Urime Z. Kurtit!

Opinione

Urime Z. Kurtit!

Nga: Perparim Blakaj Më: 8 tetor 2019 Në ora: 20:27
Albin Kurti

Urime Z. Kurtit, që qëndrimet e tij i dërgoi gjer në fund, duke u ballafaquar me të gjithë. Ca procese me politikë të mençur e ca me gjoks. Unë nuk jam militant i partisë së tij dhe i asnjë partie tjetër, sepse neve nuk na takon militantizmi.

Ai mbanë fjalime të shijshme, me një oratori të përkryer të një lideri botëror, këtë e dijnë edhe zogjtë e malit dhe peshqit e detit. Bile edhe Peshqit e Nëntokës,

Thjesht, mbështes çdo individ, duke lënë anash dallimet që kemi, që brengoset sadopak për çështjen shqiptare e këtij vendi ia heqë ‘kripën’ që politikanët hamallë ia ka vënë që shumë vite.

Mos ua prishë ëndrrën e këtyre njerëzve, që kanë përjetuar gjithçka e votën ta kanë besuar. Ua rikthe buzëqeshjen njerëzve, dëshirën me jetu në vendin e vet dhe lirinë që menduam që e kishin. Kosova është vuajtja e gëzimi i çdonjërit. Puno për të, siç premtove, jo pse unë besova në premtimet e tua, por besova në mençurinë e seriozitetin tënd. Prapë po e them, mos harro Prekazin, Reçakun, Izbicën, Rezallën, Dubravën, Krushën e Madhe, Rugovën e Hasit e Studimen. Mos harro shqiptarët se ku jetojnë, shtëpi për shtëpi e çka hanë çdo ditë, sofër për sofër.

Brejtësit paskan pasë të drejtë. Kur i shihja duke u fotografuar me Z. Kurtin para se ai të arrinte një fitore të këndshme, thoja me vetën, shpresoj që këta njerëz ‘’mos me ia qitë zanin e zi’’, sepse dhelpëri nga ky njeri nuk ka. Nga njerëzit që i janë afruar, po. Ata gjithmonë do t'i ketë koha, por nga të gjithë politikanët e tanishëm, Albin Kurti është më i përpikti, më i maturi, më i mençuri dhe më i ditur.

Mezi pres ta kritikoj. Ashtu siç kam kritikuar edhe të tjerët, Albinin do ta kritikoj më së shumti, sepse kritika dërgohet në vend. Dhe jam i sigurt për një gjë, nëse Albin Kurti mbërrin në një takim në Evropë, Evropa e Bota janë të detyruar ta dëgjojnë, ta ndjekin me kujdes qëllimet e shtetit që përfaqëson.

Këtë fotografi e mora në murin e AFP. E paskan quajtur Z. Kurti si:‘’Rebeli që ëndërron të bëhet kryeministër’’. Ne meritojmë një kryeministër që rebelohet kundër hajnisë, që rebelohet kundër korrupsionit, që kokulur nuk del nga takimet me qeverinë serbe, që nuk bart me vete veç hamallëk, që me politikë shtyen proceset para dhe asnjëherë me bërryla e me ndezje zjarresh. Kosova meriton një njeri të mençur e vizionar. Deri më sot kemi pasur njerëz që që dijnë të nënshkruajnë dokumente, vendime me peshë dekadash e shekujsh (ndoshta), por asnjëherë s’kemi pasë njerëz që zgjidhin probleme.

Dhe një ngjarje më të njomë se ato që i thur vazhdimisht:

Para dy muajsh, para se të vendosesha larg Kosovës, takova Profesoreshën e nderuar Arife Kurt-in, të ëmën e Z. Kurtit. Përveç përkushtimit që çdoherë tregonte në dhënien e mësimeve, bisedave e sjelljes së mrekullueshme, thashë me vete:
- Kush është më krenar? E ëma për djalin e saj apo djali për të ëmën e tij?

Për mua, tutje, ''dardha bie nën dardhë''!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat