Albin Kurti: Këtë entuziazëm dhe valën e tretë të fitores së Kosovës, nuk do lejojmë që të shpërdorohet nga askush

Opinione

Albin Kurti: Këtë entuziazëm dhe valën e tretë të fitores së Kosovës, nuk do lejojmë që të shpërdorohet nga askush

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 16 tetor 2019 Në ora: 11:24
Albin Kurti

Fitoren e LVV-je me 6 Tetor 2019 nuk mund ta konteston askush, por as votën e sovranit që lideri i saj, Albin Kurti, të jetë kryeministër i Kosovës në katër vitet e ardhshme, nuk mund ta zhbën asnjë forcë tjetër politike, sepse atë post ia dhuroi shumica e popullit me votën e tij të lirë dhe demokratike!

Edhe vrojtuesit më pak të kujdesshëm që e përcjellin rrjedhën e numërimit të votave nga KQZ-ja në qendrën e saj në Prishtinë, e kanë kuptuar se që nga momenti i mbylljes së kutive të votimit e deri me sot, pra që dhjetë ditë, kanë filluar që nën rrogoz të bëhen veprime të dyshimta dhe të luhen lojëra të ndryshme, kryekëput në dëm të fitores së LVV-je, siç ishte vonesa në shpalljen e rezultateve preliminare, vendimi qesharak për rinumërimin e votave në 314 vendvotime, manipulimi i opinionit për gjoja helmimin e 15-20 numëruesve të votave nga zarfet e ardhura nga Serbia, e që sipas mjekëve doli se ata nuk ishin të prekur nga helmimi. Pastaj, zhagitja dhe mos numërimi deri më tash i votave me kusht dhe i mbi 15.000 votave të ardhura nga diaspora, etj., flet katërçipërisht për skenarë të ndytë që po luhen kundër LVV-je dhe liderit të saj, z. Albin Kurti, që me çdo kusht mos të mbetet partia e parë fituese dhe që ai të mos të vije në postin e kryeministrit të Kosovës..!?

Se kush janë aktorët e këtij skenari antikushtetues, apo se kush po punon në terrin e natës afrikane kundër Albinit dhe LVV-je, që mos ta lënë me “Ardhë Dita” dhe drita e ndryshimeve të reja për Kosovën dhe popullin shqiptar, opinioni i njeh shumë mirë ata skenarist si dhe planet e tyre ogurzeza, të cilët votuesi ynë i dënoi me votën e tij patriotike me 6 Tetor 2019..!?

Prandaj, çfarëdo loje, skenari, manipulimi me votat e sovranit, apo çfarëdo imponimi dhe ndryshimi të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, nga kushdo qoftë, do ta merr përgjegjësinë ligjore për futjen e vendit në ngërç të ri kushtetues dhe politik, pasojat e të cilit mund të jenë katastrofale për popullin, shtetin, të ardhmen e fëmijëve tanë si dhe për pavarësinë e Kosovës! Sepse, ata të cilët luajnë me vullnetin dhe verdiktin e popullit-sovranit, duhet ta dinë mirë se po luajnë me zjarr kundër shtetit të Kosovës!?

Lideri fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit është z. Albin Kurti dhe subjekti të cilin ai e udhëheq, pra LVV-je, fitoren e të cilës nuk mund ta cenojë askush dhe asnjë forcë e errët para-politike dhe e nëntokës. Kështu që deklaratën e Albin Kurtit mbrëmë në tubimin me votuesit e tij në Vila “Gërmia”, “se entuziazmin dhe valën e tretë të fitores së Kosovës me 6 tetor, nuk do lejojmë ta shpërdoron askush..”, duhet marrë shumë seriozisht, përndryshe, vendi detyrohet që serish të shkon në zgjedhje pas 3 muajve..!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat