Dy fjalë për drejtorin, mikun, kolegun Roland Kaçani

Opinione

Dy fjalë për drejtorin, mikun, kolegun Roland Kaçani

Nga: Bali Mahmuti Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 09:44
Roland Kaçani

Jeta shpesh herë bën të sajën pa pyetur për dëshirat e njerëzve të shumtë, që do të donin ta kishin pranë Roland Kaçanin edhe për shumë vite të tjera. Edhe ne miqtë, kolegët, shokët e familjarët nuk kemi ç‘të bëjmë tjetër veçse të shfletojmë kujtimet dhe njëkohësisht të shprehim respektin e thellë për shokun tonë që u largua para kohe, papritur, në një moshë akoma të re, kur kishte ende shumë për t’i dhënë shoqëris, vendit dhe familjes së tij.Roland Kacani ishte pionier në fushën e sigurimeve në trojet shqipëtare dhe më gjerë. Ai vuri themelet në lëminë e sigurimeve në territoret shqiptare, e avancoi këtë sektorë në Kosovë dhe në Shqipëri në stadin e sigurimeve Europiane, e modernizoi atë duke bërë përpjekje ditë e natë për t’i ngjarë sa më shumë sektorit të sigurimeve Europiane. Ishte nga ata bredhës që vazhdimisht kërkonte shtegun e duhur dhe për këtë nuk e fillonte ditën e sotme aty ku e kishte përfunduar të djeshmen, ashtu siç edhe perëndimi i diellit nuk na gjen aty ku na ka lënë lindja e tij.

Vdekja tragjike e Roland Kacanit, drejtorit të Kompanisë së Sigurimeve “SIGMA” Interalbania vig sh.a- dega në Kosovë, është një humbje e madhe për komunitetin e biznesit e sidomos të komunitetit të fushës së sigurimeve në Kosovë dhe në Shqipëri. Kontributi i tij në çuarjen përpara të rrjedhave bisnesore shqiptare dhe në avancimin e veprimtarisë së sigurimeve në territoret shqiptare është i pashlyeshëm. Ishte njeri me dije, gjuhë, kulturë, e vizion, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën Europiane.

U imponua në lëmin e sigurimeve me aftësi të pashoqë, me përkushtim dhe me korrektësi shembullore. Këtë e arriti duke studiuar këtë lami që në thelb, duke vazhduar parreshtur aftësimin profesional dhe duke përvetësuar dhe aplikuar përvojat dhe standardet më të avancuara Europiane në këtë fushë.

Ai e kishte synim primar që lëmin e sigurimeve ta bëjë të besueshëm për profesionalizmin,dhe korrektësin ndaj klientelës.

Ai nuk rreshti dotë së kërkuari që të aplikohet standardi i respektimit, në radhë të parë të klientit, të të dëmtuarit.

Në këtë mënyrë e krijoi autoritetin e tij prej një profesionisti te pashoq, si dhe ngriti kompanin e sigurimeve “SIGMA” interalbanian vig sh.a, në standin e kompanive lidere jo vetëm ne Kosovë dhe Shqipëri por edhe ne rajon e me gjerë. Ai në këto vitet e pasluftës në Kosovë u angazhua fuqishëm për të unifikuar sa më shumë rregullat dhe normat ligjore të sigurimeve në Kosovë dhe në Shqipëri. Ishte i veçantë në ngulmimin e tij që të unifikohet legjslacioni ndër shqiptarë i sigurimeve dhe në këtë aspekt ai shërbeu si urë ndërlidhëse ndërshqiptare.

E deshtën të gjithë ata që e njohën në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, dhe nuk ishin të pakët. Të gjithë do ta ndjejmë gjatë mungesën e tij, familja, shoqëria, bashkëpunëtorët, e veçanërisht ne që kemi pasur fatin të punojmë së bashku në tregun e sigurimeve, gjegjësisht në kompanin e sigurimeve “SIGMA” interalbania vig sh.a dega Kosovë, që ishte edhe vetë jeta e tij, ku fal tij u bë e njohur dhe me shumë reputacion në industrinë e sigurimeve jo vetëm brenda Kosovës,por edhe më gjerë, falë vizioneve të Rolandit.

Njëri i shquar për dije, për shpirtin e ndërmarrësisë por edhe për korrektsinë e sinqiritetin e pashoq. Realizimet e projekteve të tij, debatet e tij, leksionet e tij, organizimi që bëri ndër vite kompanisë së sigurimeve Sigma, për ne do të mbeten shenja kujtese të përhershme e të shtresuara thellë në ndërgjegjen tonë.

Duhet folur paksa edhe për Rolandin njeri jashtë punës, për Rolandin të cilit familja dhe ne miqtë e tij të afërt do t’ia ndiejmë mungesën. Pak njerëz kemi njohur në jetë, që të kishin mirësinë e tij në shpirt dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj të afërmve në nevojë; karakteristikat e tij si një fëmijë shembullorë për prindërit ,vëlla i pashoq për motrën dhe vëllan, xhaxha, dajë i pashoq për nipërit dhe mbesat.

Njeri që rrezatonte veç ndjesi pozitive, dhe që nuk e dëgjoje asnjëherë të fliste keq për askënd. Shembull tolerance, qytetarie e virtyti… njëri që kur e takonim na induktonte me pozitivitetin dhe energjinë që e tejçonte aq bindshëm të ne.

I ndritë shpirti për jetë se ishte shok bujar, burrë dhe njeri i mirë që do të mbetet shembull dhe krenari familjare, shoqërore, patriotike dhe intelektuale për ta pasur lakmi.

Sepse ai shkoi për të mbetur me ne – përgjithmonë.

Është ky ligj i amshueshëm i Zotit!

Landi! Po largohesh duke na lënë një zbrazëti të pambyllshme. Do të na mungojë prezenca jote, fjala jote, e qeshura jote, këshilla jote e mençur!!

Ti shkove befasisht, duke na lënë të trishtuar dhe të tronditur, por do të jesh gjithmonë me ne dhe ne do të vazhdojmë projektet e mëdha që na i le.

Lamtumirë Drejtor, shok, mik i shtrenjtë! U prehsh në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi yt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat