Në 2019, votoni gratë

Opinione

Në 2019, votoni gratë

Nga: Arta Metaj-Govori Më: 25 shtator 2019 Në ora: 17:03
Arta Metaj-Govori

Gratë janë gjysma e popullsisë, e megjithatë përfaqësimi i tyre në jetën politike matet me “kuotë”. Si mund të kemi shoqëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, kur vetë pushteti ligjvënës nuk përfaqëson drejt përbërjen e shoqërisë? Si mund të kemi shoqëri ku gratë trajtohen dinjitetshëm në çdo nivel e aspekt, nëse gratë mungojnë në hapësirën ku krijohen dhe zbatohen politikat? Ndryshimi nis me votën tuaj.

Përfaqësimi i vërtetë i popullit nis me përfshirje më të gjerë të grave në vendimmarrje. Vendimi juaj për të sjellë më shumë gra në Kuvendin e Kosovës bën që Kuvendi të miratojë ligje që sigurojnë pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën ekonomike dhe shoqërore. Vota juaj për gratë bën që vendimet e Kuvendit të jenë më të plotësuara se sa do të ishin nëse vetëm burrat janë në ulëset e deputetëve.

Duke patur më shumë gra në Kuvend, ato sjellin në diskutim përvojat e tyre si gra të kësaj shoqërie dhe dinë të japin zgjidhje që përmirësojnë dhe fuqizojnë, sidomos çështje që prekin dinamikat familjare, dhunën ndaj grave, sigurinë e grave në hapësira publike, krijimin e mundësive për gratë, kujdesin për fëmijë apo të moshuar. Politikat shtetërore ndikojnë në jetën e secilit prej nesh.

Nëse më shumë gra kanë zë dhe fuqi vendimmarrëse gjatë proceseve dhe sjellin këndvështrimin e tyre specifik, politikat që rezultojnë do të rrisin barazinë gjinore, cilësinë e jetës së çdo pjesëtari të shoqërisë dhe avancojnë emancipimin tonë. Kemi nevojë për më shumë gra në Kuvend. Një sistem i mirë politik është ai që pasqyron diversitetin e shoqërisë së cilës i shërben.

Votuesit kanë fuqinë për të treguar se cila është shoqëria jonë në Kosovë dhe t’u japin zë gjithë grupeve të ndryshme brenda saj. Është shumë e lehtë. Mjafton të dilni në votime dhe në listën e partisë që ju përkrahni të zgjidhni kandidatet gra dhe atyre t’ua jepni votën tuaj. Ju keni fuqinë dhe mundësinë të zgjidhni se i kujt është zëri që ju përfaqëson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat