Shpend, merre Hashimin e shkoni “flladituni” në Ujman

Opinione

Shpend, merre Hashimin e shkoni “flladituni” në Ujman

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 7 nëntor 2019 Në ora: 20:34
Ilustrim

Shpend Maxhuni më nuk do të jetë drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Një lajm që pushtoi opinionin mbrëmjen e së mërkurës. Njoftimin për dorëheqjen e tij e dha Ramush Haradinaj, kryeministër në ikje. Pra edhe ky, si Maxhuni nuk do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. As Ramushi as Shpendi nuk ishin të denjë për postet që i mbanin, i pari pse nuk i kishte fituar zgjedhjet në vitin 2017, e  i dyti pse ishte emëruar politikisht si drejtor i AKI-së.

Haradinaj, bëri përpjekjen e fundit për ta rehabilituar Maxhunin duke e dekoruar me medaljen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Opozita e mandatit të kaluar, në vazhdimësi kishte akuzuar të parin e AKI-së, dikur Drejtor i Përgjithshëm në Policinë e Kosovës, për skandale të shumta. Kështu që, çmimi Skëndërbeu, i dhënë nga Ramush Haradinaj, nuk do t`ia mbulojë skandalet e shumta Shpendit. Më i madhi prej skandaleve, natyrisht se ishte dëbimi i shtetasve turq nga Kosova.

Për rastësi apo për ironi të fatit, Maxhuni dha dorëheqje pikërisht në ditën kur shtetasit turq të dëbuar nga Kosova pa asnjë kriter institucional, u dënuan në Turqi me burg. Mbase, kjo gjë ka prekur në ndërgjegjen e Maxhunit dhe e ka shtyrë të jap dorëheqje. Apo ndoshta, paralajmërimi i qeverisjes së mirë që po duket të jetë afër e ka frikësuar njërin nga vartësit e Presidentit Thaçi.

Të kujtojmë këtu vizitën që Maxhuni dhe Thaçi ia bënë veriut të Kosovës, përkatësisht liqenit të Ujmanit, në kohën kur diskutohej aq shumë ndarja e Kosovës. Sido që të jetë, këtij lajmi mund t`i gëzohemi pasi në horizont po e shohim një shtet ligjor. Shpend Maxhuni, është vetëm një prej personaliteteve të shumta që do të duhej të jepnin dorëheqje nga pozitat e tyre, duke mos e pritur kështu shkarkimin nga Qeveria në ardhje, që pritet të drejtohet nga Albin Kurti.

Fundja, kështu ka vendosur sovrani. Sovrani ka vendosur për ç`kapjen e shtetit, e sa do ta realizojnë këtë ç`kapje pritet të shihet kur qeveria të formohet. Të shpresojmë se me këtë qeverisje, emërimet politike të marrin fund dhe ashtu sic kanë premtuar LDK dhe VV të respektohet meritokracia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat