Dorëheqja e Edi Ramës, plotësisht e merituar dhe e shumëvonuar!

Opinione

Dorëheqja e Edi Ramës, plotësisht e merituar dhe e shumëvonuar!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 19 tetor 2019 Në ora: 08:06
Xhevat Mustafa

Në të vërtetë, nëqoftëse gjykojmë me gjakftohtësi dhe realizëm, nuk ka përse të ngurojmë të pranojmë se  nuk na i ka fajet Macroni dhe Bota, por...koka, domethënë Edi Rama me qeveri!

Deri tani 2019-ta  ka qenë një “vit i begatë” për dorëheqje kryeministrash dhe presidentësh  nëpër botë, në vende fqinjë me ne dhe më të largët. Kështu pa protesta masive qytetare, por për arësye të ndonjë skandali brenda ekipeve qeveritare(Sebastian Kurz-Austri, Giuseppe Conte- Itali); të krizash politike me humbjen e shumicës(Alexis Tsipras-Greqi,  Mamuka Bakhtadze-Gjeorgji,); të qëllimit për t’i hapur rrugën një brezi të ri politikik dhe qeverisës,( Presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev);  të një lëvizjeje  për të fituar më shumë  kohë për një vendim problematik dhe mbështetje më të madhe në parlament (Ramush Haradinaj-Kosovë). Rasti më i freskët mund të jetë ai kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për dështimin në realizimin e një objektivi madhor qeveritar... Këto shembuj mund t’i shërbejnë mjaft edhe kryeministrit tonë, për t’i kujtuar se dorëheqja është një akt normal jo vetëm në vende me  standarte relativisht të larta të shtetit ligjor dhe të demokracisë funksionale, por edhe me standarte më të ulta, afërsisht si tonat.

Aq më shumë që në këto 6 vjet qeverisjeje  ai ka një  litar të gjatë arësyesh për dorëheqie. Përmbledhurazi apo shkurt, mund të evidentonim disa prej tyre:  bllokimi i stërzgjatur i reformës në drejtësi, i disa institucioneve të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme; inkriminimi i parlamentit; mbrojtja me vite e deputetëve dhe kryebashkiakeve të inkriminuar; emërimi si ministra i Gent Cakajt dhe Besa Shahinit, kur janë  me CV të varfëra dhe pa karrierë elitare në dikasteret përkatëse...Mund të vazhdohet me bollëkun e tenderave , koncesioneve dhe PPP-ve; me kanabizimin e të gjithë vendit; me rastet e dy ish ministrave të brendshëm, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafa; me 80 mijë dollarët për fotografinë me Obamën më 2012; me nënshkrimin e  marrëveshjes me Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedonine e Veriut për “miniShengenin ballkanik”; me vizitat dhe takimet e shumta private me Erdoganin; me faturën prej 110 milionë euro gjobë ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti; me fshehjen e rreth 610 milionë euro borxh dhe të shifrës së vërtetë të borxhit publik...Por, dështimi i 18 tetorit  në Bruksel, i katërti rradhazi, me mos hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE as më  2019, mund të llogaritet dhe vlerësohet si më i rëndi apo më i patolerueshmi. 

Në një shtet normal, me demokraci dhe kushtetutë funksionale, me drejtësi dhe prokurori të pavarura, me një kryeministër të emancipuar e të përgjegjshëm, për secilën nga këto arësye, më e pakta dhe më e shpejta, do ishte dorëheqja e parevokueshme e Edi Ramës. Por, paradoksalisht, fajin dhe përgjegjësitë ai i largoi nga vetja, Tirana dhe Surreli dhe i adresoi për nga Parisi dhe Brukseli. Kjo të shtyn të mendosh se deri më sot ai nuk i njeh fjalën, traditën dhe praktikën "dorëheqje"..Në të vërtetë, nëqoftëse gjykojmë me gjakftohtësi dhe realizëm, nuk ka përse të ngurojmë të pranojmë se  nuk na i ka fajet Macroni dhe Bota, por...koka, domethënë Edi Rama me qeveri!.Ka shumë gjasa që atij nuk i shkon ndërmend të japë dorëheqje, sepse nuk ndihet humbës. Është e qartë, humbësit e vetëm dhe më të mëdhenj jemi ne, qytetarët e thjeshtë dhe jo klasa politike dhe qeverisëse. “Harresa” e dorëheqjes prej tij  nuk besoj se vjen edhe  nga frika e humbjes së një “karvani maunesh me përfitime shumëformëshe” dhe e ndëshkimit ligjor nga vettingu dhe SPAK-u në nivelet e larta të politikës dhe të qeverisjeve,  nëse ka lënë nëpër dosje gjurmë korrupsioni dhe abuzimesh. 

Ndoshta vendosmëria e tij për të vazhduar në detyrë  mbështetet më fort edhe tek  njohja e mirë e popullit që qeveris prej më shumë se 6 vitesh, sidomos e “popullit të majtë”. Ai mund të ketë  bindjen dhe llogarit se “populli i majtë” do të vazhdojë ta dojë, mbështesë e votojë, duke ia falur të gjitha. Edhe harrimin dhe mos përmbushjen e premtimeve, përfshirë edhe ato ndaj tyre. Edhe dështimet e panumurta. Edhe abuzimet dhe skandalet e njëpasnjëshme në vend e në botë nga ai vetë apo ministra e ministresha të tij. Ai mund të trimërohet për të mos dhënë dorëheqje edhe duke llogaritur se, fatmirësisht, Enveri i ka lënë një “popull të majtë”, që e mashtron lehtë e shpejt, hollë dhe trashë; që të puth duart e të ngre këngë edhe kur  e terrorizon me dhunë, papunësi, mjerim, korrupsion, kriminalitet; me vrasje të shpresës dhe besimit për jetë më të mirë në vend; kur e vjedh sy më sy; kur pasurimin tënd të pistë i'a shet si fryt djerse të ndershme... Mund të mendohet se Edi Ramës nuk i shkon ndërmend dorëheqja edhe nga qenia i sigurt se nuk ka as prokuror dhe prokurore që të bëjë harakiri, duke guxuar t'i komunikojnë fillimin e hetimeve ndaj tij për ndonjë nga arësyet e përmendura më lart, sepse u bën gjëmën kryeprokurorja Arta Marku, për të cilën Shefi i Madh është i paprekshëm dhe  i pashqetësueshëm...

Bëhet e qartë se në këto kushte, kur pushtetarët “rilindas janë “tërbuar” nga pushtetet e shumtë dhe fitimet përrallore, kur janë bërë  bërë të padurueshëm dhe  nuk kanë ndërmend të zbresin vetë  nga “kuajt e pushteteve”, ështe shumë vonë e  shumë më e vështirë. Të mësuar keq dhe gjatë me bollëk pushtetesh, përfitimesh dhe privilegjesh, ata nuk pranojnë të largohen me vullnet dhe dëshirë Në të kundërtën, ka shumë gjasa t’u  bien egërsisht “kuajve” me kërbaçë,  me shkelma në barqe, brinjë e kofshë, që të ecin më me revan. Kështu që mbetet e vetmja alternative: “të qëllohen e të rrëzohen “kuajt”. Por,kjo është llogjikisht dhe ligjërisht e pamundur. Sepse “kuajt” janë ajo pjesë e popullit dhe e vetvetes, që i ka ndihmuar të hipin mbi ata, duke u ulur përunjësisht dhe “lumturisht”  në gjunjë; pa u shqetësuar se mund t’i rraskapisin për qejfe dhe “çmendurira”. Që u ka sajuar dhe kënduar edhe këngë...Që u ka puthur duart, edhe kur atyreve u ka ardhur për të qeshur e ndot nga erërat e trupave të varfanjakëve, të paparfumosur prej vitesh, ose me ndonjë parfum fare të lirë, sa për t’u quajtur i tillë. Nëse Edi Rama do të bindet apo detyrohet të japë dorëheqje humbet vetëm ai, familja e tij, kontigjenti  i njerëzve të lidhur me atë  nga interesa dhe “tela” ngushtësisht karrieriste, financiare, ortakërore, klienteliste...Por, nëqoftëse largohet me dëshirën e vet, humbja e tij do të jetë shumë më e vogël dhe e përkohshme, sepse do të tregonte emancipim politik, demokratik, intelektual, qytetar...

Njëkohësisht  do t’ia shtonte shanset dhe mundësitë  për rikthim në qeverisje,  nëpërmjet një proçesi të thellë reflektimi dhe korrigjimi në vetvete dhe zgjedhjeve sipas standarteve më të përparuara demokratike. Nga ana tjetër, shumë shpejt do të bëhet e qartë se do të fitojnë ndjeshëm Shqipëria, të gjithë shqiptarët, kombi...Largimi nga pushteti i Edi Ramës me shokë e shoqe mund t’i hapë rrugën proçesit të shumëvonuar të zëvendësimit të tyre me  një kontigjent të ri politik dhe qeverisës, me arsimim, edukim, emancipim, mentalitet perendimor, modern, progresiv dhe demokratik, natyrisht jo të lloit Gent Cakaj dhe Rudina Hajdari. Njëkohësisht mund të bëhet më e mundshme edhe alternativa e një qeverisjeje me koalicion nga partitë politike kryesore të të dy krahëve, pra PS dhe PD, sipas modelit gjerman apo Merkel, natyrisht pa përjashtuar edhe disa nga partitë më me peshë të koalicioneve ekzistuese të tyre. Perspektiva e kalimit në zgjedhje të parakohshme, me një ligj zgjedhor të ri, konsensual, që i minimizon mundësitë për vjedhje e blerje votash,  i tremb edramistët, që vazhdojnë të besojnë tek sajesa e tij rreth 6 vjeçare, e zgjuar dhe e efektshme, deri më sot  se “të dy palët janë njësoj” si dhe plot të pavarur dhe nga shoqëria civile, që jo pa arësye kanë një thes me rezerva ndaj PD-së dhe opozitës jashtë parlamentare.

Pa kundërshtuar ngjashmëritë, personalisht e subjektivisht, nuk mendoj se se gjasme e majta dhe gjasme e djathta tek ne janë 100% njësoj. Sepse edhe dy bijat e barkut të një nëne, qofshin edhe binjake, nuk janë plotësisht apo absolutisht njësoj. Kjo edhe për faktin se  PD, PR, LZHK, PDK, PBK., gjatë 6 viteve në opozitë  kanë bërë katarsis në vetvete; kanë nxjerrë mësime të bollshme nga gabimet dhe pësimet e veta dhe të “rilindjes”; kanë ofruar dhe do të vazhdojnë të ofrojnë politikanë të rinj, me diploma djerse, me nivele bashkohore arsimimi dhe profesionalizmi;  me kapacitete dhe vlera të dëshmuara e jo sa për CV. Me humor të hidhur, në këto kushte, në mungesë të së “majtës” të dhe të së “djathtës” së vërtetë“, pra në mungesë të “pulave bio”, na mbetet të pranojmë “sorrat”, që deri më sot na i kanë servirur si “pula fshati! Një “kuzhinier” i mirë, (kryeministër i zoti), pse jo, një Albin Kurti i dytë, mund të na e bëjë qeverinë e re më të mirë se të gjitha këto të këtyre 28 viteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat