Një deputet si Fetah Rudi

Opinione

Një deputet si Fetah Rudi

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 4 tetor 2019 Në ora: 15:45
Fetah Rudi

Fetah Rudi ishte kuadër i hershëm i Dr. Ibrahim Rugovës. "Ishte mbushamendës Dr. Rugova, andaj u bashkova për kauzën e LDK-së", - shprehet Rudi. Ishte luftëtar, me pushkë në dorë, kur "komandantët" kriminel shqipfolës e arrestuan gjatë luftës.  E  dërguan në burgjet-ahure në Drenicë, një turp dhe krim ndyrë UDB-esk, e goditën, deri në përgjakje, e maltretuan, me shantazhimin për t`u larguar nga LDK-ja. Heroi i gjallë Rudi, rezistoi me stoicizëm. Donin ta ekzekutonin, për të vetmen arsye pse ishte ushtar i Ibrahim Rugovës. Dhe, ndoca nga këta ishin ish-bashkëveprimtarët e tij! Rastësia e shpëtoi, dikush ndërhyri për lirimin e tij. 

Paslufta e gjeti kuadrin e LDK-së, Fetah Rudin, në aktivitete të shtuara të partisë. Ai po kthehej nga një takim pune me Presidentin Rugova. Ishte me dy shokë në  veturë. Në një fshat të Drenicës, mbi një urë të ngushtë. Një makinë, me tre persona brenda saj, afrohet në paralele me veturën tonë. Rafall, zbrazje e armës skorpion, armë e dyshuar edhe për krime tjera, Fetah Rudi plagoset rëndë, deri në përmasën e mbetjes të përjetshme në karrocën invalidore. 

Vetura e kuqe, me tre kriminelët brenda, largohet me shpejtësi. Fetah Rudi, i përgjakur, dërgohet në spitalin e Prishtinës, i shtrohet. Vetëm dy orë më vonë, në të njëjtin spital, i sjellin kriminelët, tashmë, kufoma. "Janë këta që plagosën deputetin e LDK-së",- tha kuadri i UNMIK-ut. Një kamion, "rastësisht", i kishte aksidentuar për vdekje, në Shtimje! "Komandantët", porositës të vrasjes së Rudit, veprojnë për zhdukjen e gjurmëve të krimit. 

Buzë rrugës rajonale, është ngritur një kompleks memorial! Krimimelët u shpallën dëshmorë, dhuratë nga shefat e tyre "komandantë", tani pushtetarë kupolë. Familjet e tyre gëzojnë pensionet përkatëse dhe votojnë për PAN-in kriminal. Varrezat e "dëshmorëve" janë bërë paçavure, "lesh arapi!"

Plumbat kishin dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore. Jeta e Fetah Rudit rrezikohej edhe në spital. Është një dokument, i lëshuar nga Policia e UNMIK-ut, për një rast plegosje, të natyrës politike, ku lexohet se "mjekët  nuk ishin të interesuar, për ta shpëtuar viktimën dhe ai vdiq"! Edhe intervistimit i mjekëve nga Gjykata Speciale, nuk është i rastësishëm. Andaj, stafi i Presidentit dhe Policia e UNMIK-ut, koracoi dhomën e pacientit Rudi. Me ndërhyrjen e Presidentit Rugova, ai dërgohet për mjekim në Itali, ku qendroi një vit e gjysmë.

"Me rrnue për me tregue", titullohet libri i priftit shkodran, At Zef Pllumi, që vuajti dekadat në burgjet e vdekjes të filosllavit Enver Hoxha. Dhe, fati ishte përcaktues, që Rudi qendresëtar mbijetoi, pikërisht, për t`i treguar me emër e mbiemër projektuesit dhe ekzekutorët e tij. Këta të fundit, ishin truproje të kandidatëve të sotëm për kryeministër. Megjithatë, ata vazhdojnë garimin kryeministror! Ja, pra, sa të "pastra" i ka listat PAN-i?!

Qendresëtari Fetah Rudi, edhe në karrocën invalidore, për afro dy dekada, i bie rreth e tërthuar Kosovës, për të ndjekur nga afër veprimtaritë e LDK-së, për të cilën ka qenë dhe mbetet i gatshëm për çdo sakrificë. Ai sfidoi frikën, kërcënimet edhe me jetë, për ta braktisur LDK-në dhe Ibrahim Rugovën. Përgjigja e tij ka qenë, gjithëherë, e prerë: "Me Rugovën dhe LDK-në, deri në frymëmarrjen e fundit."

Kandidimi për ulëse në Parlamentin e Kosovës, i heroit të gjallë, Fetah Rudi, është një pritje e stërzgjatur, nga anëtarësia dhe populli i Kosovës. Ai është simbol përfaqësimi, të paktën, e 1.820 viktimave të LPK-së të djeshme, përkatësisht, PAN-it të sotëm. Fushata e PAN-istëve, kundër Rudit, është po aq e egër, sa ishte edhe kundërshtia e një partie, pjesë e PAN-it, për ta pranuar atë nënkryetar të komunës të Malishevës, propozim i LDK-së, në koalicion lokal.

Elektorati i LDK-së, është në provë, për ta dëshmuar seriozitetin dhe ndjeshmërinë njerëzore, në votimin e një kandidature shumë të veçantë, siç është ajo e kuadrit të hershëm, mikut besnik të Presidentit Rugova, heroit të gjallë, Fetah Rudit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat