“Ajvari i zemëruar” dhe alkimia politike maqedonase!

Opinione

“Ajvari i zemëruar” dhe alkimia politike maqedonase!

Jusuf Buxhovi Nga Jusuf Buxhovi Më 21 tetor 2019 Në ora: 10:45
“Ajvari i zemëruar”

Një përkthim, në një tiketë te një prodhuesi maqedonas të ajvarit, ku ajvari i djegës (lut) në shqipe përkthehet si “ajvar i zemëruar” dhe si i tillë del në shitje jo vetëm në Maqedoni po edhe në Shqipëri dhe Kosovë, mund të duket si një lapsus gjuhësor. Por, në të vërtetë, ironikisht shpreh gjendjen politike në këtë vend si dhe pozitën kushtetuese në të cilën ndodhen sot Shqiptarët në shtetin, së voni të quajtur “Maqedoni e Veriut”.

Për t’u kuptuar sa më mirë ironia e “ajvarit të zemëruar” (me simbolikën e fotos në tiketë të një speci të kuq me një trangull të zi) dhe metafora “e barazisë së shqipes” se mënçmuar deri te karikimi sadist, me të cilën atje, nga politikanët shqiptarët kryesisht vasal të politikës nacionaliste maqedonase shitet dushk për gogla, duhet pasë parasysh ecurinë e përpunimit të specit të kuq dhe të djegës njëherësh nga ajo e një zarzavati, që përdoret për ushqim të përditshëm e deri te gjendja e lëngshme - ajvari, që kalon nëpër shtrydhje fizike, zierje dhe përzierje kimike, ku ruhet “djegësimi” si delikatesë, që jo secili mund ta kapërdijë, veçmas ata që kanë telashe me lukthin e ndjeshëm dhe tretjen deri te jashtëqitja.

Kështu, “ajvari i zemëruar”, si një mashtrim tregu, në realitetin e sotëm politik të shtetit të quajtur së voni Maqedoni e Veriut ka të bëjë pikërisht me atë se shqiptarët dikur “ të djegës” (që janë në gjendje edhe të kapin pushkën po u desht paçka se edhe me të ndahen lagësht), ndonëse me etiketën e “të zemëruarve”, paraqesin një delikatese “të butë”, që mund të përdoret pa masë, me rrezikun e vetëm se po u blua pa karar, sjell diare (shkulë).

Kur thuhet kështu, kihet parasysh teknologjia e shndërrimit të specit “të djegës” në ajvar “të butë” fare, që nuk dëmton asgjë nga goja, fyti, lukthi e deri te fundi i zorrës së trashë, gjendje kjo që është identike me atë të shfaqjes së shtetit të Maqedonisë, në vitin 1991, si shtet-komb, pra maqedonas, me ç’rast shqiptarëve, gjendja e një etnie historike nga antikiteti e deri te koha jonë, me marifetin e ajvarit (shtrydhjen si vetë-shtrydhje ndrydhjen si vetë-ndrydhhe, zierjen e përzierjen si vetë-zierje), u është zëvendësuar me atë të një lëngu “të butë”, ndonëse shitet “si ajvar i zemëruar”!

Sidoqoftë, në tregun politik, etiketa e ajvarit “të zemëruar” në vend të ajvarit “djegës”- paraqet një alkimi, ku gjendja e natyrshme kthehet në emocion (zemërim), ndërsa e panatyrshmja - pabarazia, në realitet nënshtrues, në vetëmashtrim mburrës!..

P.S. Ky shkrim nuk u dedikohet konsumuesve të ajvarit të prodhuar sipas standardeve të EU-së në përputhje me ato të Komisionit të Venecisë. Atyre u bëftë mirë! Por, u dedikohet atyre që janë pjesë e etiketës së reklamës mbase për "t'u krenuar"?...Pse jo?...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat