Largimet nga vendi; një normalitet i globalizimit!?

Opinione

Largimet nga vendi; një normalitet i globalizimit!?

Nga: Lirim Begzati Më: 14 tetor 2019 Në ora: 20:38
Lirim Begzati

Largimet nga vendi nuk kanë të ndalur! Largohen sidomos të rinjtë, kuadrot e kualifikuara, dhe shumë të tjerë që posedojnë potenciale dhe kapacitete për me iu dhënë një shpresë perspektivave zhvillimore të vendeve tona.

Përballë kësaj që ndodhë, dëgjojmë sqarime, përmes së cilave dikush mundohet t’a arsyetojë këtë fenomen, duke thënë për shembull se “jetojmë në kohërat e globalizimit dhe në trendët aktuale është bërë normale që të ndodhin gjithë këto lëvizje të popullatave”. Thuhet pra nganjëherë, këtu e aty!

Po, është e vërtetë se jemi duke kaluar përmes një dinamike të pareshtur të globalizimit. Mirëpo, shtrohet pyetja se si duken vendet tona karshi këtij procesi? Ku mund të gjejë mbështetjen e tij të vërtetë preteksti se gjoja të gjithë këto largime ndodhin sidomos në kuadër të konteksteve tona të ashtuquajtura të “globalizimeve”?

Nëse iu afrohemi pak më tepër realiteteve, një analizë n’a thotë këtë: shumë shtete të zhvilluara evropiane kalojnë përmes këtyre proceseve. Ata arrijnë që të absorbojë në tregun e tyre të punës një numër të konsiderueshëm të të huajve. Çka absorbon tregu ynë i punës?  

Në mes tjerash, shtetasit e vendeve në fjalë, edhe ata, ndonjëherë largohen nga vendi i tyre, por vetëm për arsye krejtësisht të tjera, që rrallë kanë ngjashmëri me arsyet e largimeve të njerëzve tanë!

Çka është duke ndodhur te na? Përveç largimeve nga vendi, nuk vërejmë aq shumë dinamika zhvillimi sipas vlerave të globalizimit, përpos sigurimit të një korridori në hapësirat tona, për me iu mundësuar refugjatëve, për shembull të Bangladeshit dhe të Sirisë, që të vazhdojnë rrugën e tyre për me arritur në destinacionin e tyre final, për me arritur në shtetet ku globalizimi lulëzon!

Duke i ç’fletur disa artikuj, n’a rra në sy definimi se çka nënkupton realisht globalizimi. Aty thuhej, në mes tjerash : “Në këndvështrimin ekonomik, globalizimi është një proces i ndërkombëtarizmit të transaksioneve industriale, tregtare dhe financiare. Ai ndërlidhet me liberalizimin e këmbimeve dhe me intensifikimin e tyre. Si një dukuri e integrimit ekonomik, globalizmi kontribuon në atë që shtetet të krijojnë një ndërvarshmëri, posaçërisht për arsye të lirisë së qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitaleve, njerëzve, ideve dhe teknologjisë”.

Sa identifikohen vendet tona në këtë definicion, për me i dhënë pastaj liri vetes për me thëne se edhe ne jemi mirë të integruar në vlerat dhe proceset e globalizimit?

Në fund të fundit, me plotë arsye mund të parashtrohet edhe pyetja vijuese; vallë, a po n’a ndodhin largimet nga vendi, pikërisht për shkak të mospërfshirjes së mjaftueshme të vendeve tona në proceset e globalizimit? E jo e kundërta, jo në emër të globalizimit!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat