Buna nuk pastrohet në një ditë, por një ditë duhet të pastrohet

Opinione

Buna nuk pastrohet në një ditë, por një ditë duhet të pastrohet

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 14 tetor 2019 Në ora: 10:45
Gjekë Gjonaj

Ndotjet e dhjetë ditëve të para të teorit në grykëderdhjen e lumit Buna në Ulqin, në vijën kufitare ku ndanë Malin e Zi me Shqipërinë , ishin shqetësuese madje edhe turpëruese për të gjithë ata që i dinë vlerat e këtij rezervati natyror në bregun lindor të Adriatikut. Në sipërfaqen e ish-portit tregtar nga ku anijet që vinin nga Venecia e Triesta zbarkoheshin aty, në pjesën e Malit të Zi disa ditë notojnë pula dhe kafshë të ngordhura. Ky krim mjedisor i radhës që iu bë kësaj perle të fshehur të Adriatikut rreth 3 km nga grykderdhja e deri në fshatin Reç në pjesën e Malit të Zi alarmoi të dy shtetet mike fqinje Malin e Zi dhe Shqipërinë. Institucionet përkatëse shtetërore të Malit të Zi , Ministria e Bujqësisë dhe Zhvllimit Rural, Drejtoria e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Policia Kufitare, Njësia e Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe Ndërmarmarrja Komunale e Ulqinit, sapo morën njoftimin nga qytetarët e përgjegjshëm , se nëpër lumin Buna notojnë pula të ngordhura me qese plasmasi dhe kafshë të ngordhuara, në prani të inspektorëve dolën në terren, morën kampionët për të kryer analizat dhe për tri ditë radhazi pastruan të gjithë rrjedhën ( hapësirën) e lumit të ndotur.

Pasi u konstatua qartë se ky incident ekologjik ishte i natyrës ndërkufitare disa ditë më parë qeveria malazeze i dërgoi një notë proteste qeverisë shqiptare , ku i shprehte shqetësimin për ndotjen e lumit Buna, duke kërkuar marrjen e masave. Pala malazeze akuzoi se pulat e ngordhura vijnë nga Shqipëria me arsyetimin se në territorin e vet nuk ka ferma as pulari. Lidhur me rastin ka reaguar ministri i Turizmit dhe Mjedisit i cili ka premtuar se do të marrë masa për ndotësit.

Problemi i ndotjes së lumit Buna nga lloj-lloj mbeurinash nuk është i sotëm. Të gjithë, që më parë, ministritë, kryeministrat, institucionet mjedisore, pushtetet vendore, bizneset, shoqëritë civile, qytetarët e të tjerët, e dinin se ky lum nuk pastrohet qoftë edhe me pjesëmarrje më masive disaditëshe të përbashkëta seç ishin këto dhe të tjerat më parë. Që ky lum të mos vazhdojë të jetë kazan i plehërave të ndryshme nuk mjafton vetëm kaq. Kjo kërkon punë çdo ditë. Kërkon rritje të ndërgjegjësimit ( vetëdijësimit) të komunitetit , pushtetarëve dhe qeveritarëve për mjedisin.

Në përputhje të fqinjësisë së mirë Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy vende të rajonit me aspitara për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që nënkupton miratimin dhe respektimin e standarteve në të gjitha fushat , duhet të bashkëveprojnë me efikasitet të plotë që ky lum të mos mbetet perlë e harruar e natyrës. Nga qeveritë e dy vendeve pritet që të mobilizojnë forcat për ruajtjen nga ndotja të lumit Buna. Puna që kanë përpara të dy shtetet është vërtetë e madhe, sepse duhet zhbërë atë që kemi bërë dhjetra vjet më parë.

Ulqini dhe Shkodra, pra Mali i Zi dhe Shqipëria, kanë nevojë për Bunën. Andaj mos të lejojmë që ajo të shkatërrohet me mbeturinat që vetë ne jemi fajtorë për këtë katasrofë ekologjike. Buna vërtetë nuk pastrohet në një ditë, por një ditë duhet ta pastrojmë. Dëshirojmë,shpresojmë dhe urojmë që atë ditë dy shtetet ta sjellin sa më shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat