Kullakët e (pas)luftës - Bota Sot
Kullakët e (pas)luftës

Opinione

Kullakët e (pas)luftës

Esad Dujaka Nga Esad Dujaka Më 6 nëntor 2019 Në ora: 07:40
Foto ilustrim

Këtyre ditëve deri sa po çmallesha në Gjakovë me një shok nga ditët e fëmijërisë, nuk e di se si ra fjala për kullakët e luftës “partizanë me gjermanë”. Po, tha miku im nga Mahalla e Hadumit, që dikur ishte në zë për nga të pasurit dhe jo vetëm aq por han e don zotëri. Babëgjyshin tim, foli miku im, e kishin ndjekë si kullak i luftës! Kishin pasë ardhë njerëz të armatosur një ditë prej ditësh herët pa zbardhë drita dhe kishin bërë hatanë duke zgjuar të gjallë e të vdekur dhe duke e ngrehur zvarrë plakun e shkretë atyre rrugëve me kalldërm të Çarshisë së Madhe, dhe e kishin dërguar në një shtëpi në Mahallë të Haxhi Imerit, që e kishin shndërruar në burg për “elementët turbullues” të pushtetit populluer (si i thoshin aso kohe). I gjori plakush, pas disa ditëve ia del t’i mashtrojë rojet e “burgut partizan” dhe ia mësyen rrugës pa adresë... Ishte strehuar për disa vjet në Sarajevë te disa miq e vetë, gjakovarë që jetonin në Sarajevë...(Historia ka vazhduar për këtv kullak të ikur nga Gjakova).

Eh, kështu na ishte dikur lufta e pakompromis kundër kullakëve të luftës, aso kohe kundër gjermanit dhe italianit, kurse ne e kemi tash fjalën për luftën e fundit në Kosovë kundër pushtuesit serb. Lufta mbaroi, u krye e solli çka solli, po e shohim edhe vet, e sipas njerëzve që mendojnë më thellë, e të cilët po pohojnë se çlirimi u bë, por liria ende nuk na erdhi!

Por, tash na doli një telashe e re nga e si na mbinë në Kosovën e varfër kullakët e pas luftës, që dikur nuk kishin as për bukë me spec kurse tani brenda pak vitesh i bënë të gjitha, jo me biznese të ndershme por me “marifete” të tjera që pasurive të tyre nuk iu dihet skaji por as prejardhja! Do ta luftojmë korrupcionin, plot gojën e me tërë gurmazin në fushatën e sapo kaluar zgjedhore...Jam pesimist se do të dorëzohen kollaj kullakët modernë, këta të të pasluftës së Kosovës! Ishalla, por fort dyshoj se këto do të ngelin vetëm fjalë boshe, kurse në Kosovë po krijohen gjithnjë e më shpejtë dy shtresa - të pasur (fal atyre që me punë dhe me nder ngritën pasurinë) dhe shtresa e dytë – të varfur, kurse shtresë të tretë nuk po shoh, e ju a po shihni, ma thuani, se njeri jam, mund të gaboj, e do ju kisha kërkuar falje, pse jo?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat