Z. Kryeministër, ktheni fëmijët tanë në Shqipëri!

Opinione

Z. Kryeministër, ktheni fëmijët tanë në Shqipëri!

Nga: Altin Hazizaj Më: 21 tetor 2019 Në ora: 17:50
Altin Hazizaj

I nderuar Z. Rama,

Ju drejtohem me këtë letër të hapur publike, për të kërkuar kthimin urgjent të të gjithë fëmijëve shqiptarë që ndodhen dhe vuajnë në kampet famëkeqe në Siri, në Shqipëri. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, janë rreth 50 fëmijë dhe të mitur shqiptarë që ndodhen prej vitesh ose kanë lindur në kampet famëkeqe të ISIS dhe që jashtë dëshirës së tyre janë bërë pjesë e konfliktit të armatosur në Siri.

Asnjë fëmijë nuk ka lindur për të luftuar! Asnjë fëmijë nuk është përgjegjës për krimet e prindërve të tij!

I nderuar Z. Kryeministër,

Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për të shprehur shqetësimin e Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), organizata më e vjetër e të drejtave të fëmijëve në vend, por edhe atë personal, që asnjë fëmijë shqiptar nuk duhet të jetë viktimë e luftimeve në Siri!

Për këtë ne kërkojmë angazhimin tuaj si Kryeministër, por edhe si baba i dy fëmijëve: A nuk do të kishit vajtur edhe Ju në fund të botës për të gjetur fëmijët tuaj dhe për t’i sjellë ata në shtëpi? Të gjithë ne, prindër të prekur nga ky konflikt, qytetarë të thjeshtë apo të angazhuar për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, sot kemi një thirrje për ju dhe Qeverinë tonë: SILLNI FËMIJËT TANË NË SHTËPI!

Alvin Berisha, 11 vjeç, nuk dihet nëse është gjallë! Jeta e tij është në duart tuaja! Si Alvini janë me dhjetra fëmijë shqiptarë që presin që Qeveria e tyre t’i shpetojë nga vdekja e sigurt! Ne kërkojmë kthimin në shtëpitë e tyre edhe të Evës, Endrit, Fatimes, Esmas, Belkizes, Suejdit dhe të gjithë fëmijëve që sot ndodhen në kampe në Siri.

Z. Kryeministër, CRCA/ECPAT Shqipëri, ju kërkon nisjen me urgjencë të të gjitha procedurave për gjetjen, marrjen në mbrojtje dhe kthimin në Shqipëri, të fëmijëve shqiptarë viktima të konfliktit të armatosur! Shteti shqiptar dhe Ju personalisht keni një miqësi të provuar me drejtuesit e shtetit Turk, ndaj ne ju kërkojmë sot publikisht: mos e lini këtë miqësi të duket e bukur sa për foton apo takimin e rradhës! Përdoreni atë për të shpëtuar jetë fëmijësh! Forca juaj nuk duhet të ndalet deri sa edhe fëmija i fundit të jetë kthyer në Shqipëri!

Sinqerisht,

Altin Hazizaj

Drejtor Ekzekutiv CRCA/ECPAT Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat