Femra shqiptare – krenari kombëtare

Opinione

Femra shqiptare – krenari kombëtare

Nga: Mehmet Halimi Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 14:53
Mehmet Halimi

Duke lexuar artikullin informativo-afirmativ,në gazetën “Bota sot” të 31 tetorit 2019,faqe 8,me titull: “Yllka Cana oficerja shqiptare nga Kosova në Ushtrinë Amerikane”, e cila u prit nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.Në bisedë e sipër me Yllkën,ajo nuk ishte kthyer në atdhe si mërgimtare,por si oficere për t’ia ruajtur e forcuar themelet e ushtrisë në fjalë besnikërisht,ushtrisë së shtetit e partnerit tonë mik (“më mirë një mik se një çifllik”Fj.urtë), më të fuqishëm në botë.

Dhe me këtë rast Arbër Ismajli ishte emocionuar dhe nderuar,ndaj e ndjeu veten krenar për një oficere të dalluar shqiptare në Ushtrinë Amerikane,e cila në moshën 10 vjeçare,bashkë me familjen e saj e kishte lënë Kosovën dhe vendlindjen e saj Livoçin dhe si refugjate kishte shkuar në Amerikë. Dhe me këtë rast zotëri Arbër Ismajli me entuziazëm e krenari shprehet: “ Jam krenar dhe shumë i gëzuar që takova këtë vajzë dhe e cila po kryen një obligim të shenjtë për vendin mik të SHBA-ve.Me këtë dëshmojmë se jemi shembull pozitiv si popull,duke dhënë kontribut edhe në ushtritë më të mëdha të botës”.

Kjo informatë afirmative edhe mua më dha shkas dhe më bëri krenar që të shkruaj këtë artikull përurimi e përgëzimi për Yllkën,në radhë të parë dhe për mbarë kombin tonë shqiptar,kudo që gjenden në botë do ta ndjejnë veten krenarë kur shohin e dëgjojnë se femra shqiptare po bëhet k r e n a r i k o m b ë t a r e. Populli ynë stoik e heroik me shekuj ka vuajtur të zinjt e ullirit dhe ka përjetuar situata kritike,ngjarje dramatike,nga robëruesit shekullorë,por kurrë nuk është dorëzuar dhe nuk e ka humbur besën e shpresën për ditë më të mira.Ai e ka ngushëlluar veten,duke thënë: “Nuk i dihet fatit-

Në pikë të hajrit binë sherri,e në pikë sherrit binë hajri” dhe se “Çdo e mirë mund të ketë ndonjë të keqe,por edhe çdo e keqe mund të ketë ndonjë të mirë”. Dhe ja ky rast i Yllka Canës e ilustron dhe e konkretizon për mrekulli se në një fatkeqësi të dyndjes biblike të popullit shqiptar të Kosovës,dëbimi nga vatrat e trojet e veta stërgjyshore e autoktone,i shtrënguar dhe i detyruar nga terrorizmi shtetëror hegjemonist kriminal e gjenocidal i satrapit dhe kasapit të Ballkanit –Sllobodan Millosheviqit, me pasoja të papara,ndodhën edhe mrekulli të paimagjinueshme. Valët e jetës Yllkën e familjen e saj,e përplasën në Amerikë.Si fëmijë 10 vjeçar ajo shfrytëzoi rastin historik,sepse “rasti është mbret i botës”, u shkollua dhe falë dashurisë e vullnetit,energjisë rinore dhe vendosmërisë,synimit e qëllimit të saj të caktuar për të realizuar idealin e saj,ajo arriti me sukses të plotë gradën ushtarake oficere e Ushtrisë Amerikane. Ç’mrekulli kjo,nga refugjati – oficere?! Një fjalë e urtë popullore thotë: “Burri i mirë e hijeshon odën,e gruaja e mirë edhe oborrin”,që i përket periudhës sonë patriarkale e kanunore,mirëpo femra shqiptare sot ka shpërthyer kufijt e oborrit,ajo sot e hijeshon edhe qytetin,edhe universitetin e parlamentin,por edhe vendet e ndryshme të botës së qytetëruar. Ato duke e nderuar veten e familjen,shtetin e kombin e vet,të cilit i përkasin,na nderojnë dhe na bëjnë krenarë edhe neve që jemi shqiptarë.Pra,Yllka nderoi jo vetëm familjen e Livoçin(vendlindjen e saj) e Gjilanin,por mbarë Anamoravën e Kosovën në veçanti dhe kombin e popullin shqiptar në tërësi kudo që gjendet. Ajo hijeshoi (jo oborrin e kfizuar në miniaturë),por edhe Ushtrinë Amerikane dhe na afirmoi dhe nderoi edhe neve si popull e si komb. “Femra shqiptare është zonjë e shtëpisë,nënë e fëmijës, ajo ,është nëna e njerëzimit(kujto Shën Terezen),ajo është shpirti i shtëpisë dhe i shoqërisë,e cila përbënë themelin e shoqërisë,ajo është nyje e shenjtë,që mbjell dashuri e mirësi ndërmjet njerëzve,e kur ajo lihet pas dore vuan tërë shoqëria njerëzore”.

Populli ynë,gjatë shekujve në kalim është zhvilluar disproporcianlisht.Sepse ai kishte intelegjencë,prirje dhe talent,ishte i mprehtë dhe mendjehollë, nga njëra anë,por i kishte mundësitë e kufizuara për arsimim e shkollim,i penguar dhe i mohuar nga robëruesit shekullorë,nga ana tjetër. Atdhetari dhe pleqnari ynë i shquar Tahir Berisha i Drenicës,para 80 vjetësh kishte thënë: “Selameti i ne shqiptarëve është: kur të dijmë sa s’po dijmë,kur ta duam njëri-tjetrin sa s’po e duam,kur gjyshja i thotë nipit ose mbesës: -loke a ma ke ble gazetën e sodit,kur femra shqiptare flet në parlament”(Sipas M.Rukiqit),e që sot idetë e tij largpamëse e filozofike po bëhen realitet,sepse sot kemi një armatë femrash shqiptare të arsimuara nga mësuese e profesoresha,doktorë shkencash,deputete e ministre,kryeministre e deri në presidente. Pra,koha po e dëshmon se populli ynë,rinia jonë,të rinjtë e të rejat tona,në kushte dhe në rrethana të reja të përshtatashme për punë,anembanë botës po tregojnë dhe po shënojnë suksese e rezultate,që po e mahnisin botën,duke na gëzuar e afirmuar si komb e si popull edhe neve të gjithëve,siç është rasti i Yllka Canës e shumë yllkave të tjera,në profile të ndryshme,na gëzon dhe na bënë krenarë që jemi shqiptarë,sepse femra shqiptare që shkelmoi fanatizmin e injorancën shekullore dhe robërinë kanunore,sot në kushte e në rrethana të reja të arsimimit e emancipimit FEMRA SHQIPTARE po bëhet KRNARI KOMBËTARE.

Pra,me këtë shkas,shfrytëzoj rastin e çastin që YLLKA CANËS, oficeres së Ushtrisë Amerikane,bijës sonë të fisit e të gjakut, (e shumë yllkave tjera) t’i urojmë shëndet, jetë të gjatë e të lumtur,sukses në jetë dhe rezultate të dalluara në karrierën e saj ushtarake!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat