Zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë: Kënd nuk duhet Votuar!

Opinione

Zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë: Kënd nuk duhet Votuar!

Nga: Mrsc. Agim Aliçkaj Më: 1 tetor 2019 Në ora: 21:49
Agim Aliçkaj

Nga takimet dhe bisedat me te afërt, shokë dhe miq të shumtë nga të gjitha nivelet dhe spektri politik, krijohet përshtypja se kësaj radhe, populli i Kosovës është i gatshëm për ndryshime. Siç u shpreh njëri nga ata : “ Na u lodh shpirti nga politikanët e këqinj”.

Situata ekonomike dhe politike është padyshim e vështirë dhe shumë komplekse. Vota e 6 Tetorit është votë e shpresës. Një pjesë e madhe e votuesve veç janë të përcaktuar për partinë e vet. Ekziston shpresa dhe mundësia se ndryshimet do ti bën pjesa e papërcaktuar, deri tash vonë indiferente, me kusht që të del në votime.

Por, votuesit e pavarur në Kosovë dhe diasporë , nuk e kanë të lehtë të vendosin për kënd duhet votuar. Procesi i eliminimit negativ në këtë rast mund të ndihmojë deri diku. Nuk duhet votuar kurrsesi ata kandidatë që:

1.Nuk e mbrojnë hapur dhe me forcë integritetin teritorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Është e domosdoshme që kandidati të deklarohet haptas se është kundër ndarjes, copëtimit dhe shkëmbimit territorial me Serbinë. Shkëmbimi i territorit nënkupton shkatërrimin e shtetit të Kosovës.

2.Nuk deklarohen kundër bisedimeve pakushte me Serbinë për çështje te brendshme të Kosovës. Serbia është agresore që shkaktoi dhe humbi me turp luftën në Kosovë. Nuk bën të lejohet që edhe mëtutje të sillet si viktimë, duhet insistuar që të kërkojë falje, t’ju ktheje familjeve njerëzit e humbur dhe të paguaj dëmet e luftës. Pavarësia e Kosovës është punë që ka përfunduar para 11 viteve dhe për te ska çka të bisedohet. Pra, bisedimet nuk kanë kurrfarë kuptimi pa njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, të gjitha shtetet e Europës dhe Kombet e Bashkuara. Mbi të gjitha, nuk bën të bisedohet për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë pa biseduar në të njëjtën kohë për të drejtat e popullit shqiptar në Serbi.

3.Tregojnë servilitet dhe dëgjueshmëri ndaj faktorit ndërkombëtarë për çështjet që janë në kundërshtim me interesat kombëtare. Të tillët nuk e kuptojnë se përkrahja eventuale për ta është e përkohshme ndërsa respekti për ta është hiq fare. Ata edhe janë shkaktarë të mbajtjes së një status quo’je të dëmshme për të gjithë dhe prolongimit të zgjidhjes së drejtë të konfliktit shqiptaro-serb. Është fare e qartë se kombi shqiptarë është dhe duhet të jetë i orientuar përgjithmonë nga Amerika dhe vlerat perëndimore. Por, Amerika nuk i don qyqanet dhe servilët. I don dhe përkrahë ata që kanë aftësi dhe karakter të fortë, që dinë çka kërkojnë dhe si ti arrijnë rezultatet. 

Pra, me përfaqësuesit e Amerikës dhe Evropës duhet biseduar me kujdes, respekt, fakte dhe argumente të pamohueshme. Të gjitha këto janë në anën tonë.

4. Për të cilët ka fakte korrupcioni dhe pasurimi të dyshimtë dhe të paligjshëm.

5.Nuk kanë përgatitje adekuate shkollore dhe aftësi të theksuara komunikimi dhe veprimi.

6.Nuk tregojnë humanitet, tolerancë fetare, racore dhe nacionale. Kjo tolerancë ka qenë dhe është njëra ndër vlerat më të mëdha kombëtare shqiptare.

7.Simpatizojnë ende dhe përdorin metodat e veprimit të sistemit të errët komunist anti-shqiptar dhe anti-njerëzorë.

8. Nuk kanë program real dhe propozime konkrete për zhvilllimin ekonomik të Kosovës. Gënjejnë haptas dhe premtojnë gjëra qartë të parealizueshme.

9.Nuk promovojnë vlera familjare dhe traditë kombëtare. Sillen në mënyrë të vrazhdë, arrogante dhe të paedukatë.

10. I qesin interesat personale, familjare, klanore dhe partiake para interesave kombëtare.

Votuesit aktiv, të informuar mirë dhe demokracia e vërtetë, janë shpëtimi i Kosovës dhe mbarë kombit shqiptarë.

*Anëtar i Bordit Ekzektutiv të LQSHA dhe Këshillit të Vatrës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat