Ambasadori Borchardt të japë dorëheqje ose të shpallet i padëshirueshëm në Shqipëri

Opinione

Ambasadori Borchardt të japë dorëheqje ose të shpallet i padëshirueshëm në Shqipëri

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 14 tetor 2019 Në ora: 20:15
Dr. Islam Lauka

Dje ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt bëri një akt të padenjë, jo vetëm për një diplomat të rangut të tij, por as edhe për një ordiner të rrugës. Ai u tregoi gishtin e mesit banorëve të Astirit, të cilët po protestonin tek Drejtoria e Policisë në Tiranë, në mbështetje të të afërmve të tyre të arrestuar, duke hedhur parulla të ndryshme, midis të cilave edhe “Rama ik!”.
Ai që do të duhej të ishte i pari në mbrojtje të së drejtës për të protestuar, bën veprime të turpshme kundër protestuesve. Nuk është hera e parë që ky pseudoambasador merr anën e pushtetit: qëndrimet e tij ndaj kanabizimit të vendit; ndaj zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit 2019; ndaj protestave të opozitës; ndaj masakrës ekologjike në Valbonë, etj, janë vetëm disa prej tyre. Në rastin e Valbonës jam edhe unë dëshmitar, kur vitin e kaluar, në një takim me disa anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, të ndërmjetësuar nga OSBE, mbi pasojat e ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, ai iu kundërvu hapur akuzave të shoqërisë civile për mungesë transparence të qeverisë, duke u kthyer thjesht në një vegël të regjimit të Edi Ramës.
Sipas Konventës së Vjenës, jo vetëm ambasadori, por çdo diplomat është i detyruar që në vendin e akredituar, së pari, të respektojë ligjet, traditat, zakonet dhe vlerat e atij vendi dhe, së dyti, të jetë i paanshëm.
Të dyja këto kritere bazë janë shkelur rëndë nga ambasadori Borchardt. Kërkimi i faljes, nga ana e tij, në këtë situatë është hipokrizi. Pas veprimit të tij të turpshëm, ai duhet të largohet menjëherë nga Shqipëria. Për këtë ka dy rrugë: nëpërmjet dorëheqjes (nëse i ka mbetur ende ndonjë fije dinjiteti) ose shpalljes së tij “person i padëshirueshëm” (nëse u ka mbetur ndonjë fije burrërie drejtuesve të institucioneve tona). Apo Kryeministrit Rama ia ka ënda “gishtin e mesit” të ambasadorit Borchardt?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat