Kah me ia nisë Albini?

Opinione

Kah me ia nisë Albini?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 7 tetor 2019 Në ora: 18:36
Albin Kurti

U çliruam më në fund, populli ua theu hundët uzurpuesve. Po pra. Fjala për uzurpuesit e institucioneve. Të dy partë: PDK dhe AAK. Nga lufta, hiq, pa asnjë gramë shkollim e edukim, hopa n’institucione. Eh po, populli ua theu hundët. Ua theu hundët uzurpuese, multimilionerëve të paskrupullt që përveç dëshirës për të pasur sa më shumë, e humbën dhe mendjen. Dhe mirë iu bë!

Unë s’e marrë vesh se me çfarë fytyre do ta bëjnë opozitën uzurpuesit?

Çka të themi për qeverisjen PAN-istave? Skandal. Aq e dobët ishte sa fjalët s’arrijnë ta përthekojnë gjithë atë dobësi e ligësi përzier bashkë.

Ramush Haradinaj, ia rriti pagën vetës, thjesht ashtu, veç pse iu tek. Së paku kështu u përgjigj kur e pyetën cila është arsyeja e rritjes së pagës.

Përveç kësaj, me hipokrizinë e tij të tejskajshme, tha: E di që është gabim por kështu e kam vendos.

Nuk ka ujë që e pastron këtë deklaratë të ndyrë.

Mandej, a shtihet more njeri në punë të shtetit veç pse e ke të afërm e familjar? Ja që AAK-ja e tij e bëri një gjë të tillë. E bile, e bëri haptas dhe pa marre.

Ramushi me ta marrë pozitën e kryeministrit na e bëri një mashtrim të madh, bile aq të madh, sa rrëqethem sa herë që më kujtohet. Nga gjithë ajo potere e piskamë që e bëri kundër demarkacionit, në fund e votoi vetë. Si s’pati turp? Ai mendon se ne, qytetarët e rëndomtë të vendit, nuk hamë bukë por bari. E ndoshta, kjo është e vërtetë.

Dhe, kjo gënjeshtër e madhe, kjo hipokrizi që të molis, është e rrezikshme për shëndetin tonë mendor. Është traumatike të shohësh një udhëheqës shteti derisa bën aso gjesti të turpshëm, aso përçudnimi të pështirë që s’e rrokin fjalët. 

Çka u bë me ata njëqind zëvendësministra? Ramushi si opozitar deklaronte se Qeveria Mustafa ishte tepër e madhe, e se duhej të zvogëlohej se ashtu po abuzohej pushteti. E çka bëri vetë? E hëngri dreqi i bëri gati njëqind zëvendësministra. Bile dy të tillë i emëroi veç një ditë para se të jepte dorëheqjen. Po këtij nuk i intereson as për komb, as për shtet, as për qeverisje të mirë. Ky ishte në gjendje të bëj gjithçka për veten e tij. Kjo është traumë tjetër e rëndë. Kjo të qitke prej terezisë.

Njeriu ka nevojë për pak njerëzillëk, pak shfaqje të empatisë e mirëkuptimit, kujdesit. Jo për kafshëritet kaq të gërditshëm, jo për xhungël, jo për keqpërdorime kaq enorme, e kaq të liga, e kaq të shpeshta.

A e bëjnë mend këta njerëz se 20 vjet kohë ia humbën vendit, qytetarëve të vendit, një pjesë e mirë e të cilëve nuk ka kurrfarë perspektive. Shumë prej këtyre të rinjve punojnë për 200 e 300 euro. A e bëjnë mend se si do të martohen, se si do të bëjnë e mbajnë fëmijë këta të rinj, se si do të shkollohen, se çka do të hanë e do të pinë? Po kujt i intereson që gjithë jetën t’i dëgjojë këta derisa herë kukasin e herë mburren, për ato që ndodhën për një vjet e gjysmë. A i intereson Haradinajt dhe njerëzve të sojit të tij, se si jeton një njëzet vjeçar i shtresës së shtypur të shoqërisë? Me fare pak të ardhura. A s’është kjo sakrificë?

Na i përdhunuan nervat me luftën, me sakrificën. Çlirimi nuk na erdhi se këta – shumica nga këta - guxuat t’i kapnin armët, por bukfalisht na erdhi se neve na dëbuan forcat serbe, se këta nuk na mbrojtën ani pse quheshin ushtri, se na masakruan, se na përdhunuan, se na i futën ethet në bark. Ku ishit ju atëherë? Në atë vakt, për një pjesë të madhe njerëzish ishte më kollaj të kishte një armë në dorë se të ishte i paarmatosur.

Këta, nuk e kishin takatin mendor të kujtojnë se ekziston jetë edhe përtej sakrificave të tyre. Na e gërditën me luftë, e me sakrificë, e me gjithçka.

E kanë shkatërruar shëndetësinë, gjyqësinë, sportin, kulturën, e më e rëndësishmja ekonominë, aq sa të vjen keq dhe gjynah njëkohësisht prej Albinit nëse bahet kryeministër.

I shkreti djalë, kah me ia nisë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat