Venediku i sharmit të veçantë dhe i fshehtësive tunduese

Opinione

Venediku i sharmit të veçantë dhe i fshehtësive tunduese

Nga: Gani Mehmetaj Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 07:48
Venediku

Urën e Psherëtimave gjithnjë e kam lidhur me Venedikun. Qyteti mbi ujë, me kanalet interesante, gondolat atraktive, dashuritë, intrigat, burgun e atëhershëm, më bënin përshtypje në imagjinatën time të rinisë së hershme, ndërsa  e lexoja romanin e Zevakos me të njëjtin emër. Rrëfimi i romanit ma shtonte kërshërinë, imagjinata ime bridhte ngado që bridhnin heronjtë e librit. Sot përmbajtja e librit pothuajse më ka firuar, por ura me Venedikun si epiqendër të ngjarjeve kurrsesi. Kur pas shumë vjetësh kalova nëpër Urën e Psherëtimave, se si m’u duk, nuk isha më i ri të vuaja e të psherëtija për dashuritë  e ndarjet, nuk isha më as i psherëtimave dashurore, por ndieja drithërimë të veçantë. Kurrë s'më kishte shkuar nëpër mend, veçmas kur e lexoja romanin e Zevakos, se një ditë do të ecja mbi urën e famshme, se një ditë do të shihja në mes të dy pallateve që i lidhte kjo urë, se do të ecja në Sheshin e Shën Markut, se  do të futesha në Katedrale.

Kur kaloja nga njëra rrugë në tjetrën, më bënin përshtypje edhe kanalet me gondolat dhe me çiftet romantike në to, më mahnitnin rrugicat e ngushta, por edhe sheshet e gjera me plot turistë. Serenata nuk dëgjova, nuk dëgjova as rojën që paralajmëronte orën e ndalimit të qarkullimit si dikur në mesjetë e më vonë, pra kishte perënduar ajo kohë edhe si folklor për turistë, por unë doja ta ndillja në imagjinatën time. Dy ditët e para vetëm shëtitja nëpër qytet pa cak e pa busull, por me një katalog turistik në dorë e me një bagazh leximesh letrare e historike për qytetin. Nuk doja ta kujtoja Shekspirin, Manin, Xhojsin, Vagnerin etj., që kishin qëndruar, jetuar a kaluar nëpër Venedik, doja ta krijoja përshtypjen time, gjë që ishte pak e vështirë pas gjithë asaj që kisha lexuar.   

Nga hoteli “Monaco” dola në Sheshin e Shën Markut, pikën më të popullarizuar turistike të Venedikut me kambanoren Camapnilo, e lartë 99 metra, dhe Bazilikën e Shën Markut, e cila është kisha më impozante në Venedik. U futa edhe në kishë, ku mbretëronte atmosferë qetësie e përjetshme, por nuk hipa në kambanore.

Image
Gani Mehmetaj

Sheshi Shën Marko, njëra ndër sheshet, sipas katalogut, më të bukura në botë, ishte përplot turistë, bënin fotografi, ushqenin pëllumbat, apo silleshin vërdallë, në kërkim të diçkaje të veçantë. Edhe po të ndillja imagjinatën më të frytshme, nuk do të arrija të krijoja pamje më të bukura, të ndërtuara nga dora e njeriut shekuj me radhë. M’u duk se edhe çifte të martuarish me lule në dorë futeshin në Katedrale për celebrim apo vetëm sa për të kryer një rit që atyre u dukej romantike.

Sheshi Shën Marku është pothuajse epiqendra e Venedikut turistik. Jo larg tij na dolën para pankarta e ekzibicione të shumta që tregonin se këtu pak ditë më parë qe mbajtur një festival, ndërkaq paralajmërohej një festival tjetër arti. Jeta kulturore nuk pushonte verë e dimër, ashtu sikurse nuk pushonte as lumi i të huajve kureshtarë, që e ndiqnin një program të tyre të vizitave, kalonin sheshin, vazhdonin në Katedrale, kapërcenin në Pallatin e doxheve (dukëve), ku dikur ishin marrë vendime të rëndësishme për qytetin, për luftën e paqen. Venediku kishte qenë shtet i fuqishëm me flotë të madhe tregtare, me ushtri që i mbronte pushtimet e veta dhe që u dilte ndesh anijeve të piratëve apo anijeve turke që e pengonin qarkullimin e lirë të mallrave në Adriatik e në Mesdhe. Kur u futa në Pallatin e doxheve (dukëve) venedikas, shihja ambientin, muret që të linin gojëhapur, tryezat masive, karriget e larta, ku uleshin dhe i mbanin takimet të zotët e qytetit. Më provokoi ideja se këtu dukët venedikas vendosën të bënin aleancë me turqit kundër arbërorëve të Gjergj Kastriotit. Duhej të futesha brenda apo jo, i thashë vetes si në shaka, sepse nuk e dija në qemë pajtuar me doxhet apo jo, e hoqën ata kërcënimin për vrasjen e mbretit tonë Gjergj Kastrioti, apo ai kërcënim ende rri pezull në ajër? Depërtimi i vështirësuar i dritës nga jashtë sikur ma krijonte një atmosferë të intrigave e të komploteve, por edhe të vendimeve të mëdha diplomatike për botën e qytetëruar perëndimore. Nga këtu tërhiqeshin penjtë edhe në administrimin e Arbërisë venedikase nga Ulqini në Republikën e Raguzës.

Megjithëse Venediku ndrynte ose tashmë kishte hapur dokumente e vepra arti që kishin të bënin me shqiptarët dhe me Gjergj Kastriotin, nuk arrita të shihja asnjërën prej tyre. Më duhej kohë tepër e gjatë t’i vizitoja të gjitha pikat interesante të qytetit, më duhej edhe më shumë kohë të futesha nëpër galeri e vende ku shqiptarët e kishin bërë pjesën e tyre të historisë. Pjesë e madhe e bregdetit shqiptar, nga Ulqini e sipër, quhej Shqipëria Venedikase. Në arkivat e Venedikut thuhej se kishte shumë dokumente për shqiptarët, arkivat nuk ishin specializim imi, por sa do të doja t'i shihja sikur të kisha mundësi. Çuditërisht, pos përkthyeses pas premierës së filmit tonë në festival, nuk e takova asnjë shqiptar të ditur apo madje nga ata që kishin ikur nga varfëria.

Por një gjë mund ta them: që në fillim të ardhjes sime u binda se me të drejtë Venedikun e quanin qytetin më të bukur në botë, që ngrihet mbi dallgët e detit Adriatik, si një Sirenë magjike. Kishte edhe një legjendë po aq të bukur për dashurinë e Sirenës. Kanali i madh nga vijnë shumë anije dhe shkojnë tutje drejt horizontit, shpërndahet edhe në shumë kanale më të vogla. Kanali i madh të ofronte mundësinë e vështrimit panoramik, përderisa dritat e shumta të qytetit disa kilometra më larg më grishnin t'i qasesha qytetit mbi ujë. Kisha vënë në funksion të paparë shqisat që të  mos më shpëtonte asgjë, edhe pse isha i lodhur nga rruga.

Era e freskët e mbrëmjes na e përkëdhelte fytyrën e trupin. Barka që na mori nga limani i vogël pranë aeroportit na përkundte prajshëm mbi valët e detit. Pas një lundrimi si në filma, ndërsa barkat e gondolat e tjera na kalonin anash, apo na tejkalonin me shpejtësi, duke ngritur valë e stërkala prapa, nikoqirët e festivalit të filmit, meqë ishim mysafirë të tyre, na dërguan në hotelin “Monaco”. Ishte hotel i këndshëm që e meritonte emrin e vendit me rregullim princor. Megjithëse kishte kaluar ora 23:00, ndërsa gati tërë ditën bëmë rrugëtim nga Prishtina, në tryezën e dhomës na priste një darkë me salmon e sallatë të freskët, me verë të mirë e ëmbëlsirë të mrekullueshme italiane. Duhej të pushonim e të merrnim veten, sepse pas dy ditësh do ta shfaqnim filmin tonë "Kukumi", nën regji të Isa Qosjes, prodhim i Kosovafilmit, ndërsa unë isha drejtor e producent i filmit. Duhej edhe t'i prezantoheshim publikut e t'u përgjigjeshim pyetjeve të gazetarëve. Me mua ishte regjisori i filmit, Isa Qosja, me gruan, dhe producenti Ilir Gjocaj. Na bënte shoqëri një kroat i italianizuar, zyrtar i angazhuar nga festivali, që e fliste kroatishten dhe italishten. Mbrëmjen e shfaqjes së filmit tonë erdhi edhe përkthyesja shqiptare.     

Atmosfera para dhe pas shfaqjes së filmit tonë ishte e këndshme, kishte shumë shikues dhe interesim të madh të mediave dhe filmofileve. Ekipi i kineastëve italianë prezantohej me filmin më të ri, në krye me aktorin e famshëm, Omar Sharif, kurse ne nga Kosova paraqiteshim me filmin “Kukumi”. Edhe konferencën me gazetarë e patëm të përbashkët. Nuk e di se kush e pyeti në konferencën e shtypit se a do të interpretonte në filmin e Kosovës, ai u përgjigj flakë për flakë se do ta bënte me dëshirën më të madhe. Ta kishe Sharifin në ekipin e filmit ishte krenari. Ta kishe në krah, ndërsa të shikonte me sytë e thellë e të zinj, nën vetullat e dendura, ishte  përjetim e nder i veçantë. Më bëri përshtypje informacioni që kishte për Kosovën dhe për peripecitë tona gjatë vitit tragjik 1999. Në filmin italian, premierë, interpretonte rolin e revolucionarit italian të shekullit XIX. E shpjegonte me pasion rolin e tij para gazetarëve, por fare pak fliste me të tjerët. Nuk qe mendjemadh, por disi i tërhequr.

Kur e pata shikuar në fëmijëri Omar Sharifin në filmin "Lorenci nga Arabia" me Piter O'Tulin, ose "Doktor Zhivago", as në ëndërr nuk e kisha parë se 40 vjet më vonë do të pija nga një gotë uiski në banakun e restorantit veror në Venedik. Edhe më pak e kisha besuar se do ta cakërroja gotën, do të ndërronim ndonjë fjalë ashtu sikurse do të prezantoheshim paralelisht me dy filma tanë: ai me një film italian, në rolin e revolucionarit të shekullit XIX, unë me një film të Kosovës, me temë nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Ishte ndjenjë e veçantë ta takoja dhe ta cakërroja gotën me idhullin e fëmijërisë sime.

Të nesërmen e të pasnesërmen e paraqitjes po ashtu rastisëm që të jemi afër njëri-tjetrit në një pritje për të dy filmat tanë. Ishte tip i qetë, fliste fare pak dhe më bëhej se qe mjaft i tërhequr, që të mos them i vetmuar.

Në "Mostra Kinematografia Ndërkombëtare e Venedikut", rajoni i Venetës, morëm "Çmimin e Kristaltë", që na dha kurajë. I ngarkuar me obligime zyrtare takimesh e bisedash, kokteje e njohjesh, më mbeti shumëçka nga qyteti pa e parë. Ishte një  ndjenjë e pikëlluar kthimi, sepse zemra ma donte të rrija edhe ndonjë ditë, mirëpo kishim rezervuar biletat e aeroplanit, ishim çlajmëruar në hotel, paketuam valixhet.

Kanalin e madh e kaluam disa herë gjatë katër-pesë ditëve, në të shkuar në qendrën e festivalit, ndërsa ktheheshim në mbrëmje vonë në hotel. Në të kthyer për në aeroport prapë kaluam nëpër kanalin e madh, lamë pas vetes sheshet e godinat e papërsëritshme të një arkitekture të veçantë, duke shpresuar se do të ktheheshim prapë dhe do të përjetonim ngjarjet nga më të paharruarat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat