Në imagjinatën e rrenave apo në realitetin e hidhur të provuar?!

Opinione

Në imagjinatën e rrenave apo në realitetin e hidhur të provuar?!

Nga: Armend Halimi Më: 28 shtator 2019 Në ora: 16:49
Armend Halimi

Kjo dilemë ndeshet më shumë se kurrë tani, në kohën e fushatës zgjedhore, kohë e cila zgjon instiktin e rrenës, vrasjes së ndërgjegjes, rritjen e motivit të interesit.

Në këtë frymë aktuale të zvarranikëve, kohës së zhegitjes së tyre pas këmbëve tona të lodhura, në kërkim të lëmoshës tonë, të shenjtës tonë – votës tonë, dëgjojmë më shumë se kurrë rrenat e tyre, shpërfaqjen e interesave.

Ne të lodhurve (qytetarëve), ne të cilëve na zënë pa pikë lodhje edhe me zhagitjen e tyre, ne të gjunjëzuarve, provojnë të na gjunjëzojnë akoma më shumë me imagjinatat e rrenave, mbi një realitet të hidhur të provuar.

Përkundër përvojës tonë (qytetare) të mbushur me nënkëmbje, me gjuhën zhag, ata lëshojnë fjalët mbi një parajsë të imagjinuar, mbi një sistem drejtësie të perfeksionuar, mbi një sistem shëndetësor të idealizuar.

Ne të varurit, vdesim nga realiteti i provuar në shoqërim të ninullave të tyre si në afektin e një anestezioni për një parajsë të imagjinuar nga ta. Jo vetëm padrejtësia dhe vdekja janë dhuratë e një realiteti prej tyre, por ata si të kujdesshëm që janë, para racionit final, si një paragjellë japin fyerjet, poshtërimet. Këtu po, jemi të privilegjuar, për dallim prej tyre (zvarranikëve) çdo njëri prej nesh (të gjunzuarëve) mundet t’i gëzoj. Mjafton nevoja për një kërkim të drejtë, këto benefite i gjenë nga ata të cilët mbajnë rend e ndajnë drejtësi. Mjafton nevoja për shëndet, këto benefite i gjenë tek ata që dhurojnë shëndet. Po, këto t’i dhurojnë ata të cilët mbi shpatulla mbajnë epitetin e shpëtimtarëve. Shpëtimtarëve që fyejnë dhe vrasin nën shoqërimin e ninullave të zvarranikëve për një shoqëri ideale.

Lum ata që s’kanë nevojën e tyre, lum ne që nuk hipnotizohemi nga ninullat e tyre, e mjerë ne që prekim këtë realitet të hidhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat