkombësve të tij, mësuesi patriot Ibrahim Fehmiu, do të dënohej edhe me vdekje, nga organet pushtuese malazeze, të cilat asokohe, mbanin nën okupim pjesën më të madhe të Gjakovës.

I shtyrë nga shkaqet e lartcekura, ai u detyrua të hidhej në ilegalitet deri me ardhjen e ushtrisë Austro-Hungareze më 1916, në tokat shqiptare.

Kështu që veprimtaria patriotike dhe edukativo-arsimore e atdhetarit dhe patriotit të flakët kombëtar Ibrahim Fehmiu, duke pasur mundësinë të vepronte i lirë, do të merrte hov veçanërisht në vitet e qëndrimit të Austro-Hungarisë” (1916 -1918), në trojet tona, e cila mundësoi dhe ndihmoi edhe vet praktikisht në hapjen kudo të shkollave në gjuhën shqipe, gjithandej trojeve shqiptare ku ajo asokohe sundonte.

Por me mbarimin e Luftës së Parë Botërore dhe largimin e Austro-Hungarisë më 1918 nga tokat tona, mjerisht Kosova dhe trevat jera shqiptare ranë sërish nën okupimin serbosllav.

Për aq më keq, po më 1918, u krijua edhe e ashtuquajtura " Mbretëri Serbo-Kroate-Sllovene", e cila jo vetëm se nuk e zbuti gjendjen, por rifilloi përsëri përndjekjen e vrazhdët, sidomos të mësimdhënësve shqiptar dhe aktivistëve të dalluar të çështjes kombëtare.

Madje regjimi barbar i mbretërisë së SKS (serbëve-kroatëve dhe sllovenëve) përveç se mbylli të gjitha shkollat, për shkak të përhapjes së dijes dhe shkollimit në gjuhën amtare edhe në trojet e pushtuara, detyroi mësuesit e gjuhës shqipe të futeshin në ilegalitet, apo të iknin fare në Shqipëri.

Kështu që si pasojë e krejt kësaj përndjekjeje barbare, shumica e personaliteteve kryesore të arsimit shqip dhe idealistëve kombëtar, përfshi edhe vet patriotin dhe mësuesin e merituar të popullit Ibrahim Fehmiu, detyrohen të iknin në Shqipëri.

Ndaj me udhëzimin e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës me seli në Shkodër, veprimtarinë edukativo-arsimore, ai fillon ta zhvilloi në shtetin amë, duke iu përkushtuar me tërë qenien arsimimit të shqiptarëve dhe ndërtimit të administratës së shtetit në Shqipëri.

Sikur mos të mjaftonin të gjitha vuajtjet dhe peripecitë e përjetuara, vetëm disa vite më vonë, përveç dënimit kapital që Ibrahim Fehmiut i`a kishte shqiptuar pushtuesit sllav, pas vitit 1925, ai nis të përndiqej si armik i qeverisë së Zogut, bashkëluftëtar i Bajram Currit dhe ithtar i Fan Stilian Nolit, për tu burgosur edhe nga regjimi i rivendosur i Ahmet Zogut në Shqipëri.

Për aq më tepër, ministri i brendshëm, tradhtari Cana Beg Kryeziu, megjithëse ishte edhe vet nga Gjakova, u kishte premtuar një çmim të lartë në Napolona Ari, secilit person që mund ta zbulonte, apo ndihmonte xhandarët e tij, për arrestimin e Ibrahim Fehmiut.

Përndjekja nga të dy regjimet më antishqiptare të kohës, ishte aq e ashpër sa që, Ibrahim Fehmiu, thuhet se u detyrua ta ndryshonte edhe mbiemrin nga Imerhalili, në-Fehmiu dhe hidhet përsëri në ilegalitet të thellë, duke u fshehur sa në Gjakovë e sa në Malësi të Gjakovës, si dhe gjithë veriun e Shqipërisë.

Pas disa vitesh ilegaliteti, ky atdhetar i flakët më 1929, mu atëherë kur tanimë sapo kishte kaluar rreth një vit nga shpallja e Mbretërisë së shtetit shqiptar, u detyrua ta linte Shqipërinë nga përndjekja e Zogut, dhe ikte në Kosovë.

Madje me dëshirën që ti rihapte sërish shkollat shqipe, qoftë edhe në mënyrë ilegale në Kosovë, ai nuk iku për tu strehuar në ndonjë vend tjetër, si Italia apo Austria, sa për të shpëtuar veten, por megjithëse i vetëdishëm për konskuencat që e prisnin, kthehet dhe vendoset ilegalisht në Gjakovë.

Fatkeqësisht ai kërkohej sistematikisht edhe nga organet shtetrore dhe xhandarmëria e okupatorëve serb e cila kishte marrëdhënie të mira me xhandarmërinë e Ahmet Zogut e veçanërisht me Cena beg Kryeziun.

Ai jo vetëm se ishte spiuni i tyre kryesor,por dhe kishte lajmëruar Serbinë me kohë se Ibrahim Fehmiu kishte kaluar në Kosovë,

Ndaj pasi që akuza kundër tij,për shkak të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe dhe veprimtarinë e pareshtur kombëtare, ekzistonte dhe ishte ende në fuqi, ai fillon të kërkohet pareshtur, derisa hetohet nga spiunët e bashkëpunëtorët e armikut dhe burgoset në shtëpinë e tij, nga xhandarmëria serbe në Gjakovë.

Nga Gjakova Ibrahim Fehmiu dërgohet për vuajtjen e dënimin në Valevë të Serbisë, ku mbahet mëse tri vite tërësisht i izoluar.

Ndërsa në vitin 1931,okupatorët serbo-sllav, atë bashkë me familje i internuan në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.

Gjatë viteve të internimit në Sarajevë, u lindën dy vëllezërit më të mëdhenj në moshë; Bashkimi e Fatmiri, si dhe vet aktori ynë i madh mbarëbotëror Bekim Fehmiu.

I ati i aktorit ishte aq i ngritur dhe atdhetarë i flakët sa të gjithë emrat që do t`ua vente fëmijëve të vet, kishin domethënie të pastër shqiptare, dhe asnjë nga ta, nuk pati përmbajtje turke apo arabe.

Fëmijës së parë që ishte vajzë, do ti vinte emrin Besa, ndërsa të dytës Shpresa, siç thotë Uliksi i biri i Bekimit, në shenjë besnikërie ndaj kombit dhe shpresës për ditë më të mira edhe për popullin e tij shqiptar.

Ndërsa djalit të parë i vë emrin Bashkim, në kuptimin e bashkimit të kombit, të dytit Fatmir me dëshirën për fat më të mirë të shqiptarëve, kurse aktorit tonë historik-Bekim (Fehmiu), me idealizimin për bekimin e popullit të tij, që e donte aq shumë, deri në himnizim.

( REL) Uliks Fehmiu: Emrat që flasin.

Në vitin 1939, artisti ynë i ardhshëm me famë mbarëbotërore Bekim Fehmiu, ishte vetëm tre vjeçar, kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italian.

Pas ikjes së Ahmet Zogut nga Shqipëria dhe rënies së regjimit të tij nga pushteti, Ibrahim Fehmiu, vendosë që përmes miqsh e të njohurish, të largohet nga Sarajeva dhe bashkë me familje vendoset në Shkodër.

Atje ai emërohet drejtor edukativo-arsimor i shkollave fillore të qytetit me rrethinë.

Gjatë qëndrimit dyvjeçar në Shkodër, vije në jetë vajza tij e vogël, të cilës me parandjenjën se po vinin ditë të mira për shqiptarët, i vë emrin Afërdita.

Kurse dy vite më vonë, menjëherë pas shkatërrimit të regjimit okupues serb dhe pushtimit të mbretërisë jugosllave nga gjermanët më 1941, i ati i Bekim Fehmiut bashkë me familje nga Shkodra, kalojnë në Prizren, ku pa humbur kohë, nis me aktivitetin e tij të njohur edukativo arsimor dhe rihapjen e serishme, gjithandej të shkollave në gjuhën shqipe.

Ndaj dhe Bekimi i takonte gjeneratës së parë me fat, të nxënësve shqiptar që u ngrit dhe shkollua në gjuhën amtare shqipe në qytetin e Lidhjes në Prizren.

Mirëpo edhe pas Luftës së Dytë Botërore, po sa erdhën në pushtet komunistët serbo-sllav, i ati i Bekimit, Ibrahim Fehmiu u burgos përsëri dhe në një proces të montuar nga regjimi komunist jugosllav, u dënua me disa vite burgim dhe mbahet i mbyllur në kazamatet serbosllave, deri pak kohë para vdekjes.

Kështu që, vetëm dy-tre javë pas daljes nga burgu rankoviqian, i dërmuar fizikisht dhe shkatërruar edhe shpirtërisht nga torturat dhe keqtrajtimet sllave, mësimdhënësi shembullor i kombit dhe luftëtari i radhëve të para të kryengritjes për çlirimin e vendit nga otomanët, Ibrahim Fehmiu, i shkallmuar nga komunistët shqiptar dhe serb, vdes më 19 dhjetor të vitit 1951, në Prizren.

Në të gjitha vuajtjet dhe peripecitë e tij, Ibrahimin e kishte përcjellë besnikërisht kudo e shoqja Hedija

E sipas kujtimeve të Bekim Fehmiut, vuajtjet e prindërve të tij, të të atit dhe të ëmës, jo vetëm se zgjatën një jetë të tërë, por ato ishin edhe aq të mundimshme e të rënda sa që megjithëse ai njihej në gjithë globin për artist të kalibrit më të lartë mbarëbotëror, përkundër aftësive të veçanta prej aktori me shumë përvojë, kurrë nuk kishte mundur ti gjente fjalët e duhura për ti shprehur a përshkruar në mënyrë të mjaftueshme vuajtjet e prindërve dhe të familjes së tij!.

Ibrahim Fehmiu me punën e pareshtur dhe kontributin kolosal, që dha në lëmine e arsimit dhe të çështjes kombëtare, kishte bërë emër tejet të mirë si atdhetar i shquar, mësues e intelektual dhe njihej kudo si njeri me merita të mëdha për shkollën shqipe, kombin dhe atdheun në të gjitha hapsirat shqiptare.

Ndaj në ceremoninë e varrimit të trupit të këtij mësuesi të virtytshëm e patriot me nam, do të merrnin pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike.

Kurse ajo që gjithsesi duhet përmendur me këtë rast, është fakti se përkundër ndalimit të rreptë që kishin vënë okupatorët sllavo-komunist me në krye antishqiptarin më të pështirë të kohës, Aleksandër Rankoviqin, mësimdhënësi patriot Ibrahim Fehmiu përdhosi edhe për së vdekuri atë dhe të gjithë pushtuesit serbo-sllav, duke u varrosur ,pa pyetur pushtuesin, ashtu siç i kishte hije një kombëdashësi e mësimdhënësi shembull dhe edukatori të merituar atdhetar, i mbështjellë me flamurin Kuq e Zi të shqiptarëve, në kryeqytetin historik të Lidhjes dhe kryeqendrën e tokës së të parëve të tij autokton, në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat