6 tetori, dita e ndryshimit apo e dëshpërimit?!

Opinione

6 tetori, dita e ndryshimit apo e dëshpërimit?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 tetor 2019 Në ora: 08:08
Ilustrim

Partitë politikë u munduan me mish e shpirt që të bindin qytetarët se e meritojnë votën, secila sipas mundësive dhe kapacitetit të tyre. Tani që fushatës i erdhi fundi fjalën e kanë qytetarët, megjithëse në digresionin e kësaj teme duhet theksuar se kjo fushatë ishte më ndryshe se të tjerat. Më ndryshe në sensin që kandidatët për kryeministër nuk ofruan shumë, ishin të matur në premtime, aq të matur sa pothuajse nuk ofruan asgjë. Pos fjalëve të përgjitheshme nuk kishe ndonjë gjë konkrete, si dhe gjuha fyese ndaj njëri tjetrit kësaj radhe ishte më e matur. Kjo vjen edhe si pasojë e pjekurisë politike dhe qytetare. Kur jemi tek këta të fundit, e të cilët tani e kanë fjalën kryesore,  6 tetori i kësaj të diele është mundësia e tyre. Një mundësi që nuk duhet të shkoj huq, por të përdorët në mënyrën më të mirë të mundshme. Në mesin e dy llojeve të demokracisë: Asaj të drejtpërdrejte dhe asaj indirekte,  ne vazhdojmë si shumica e shteteve të botës të  përdorim demokracinë indirekte, që nënkupton se ne votojmë dike për të përfaqësuar interesat, qëllimet dhe vizionin tonë në nivelet më të larta të shtetit. Këtë përfaqësim mund ta bëjnë vetëm njerëzit me integritet, dinjitet dhe përgjegjësi.  Në vazhdimësi kemi pasur deputetë që asnjëherë nuk kanë qenë në kontakt me votuesit e tyre, nga mungesa e përgjegjësisë si dhe manipulimit të votave duke mos ditur se kush në të vërtetë janë votuesit e tij. Kemi pasur rast kur në një qytet njëri kandidat për deputet kishte marrë mbi gjatë mijë vota, megjithëse  asnjë banorë i atij vendbanimi nuk e njihte, e kjo dëshmon së votat janë vjedhur, manipuluar dhe tjetërsuar. Elementi tjetër ka të bëjë më blerje të votave, gjë që na ka kushtuar shumë,  duke pasur deputet njerëz pa integritet, dinjitet dhe personaliteti. Prandaj, qytetarët duhet të vetëdijesohen që mos të shesin votën e tyre, meqenëse s`po e shesin votën por edhe të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tyre. Nuk ka para në botë që e paguan humbjen e kohës, të shkuarën dhe të ardhmen, dhe kjo është fatale për shoqërinë tonë. Disa që janë në panik të humbjes do të bëjnë  të gjitha përpjekjet që në natën e të shtunës dhe ditën e diel të shpërndajnë gjëra ushqimore, para etj për mos të dal në opozitë. Pasi këta njerëz fatin e tyre e kanë të lidhur me pushtet, e kjo dëshmon sa të mjerë janë. Na duhen njerëz që i japin vlerë pozitës, e jo pozita e pushteti të u jap fuqi atyre. Duhet ndryshuar tërësisht qasja ndaj votës, ajo është e shenjtë dhe nuk ka asnjë pare në botë që është më e vlefshme se vota. Të hapim sytë kë të votojmë që pastaj mos të ankohemi, nuk ka qenë asnjë herë më kollaj se kush nuk duhet votuar. Të gjithëve u ka rënë maska, populli të del të votoj pa e shitur votën në duart e matrapazëve, e të cilët në emër të legjitimiteti shkatërrojnë ëndrrat tona, duke u pasuruar shumë shpejt. Tashmë është momenti që t’i kthehet dinjiteti, shpresa qytetarit të zakonshëm të Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh rrezikojmë që të shpërbehemi si popull, të shndërrohemi në një popull endacak, që jo pak popujve u ka ndodhur. Trendi i ikjes së të rinjve është prioritet i atyre që do të fitojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, hapja e perspektivave të ndryshme dhe dalja nga izolimi. Nëse shesim votën për një mbushje telefoni apo rezervuari me karburant, pastaj mos të ankohemi se qeveria nuk po punon për popull, e kemi në duart tona fatin e Kosovës. KY vend që ka vuajtur dhe rropatur nëpër histori, meriton dinjiteti, meriton vlerë dhe prosperiteti. Tani është koha për të ndryshuar gjendjen në vend, nesër do të jetë vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat