At Gjergj Fishta, arkitekti i marrëdhënieve diplomatike midis shqipërisë dhe shteteve të bashkuara

Opinione

At Gjergj Fishta, arkitekti i marrëdhënieve diplomatike midis shqipërisë dhe shteteve të bashkuara

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 22 tetor 2019 Në ora: 23:09
At Gjergj Fishta

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë.   Këto veprimtari, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur Presidenti i atëherëshëm amerikan Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se “një zë do të kishte në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.   Shumë është shkruar në mediat shqiptare dhe shumë flitet për këtë rast si dhe për veprimtaritë lobiste moderne të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë 40-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve anë e mbanë të trojeve të tyre, sidomos në mbështetje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës, në mbarim të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli.

Por falë urrejtjes, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës, për pothuaj një shekull nga bashkatdhetarët e tij gjatë komunizmit – përfshir 30-vjet-post-komunizëm -- qoftë nga media ashtu edhe nga historiografia shqiptare e influencuar nga periudha komuniste -- pak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fushë të ndryshme si letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare, në konferenca dhe takime ndërkombëtare.  Jo vetëm në Konferencën e Paqës në Paris dhe në konferenca të tjera ndërkombëtare në Evropë, ku dhe kur flitej për Shqipërinë dhe për të drejtat e Shqiptarëve.  

 Me rastin e ditëlindjes së tij (23 Tetor,1871), e shoh të arsyeshme që të kujtojmë vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe përpjekjet e tija lobuese në fillim të shekullit të kaluar, në mbështetje të interesave të Shqiptarëve, përfshirë edhe lobimin e tij gjatë vizitës së tij të parë në Washington, me zyrtarë të lartë amerikanë, për njohjen diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara.   Këto shënime janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca në librin përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940.

Image

Sipas korrespondencës -- të pasqyruar në këtë botim të veçant përkujtimor për At Gjergj Fishtën -- midis Fishtës dhe At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj, Gjergj Fishta njofton Kuvendin françeskan se, “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”. 

Image

Vizita e Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva: një, të “kujdesej për interesat e Shqipërisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris dhe objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.   Sipas të gjitha gjasave takimi me komunitetin shqiptaro-amerikan kishte shkuar shumë mirë për Fishtën, sa që në një letër që i kishte dërguar atij Faik Konica nga Bostoni, i drejtohet Fishtës, pasi ishte këthyer në Shqipëri, me përshëndetjen: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”, i përgjigjet nga Bostoni, Faik Konica mikut të tij At Gjergj Fishtës.

Përveç takimeve me përfaqsues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë vizitës së tij të parë në Amerikë në vitin 1922 -- nga korrespondenca e Poetit Kombëtar, që Fishta ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të urdhërit françeskan shqiptar në Atdhe, mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin amerikan.   I vetdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës  që dërgonte nga Amerika më 1922 do tu interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-22, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, dhe për takimet që kishte zhvilluar ai me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit amerikan Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet diplomatike të Washintonit, sipas të dhënave në këtë libër:

Image

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës.  “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’ Amerikës.”   Në faqen tjetër të letrës, sipas At Pal Dodaj, Fishta ishte shprehur në letrën e tij se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës.   Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë -- të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare-- ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt.

Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija cituar më lartë.   Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik , 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”   Sipas  Zyrës së Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy popujve tanë, më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqsuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, thekësohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

 

Thonë se njerëzit e mëdhej të një Kombi vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.   Fatkeqsisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën, madje as sot 30-vjet post-komunizëm.   Unë e kam shumë të vështirë gjithnjë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tija përjetësoi çdo gjë me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj, qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu siç ishte kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në fillim të shekullit të kaluar.

Kemi aritur në një pikë të historisë, që të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike në Shqipëri dhe në Kosovë e cila kontrollon çdo akitivitet të jetës së shqiptarëve në një sistem që ata e quajnë “demokraci”-- e kemi humbur shpresën se shqiptarët, si komb –madje edhe 30-vjet pas komunizmit -- do të vlerësonin më në fund njerëzit e mëdhej të Kombit si At Gjergj Fishta.   Me ketë nivel kulture bolshevike që tregon kjo klasë aktuale politike e shqiptarëve, ajo nuk është e denjë të përfaqësojë një komb të përparuar, që pretendon të jetë demokratik, në fillim të shekullit 21!

Edhe kini pretendime të integroheni në Evropë.  Kot e kini se nuk futeni në Evropë, jo, pa Gjergj Fishtën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat