Drenicë, zgjohu dhe pastro Drenicën!

Opinione

Drenicë, zgjohu dhe pastro Drenicën!

Nga: Astrit Gashi Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 20:14
Drenicë

Sot hyra në google map dhe po lexoja emrat e rrugëve në Drenicën tonë. Më dolën lotët nga ajo që lexova. Emra rrugësh të martirëve të vrarë në luftën e fundit të cilët e gëzojnë statusin e dëshmorit vetëm e vetëm se ka rastisur të jenë të afërm me ndonjë udhëheqës lokal i cili ka qenë përgjegjës për mbrojtjen e lagjeve. Emra të njerëzve që po t’i pyesish edhe nipat e tyre nuk dinë asgjë për gjyshin hero! Emra të njerëzve që kur largohesh dy fshatra larg s’i njeh njeri!

Asnjëherë në jetën time nuk kisha dashur që analfabetë funksional të degradojnë kështu këtë trevë heroike.

Drenica, vendi i kulturës dhe artit, u godit nga rrufeja e njerëzve me tru peshku, te cilët mendojnë se jeta fillon kur ata lindën.

Kudo në botë procesi i emërtimit të rrugëve dhe shesheve bëhet nëpërmjet normave ligjore, të cilat përcaktojnë me saktësi kriteret e përzgjedhjes. Shumica e vendeve ua kanë lënë organeve vendore vendimin për pagëzimin e hapësirave publike. Edhe për personazhe të kalibrit botëror mund të anashkalohen rregullat e përgjithshme, por pa rënë as në provincializëm, as në mendjelehtësi, që në publik shprehen me heshtje indiferente.

Së fundi, nuk duhet harruar se emërtimet nuk janë lojëra fëmijësh, as karshillëqe me kundërshtarët e palës tjetër. Përgjegjësia është e madhe, se ka të bëjë me brezat e ardhshëm, të cilëve përveçse truallit duhet t’u lëmë edhe një memorie kolektive të bazuar në vlera të shëndetshme. Nëpër rrugë e sheshe depozitohet kultura dhe identiteti i një vendi, jo vetëm në arkitekturë e ndërtime, por edhe në emërtimet e tyre. Tek e fundit, hartat e qyteteve janë shpeshherë si pëllëmbët e duarve, ku mund të lexohet nga rruga në rrugë, nga sheshi në shesh, nga vija në vijë: e kaluara, e tashmja dhe, pse jo, e ardhmja.

Kjo lojë me Drenicën kreshnike e disa injorantëve e ka ofenduar këtë trevë heroike. Po ju profesorë, studentë, ushtarë të vërtetë të lirisë, pse po lejoni këtë degradim të vendit tonë? Pse po e fshini historinë e vendlindjes sime me emra njerëzish që nuk dinë shkrim lexim? Në Fortesë eshte kalaja Xhyteti, që daton nga mesjeta, e dikush e fshiu nga harta! Drenicë zgjohu pashë gjakun e Shaban Polluzhes, Mehmet Gradices, Marie Shllakut, Shote Galices, Adem Jasharit! Mos lejo këta njerëz të ofendojnë identitetin tënd, Drenicë.

Në një vend si Kosova, ku historia përjetohet e gjallë, ku gojëdhënat lexohen si histori, ku shekullorja shikohet si e djeshme, ku e hershmja kushtëzon të ardhmen, lipset shumë maturi dhe shumë respekt, sepse do të na mallkojë historia, të cilën asnjëherë në jetë nuk e mësuam drejt. Mos vallë jemi popull servil, që e duam dhe kultivojmë vetëm të keqen dhe vrasim vlerat?! Lexoni more kush ishte Marie Shllaku, pse erdhi në Drenicë, çka bëri ajo!? Lexoni për shumë legjenda. Mësoni kush ishte Qerime Radisheva.

Lexoni e mësoni kush është Shaqir Hasi, që me kulturë pushtoi botën. Pse po na i vrani shkollat, rrugët…? Pse po heshtim para këtyre njerëzve që shkelin vlera tona?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat