Si do të ishte Shqipëria po të kalonte në Konferencën e Jaltës me Perëndimin

Opinione

Si do të ishte Shqipëria po të kalonte në Konferencën e Jaltës me Perëndimin

Nga: Merxhan Jakupi Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 14:18
Ilustrim

Me 4 shkurt 1945 tre liderët botërorë – Ruzvelt, Çurçill dhe Stalin e ndanë Europën në dy pole: në Europën Perëndimore dhe Europën Lindore. Pozita e Polonisë ishte në mëdyshje – Çurçilli kërkonte që qeveria polake në mërgim të kthehej nga Londra në Poloni. Në fund, Stalini nuk e mori parasysh propozimin e Çurçillit dhe Polonia mbeti në Europën Lindore. Thuhej se pas humbjes së Polonisë, kërkesa e Çurçillit ka qenë që Shqipëria të mbetej me Perëndimin. Stalini ishte i gatshëm që Shqipëria të mbetej me Perëndimin. Ai tha se Shqipëria ishte një provincë jugosllave nën axhendën e Jugosllavisë. Enver Hoxha, si pinjoll i Titos, kishte vendosur së bashku me Jugosllavinë t’i bashkohej kampit komunist.

Shtrohet pyetja: Si do të ishte Shqipëria pas 70 viteve po të kalonte me Perëndimin në Konferencën e Jaltës? Po të kalonte Shqipëria me Perëndimin, pas mbarimit të Luftës do të ndodhte skenari grek. Komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye nuk do të dorëzoheshin duke pasur përkrahjen e komunistëve jugosllavë. Do të vazhdonte lufta guerile me partizanët. Në fund do të pësonin disfatë – Anglia dhe Amerika do të ndihmonin forcat nacionaliste – Ballin Kombëtar dhe fraksionin që kishte dalë krahu i Luftës Nacional Çlirimtare. Pas zgjedhjeve do të kthehej Mbreti Ahmet Zogu. Kështu, Shqipëria do të mbetej monarki ose republikë e tipit perëndimor. Para Luftës së Dytë Botërore Ballkani ishte një ‘oazë e paqes’. Shumica e shteteve ballkanike ishin monarki. Gjatë viteve 1929 – 1938 Shqipëria ka pasur një periudhë të artë dhe kishte një ndër kushtetutat më demokratike dhe liberale në Ballkan.

Pas luftës, pavarësisht nëse Shqipëria do të ishte monarki apo republikë, ajo do të ishte shtet demokratik si shtetet e tjera demokratike europjane, një shtet kapitalist dhe, si të gjithë shtetet që mbetën me Perëndimin, do të ishte pjesë e “Planit Marshall”. Në vitin 1949 ajo do të bëhej antare e NATO-s. Nën qeverisjen e Mbretit Ahmet Zogu do të ishte më stabile dhe më demokratike se shtete të tilla si Spanja, Portugalia dhe Greqia, të cilat menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore sundoheshin nga junta ushtarake. Gjithashtu, pavarësisht nëse do të qeverisej nga monarkistët apo republikanët, Shqipëria do të antarësohej në BE në një kohë me Greqinë, e cila u pranua antare e BE me 1 janar 1981, ose ndoshta pak më mbrapa, me Spanjën e Portugalinë, të cilat u pranuan njëkohësisht me 1 janar 1986.  

Mund të shtrohet pyetja se cili do të ishte fati i shqiptarëve të Jugosllavisë. Pas Rezolucionit të Informbyrosë Jugosllavia u nda nga kampi komunist i Stalinit. Jugosllavia dhe Shqipëria do të kishin kufi të hapur dhe lëvizje të lirë të qytetarëve. Duke pasur shtetin amë në Bashkimin Europjan, perspektiva e shqiptarëve të Jugosllavisë do të ishte shumë e favorshme në të gjitha sferat. Duke pasur shtetin amë në BE, shqiptarët e Jugosllsvisë do të kishin më shumë perspektivë zhvillimi e mirëqenieje. Gjendja e tyre nuk do të ishte si në Shqipërinë komuniste. Shqiptarët e Jugosllavisë nuk do të shpërnguleshin në Turqi, por do të shkonin në shtetin amë – në Shqipëri.

Shqipëria kapitaliste do të shkonte paralel në zhvillimin ekonomik dhe në stardarte si Greqia dhe shtetet e tjera të Unionit Europjan.

Në fillim të viteve 1950-të, kur filloi bumi ekonomik në Gjermani dhe në shtetet e tjera perëndimore, shqiptarët do të punonin në shtetet perëndimore sikurse italianët, spanjollët, portugezët e grekët dhe Shqipëria do të rimëkëmbej ekonomikisht nga turizmi dhe migracioni ekonomik. Menjëherë pas luftës Shqipëria, sikurse Greqia dhe Italia, do të zhvillonte turizmin. Do të kishte një fluks të perëndimorëve që do të vinin të pushonin nëpër plazhet piktoreske të rivierës shqiptare.

Në fillim të viteve 1980-të, kur filloi bumi ekonomik, Shqipëria dhe Greqia do të kishin nevojë për fuqi punëtore.  Pas shpërbërjes së komunizmit, punëtorë nga shtetet e dala nga kampi komunist do të vinin të punonin në Shqipëri, sikurse ndodhi në Greqi, ku vërshuan për të gjetur punë 500 mijë shqiptarë, të cilët iu bashkuan bullgarëve, polakëve e ukrainasve që punonin atje. E njëjta gjë ndodhi edhe në Itali e vende të tjera. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumë shqiptarë do të punonin në Shqipëri dhe shumë firma të Shqipërisë do të investonin në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët me dy shtete në Ballkan do të ishin faktorë të rëndësishëm zhvillimi.

Shqipëria komuniste   

Fatkeqësisht, pas Konferencës së Jaltës Shqipëria mbeti me shtetet e robëruara të kampit komunist të Europës Lindore. Deri në fillim të viteve ’60-të Shqipëria ishte në Traktatin e Varshavës. Kur lideri komunist i Bashkimit Sovjetik Nikita Krushovi bëri vizitën 12-ditore në Shqipëri më 1959, Enver Hoxha kishte filluar ftohjen e marrëdhënieve me të. Shkaku ishte se Krushovi rrëzoi adhurimin e Stalinit dhe shpalli kultin e individit që e konsideronte Salinin despot e diktator. Për Enver Hoxhën kjo ishte tradhëti ndaj parimeve dhe idealeve marksiste-leniniste dhe e akuzoi vijën e Krushovit si social-revizionizëm.

 Sipas CIA-s, shkëputja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës nuk ishte meritë e Enver Hoxhës, por në bisedimet sekrete midis Krushovit dhe Xhon Kenedit u vendos që Shqipëria të dilte nga ky Traktat dhe të ngelej neutrale. Nikita Krushovi kishte tentuar që Shqipëria të mos mbetej bastion stalinist por të vazhdonte të ishte aleate e kampit socialisto-komunist. Thuhet se Krushovi ishte përpjekur ta bindte Enverin se të gjithë duhej të çliroheshin nga stalinizmi dhe të fillonin të integroheshin në botën e qytetëruar.

Pas shkëputjes nga Traktati i Varshavës, Shqipëria, duke iu përmbajtur qëndrimit ideologjik marksist-leninist, gjeti aleat të ri Kinën komuniste.

Pas vdekjes së liderit komunist Mao Ce Tung, në Kinë erdhi lideri reformator Teng Siao Ping. Kur Kina filloi reformat dhe u bë shteti i parë komunist me tregun e lirë kapitalist, Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Kinën duke e akuzuar me të njëjtën retorikë si largim nga parimet marksiste-leniniste.

“Perandori i kuq”

Kur Kina filloi reformat ekonomike, gabimi trashanik që bëri Enver Hoxha ishte se nuk e pranoi kursin e ri të zhvillimit ekonomik që ndërmori Kina dhe nuk e bëri reformën ekonomike të kalimit nga ekonomi e centralizuar në ekonomi liberale të tregut të lirë. Po të ndërmerrte Enveri reformat ekonomike sikurse lideri karismatik kinez Teng Siao Ping, Shqipëria do të ishte shteti i parë komunist në Europë me dy sisteme: shtet me pushtet politik monopartiak dhe me sistem ekonomik kapitalist të tregut të lirë.

Pas shpërbërjes së komunizmit Shqipëria nuk do të kishte nevojë për tranzicion ekonomik. Ajo do të antarësohej në BE së bashku me shtetet e Europës Lindore të dala nga kampi komunist si Polonia, Hungaria, Bullgaria, etj.

Kombi shqiptar nuk do t’ia falë gabimet e tragjeditë që i bëri qeveria komuniste e diktatorit dhe tiranit Enver Hoxha. Për të gjitha këto të këqia atë do ta dënojë historia dhe Zoti i historisë. Absurdi dhe paradoksi më i çuditshëm është se ka kaluar më shumë se një gjysmë shekulli dhe disa liderë politikë, pseudo-akademikë, pseudo-intelektualë e pseudo-analistë mbajnë në bibliotekat e tyre librat e Enver Hoxhës. Këta dogmatikë të pandreqshëm në analizat e tyre pohojnë se po të kishin ndodhur proceset epokale të shëmbjes së komunizmit duke qenë despoti Hoxha gjallë, sipas tyre nuk do të derdhej asnjë pikë gjak. Është e dëshirueshme që ta marrin vesh këta zotërinj që vuajnë nga nostalgjia enveriste se “perandori i kuq” do ta mbante shpatën të mprehur deri në fund dhe do të futej në betejë pa kompromis, do të luftonte deri në fund dhe nuk do të dilte gjallë. Për atë kishte vetëm një alternativë: ose komunizëm ose vdekje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat