Hygo dhe shteti

Opinione

Hygo dhe shteti

Nga: Esad Dujaka Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 00:28
Esad Dujaka

Një atë mbrëmje kur edhe fëmijët e Prishtinës po kremtonin atë festën e shtrigave që na erdhi nga Perëndimi, s’di as vet si më zuri dreqi apo taksirati në autobusin nr. 4 të Prishtinës, përballë shkollës Ismajl Qemali... Ani, autobusi, që është një e arritur e madhe e pasluftës në Prishtinë, pas ujit në Fabrikën e re mbi Kodrën e Arbërisë (ish Dragodanit) për ç’gjë ende sot e kësaj dite hahen ndërveti Isa (Mustafa) dhe Shpendi (Ahmeti) se kujt i takojnë meritat për këtë, pastaj ujit të nxehtë nga termocentralet e Kosova A e B të Obiliqit që sjelli ngrohjen në turbinat e Termokosit e pastaj në nja 30 për qind të banesave të kryeqytetit...Por, megjithatë autobusat dhjetëra sish që erdhën dy herash nga një vend ish socialist i bllokut të BRSS, janë mburrja e këtij qyteti që po bën përpjekje të shndërrohet në një qytet modern, por duket se vështirë e ka sepse pas luftës u çua i madh e vogël, në rrugë e ndër udhë, me plan e shumica pa plan, me rrugë gjarpërore në mjedis të livadhit e me ballkone të banesave që gati se nuk takohen ndër veti e sa për ta parë njëri- tjetërin si qojnë dashuri edhe kjo tanimë u tha disa herë...

Ishim te autobusi nr. 4 dhe "Halloweeni" i shtrigave, që dikush e kritikoi atë duke shtuar se është festë e huaja, se nuk na takon neve, se me shtriga të mos paçim punë meazallah bre asnjëherë! Por, ja qe edhe “shtrigat e perëndimit” arritën në Ballkan, kurse në Prishtinë na gjetën të pa përgatitur sepse gjërat i morëm nga bishti! Jo vezë, po gurë sa të dihet, të mbështjellë me letra e me najlona fëmijë që nuk ishin fëmijë, që nuk kishin bërë mazallah bre çfarë grimi e çfarë maske, po kush maskohet kur shkatërron pasurinë e këtij shteti i cili ende nuk po ec në këmbët e veta as pas 20 viteve! A kemi polici, kemi madje bukur shumë, anipse disa statistika thonë se për nga mosha policia kosovare na qenka më e moshuara në rajon...por atë natë heshtën dhe menduan se ankuesit po mahiten dhe nuk dolën derisa autobusët u thyen e u shkatërruan...

Nga mllefi ofshana në atë autobus dhe thash me atë zë të shtjerrë se shkrimtari i njohur francez Viktor Hygo në shekullin e 10-të kishte deklaruar se Shtetin e bëjnë nëna dhe mësuesja! Një grua, krejt mu duk se ishte mësuese, i mbeti hatri dhe duke zbritur ma tha si në hidhërim: “Thuani zotit Hygo se edhe babai ka faj, jo soll mësuesja e jo soll nëna”!

Ani, unë u pajtova me gruan e revoltuar që zbriti nga autobusi i ri me xham të thyer në mes të kryeqytetit të shtetit të Kosovës që fatkeqësisht as pas 20 vitesh nga çlirimi prej pushtuesit serb - nuk po mund ta marr veten dhe të nis haprimin në drejtim të bashkimit me familjen e madhe të Evropës së civilizuar...

Deri kur do të presim këtë tani për tani askush nuk e di me saktësi, sepse njëherë jemi hutuar duke numëruar e stërnumëruar votat tona, ato nga diaspora, të tjerat nga toka e tjerat nga qielli, ndërkaq që populli po kalon një jetë të qetë pa atë zhurmën zgjedhore, pasi liderët dikush është në ikje, dikush në shkuarje, dikush në dorëheqje, dikush u bë pishman, dikush me frigën se do ta thërrasin në Gjykatën Speciale...

Meteorologët, megjithatë prognozojnë se sivjet mbi Kosovë do të mbizotërojë një dimër ca më i ftohtë se dimrave të tjera....
Larg është pranvera për ne!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat