Mini Shengeni i Ballkanit edhe më i rrezikshëm se korrigjimi i kufijve - Bota Sot
Mini Shengeni i Ballkanit edhe më i rrezikshëm se korrigjimi i kufijve

Opinione

Mini Shengeni i Ballkanit edhe më i rrezikshëm se korrigjimi i kufijve

Nga: Prof. Dr Musa Limani Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 10:02
Prof. Dr Musa Limani

Ditë më parë u mbajt Samiti në Ohër në Maqedoninë Veriore, ku morën pjesë: Kryeministri i vendit nikoqir, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim përfaqësuesit e këtyre tri vendeve kanë miratuar Deklaratën, me të cilën synojnë përforcimin e transaksioneve ekonomike, përkatësisht formimin e Unionit ekonomik, ku do të përfshihet qarkullimi i lirë i mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve, të quajtur “Mini Schengeni” Ballkanik. Para së gjithash, nuk mund të quhet “Mini Schengen” Ballkanik, ku përfshihen vetëm tri shtete të kësaj pjese gjeografike evropiane. Andaj, duke u bazuar në përmbajtjen dhe prapaskenën e këtij dokumenti, shihet se ai për Kosovën është i rrezikshëm, ndoshta edhe më i rrezikshëm se Marrëveshja e korrigjimit të kufijve e nënshkruar ndërmjet: Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit, sepse cenon sovranitetin dhe subjektivitetin shtetëror ndërkombëtar të vendit tonë. Dështimi i Serbisë për korrigjimin e kufijve dhe bashkangjitjen e pjesës veriore të Kosovës, e nxiti Serbin që të gjejë ndonjë modalitet tjetër kundër Kosovës me qëllim të izolimit politik dhe ekonomik të saj. Për këtë qëllim, Serbia mori iniciativën e formimit të “Mini Schengenit” Ballkanik. Këtë skenar Z. Rama nuk e kupton, apo nuk donë ta kuptojë.

Tani, vetvetiu shtrohet pyetja. Pse këto tri vende të bëjnë një “Mini Schengen”, kur dihet se edhe tani nuk kanë kurrfarë pengesash në transaksionet ekonomike, të njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve? Jo, jo kjo e ka prapavijën e vetë. Kjo ide është iniciuar nga Serbia në mbledhjen e 09. 10. 2019, në Novi Sad, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe të Shqipërisë, në të cilën nuk u ftuan Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, që është në kundërshtim me takimin (procesin) e Berlinit. Prapaskena e këtij takimi në Ohër, në vete mban izolimin dhe homogjenizimin e Serbisë ndaj Kosovës. Nga aspekti politik, Serbia ka për synim izolimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe sigurimin e daljes në portin e Selanikut nëpërmjet Maqedonisë Veriore dhe në portin e Durrësit, nëpërmjet Shqipërisë. Ndërkaq, nga aspekti ekonomik, Serbia tenton të krijoj një treg më të gjerë për plasimin e mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në mënyrë të lirë dhe pa kurrfarë barrierash fiskale, të tregtisë së jashtme e administrative, në këto vende. S’ka dyshim se ky asociacion do të jetë në favor të Serbisë, sepse do të ketë monopol dhe do të dirigjoj politikat zhvillimore ekonomike të vendeve anëtare të tregut unik Ballkanik.

Vendimi i Kosovës, për të mos marrë pjesë në këtë Samit, është i drejtë, i justifikueshëm dhe shumë pozitivë, si politik ashtu dhe ekonomik, me ç’rast tregoi shtetësinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj. Një gjë dihet, kur Serbia merrë iniciativën për formimin e “Mini Schengenit” Ballkanik, ku përfshihet edhe Shqipëria e anash kalohet Kosova, është në favorin e saj e në disfavorin e shqiptarëve. Këtë qëllim të Serbisë nuk e kupton Z. Rama. Ai në fjalën e tij në Samitin e Ohrit, për mos marrjen pjesë të Kosovës, ndër të qera tha: “Nuk ka arsye Kosova pa pritur të vetëperjashtohet”, duke vazhduar: “Nuk është ideja të ndajmë Ballkanin Perëndimor, por t’i përfshimë të gjitha vendet në këtë nismë. E gjithë kjo ka në thelb lëvizjen e lirë të vendeve në Ballkanin Perëndimor”. Z. Rama, nëse është kështu si thoni Ju, pse atëherë në mbledhjen në Novi Sad, ku ishit edhe Ju prezent, nuk e ftuat Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndoshta, sipas Jush këto vende nuk bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor?! Sipas Z. Rama Mbledhja e radhës do të mbahet në Durrës, ku do të mirëpritet edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Kjo është çështje e Shqipërisë, por për ne është e pa pranueshme dhe e pa justifikueshme, si në pikëpamje politike ashtu dhe ekonomike.

I nderuari Kryeministër i Shqipërisë Z. Edi Rama, si mund të bëni apel që Kosova të marr pjesë në mbledhjen e radhës të Samitit të Ohrit në Durrës, ku marinë pjesë dy shtete historikisht armiqësore ndaj shqiptarëve. Kosova nuk mund të marrë pjesë në këtë Samit dhe të bëhet anëtare e “Mini Schengenit”, edhe atë për katër arsye kryesore: Së pari, Serbia, e cila, jo vetëm që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, por ajo në preambullë të Kushtetutës së saj ende e ka “Kosova i Metohija, është krahinë e Serbisë”, kur nëpërmjet “Srpska lista”, përdhozë, territorialitetin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës, kur cepëm cep botës lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, si dhe miton vendet e Azisë e Afrikës për tërheqjen e pranimit të Kosovës si shtet etj. etj. Maqedonia, që në kohën e Jugosllavisë së Titos, ishte ndër të parat që paraprinte marrjen e masave anti shqiptare. Ajo, inicionte rrënimin e mureve të shtëpive shqiptare, ku gjatë rrënimit vdiq shqiptari në Kumanovë, propozonte formimin e paraleleve të përziera shqiptare-maqedone në shkolla të mesme, duke preferua gjuhen maqedone, pasi që maqedonët nuk e din gjuhën shqipe, kurse shqiptarët e din gjuhen maqedone, e nxorri Rezolutën mbi planifikimin e familjes (1987), me modelin një familje me tre fëmijë, dhe sipas së cilës për popullsinë jo shqiptare u proklamua varianti pronatalist, e për popullsinë shqiptare varianti antinatalist. Për fëmijën e katërt, që vlente vetëm për familjet shqiptare, propozoheshin masa ndëshkuese, si: nuk do të gëzonte të drejtën e shtesave të fëmijëve, të shkollimit, punësimit etj. Maqedonia, sikurse edhe Serbia edhe sot e kësaj dite nuk u japin të drejtat elementare kombëtare shqiptarëve që jetojnë në shtetin e tyre. Andaj, duke pasur parasysh atë që u cek më sipër, Ju Z. Rama, Kryeministër i Shqipërisë, me çfarë të drejte morale e kombëtare e ftoni që edhe Kosova të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të kësaj nisme (Samiti), që mbahet në zemër të Shqipërisë në Durrës, e që marrin pjesë këto dy shtete?!. Së dyti, nëse Kosova do të jetë anëtare e këtij Unioni ekonomik si pretendohet të bëhet sipas “Mini Schengenit” Ballkanik, atëherë në bazë të qëndrimeve të tregut unik, me ç’rast Serbia do të plasojë mallin në Kosovë pa kurfarë barierash fiskale, të tregtisë së jashtme dhe administrative. Së treti, Kosova nuk pati dobi, nga asociacionet e më parshme, si që është rasti me Marrëveshjen për Tregti të Lirë për Evropën Juglindore (CEFTA). Edhe pse Kosova ishte anëtare e barabartë e kësaj Marrëveshje, Serbia e pengonte Kosovën që të plasojë mallrat, jo vetëm në Serbi, duke mos pranuar vulat doganore, çertifikaten e cilësisë së mallrave, targat e makinave etj., por edhe në vendet e tjera anëtare të saj. Me siguri, asociacioni që pretendoni ju tri vende ta formoni, do të jetë edhe më i keq dhe me elemente shumë më negative politike dhe ekonomike për Kosovën. Me këtë rast, Kosova nuk do të mund të marrë kurrfarë masash ndëshkuese ekonomike ndaj Serbisë, kurse ajo edhe më tej me sjelljet e saj do të jetë armiku i përbetuar kundër Kosovës (lexo: shqiptarëve). Së katërti, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në proces të pranimit anëtare të BE-së. Ato, në një periudhën të afërt do të pranohen, ndoshta në paket, sikur që ishte rasti me vendet e Evropës Lindore, atëherë çka nevojitet që të formohet një treg unik i këtyre vendeve, kur do të përfshihen në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. No koment.

Z. Rama, Ju si Kryeministër i Shqipërisë, pos interesit të vendit Tuaj (dhe tonit), duhet t’i mbroni edhe interesat e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, sepse keni obligim moral e kombëtar, aq më parë si anëtar të OKB, ku në Këshillin e Sigurimit duhet t’i mbroni interesat gjithëkombëtare. Andaj, nuk është e imja që të përzihem në punët e brendshme të Shqipërisë, e as të Tuajat si Kryeministër, por nëse në damarët e Juaj rrjedhë gjak shqiptari, e duke pasur parasysh të kaluarën dhe të tashmën e dy shteteve me të cilat ju keni marrë nismën për formimin e “Mini Schengenit” Ballkanik, duhet të tërhiqeni nga pjesëmarrja e Juaj në këto mbledhje. Për pjesëmarrjen e Juaj në këto mbledhje, me interes anti shqiptar, duhet të reagojnë edhe institucionet gjegjëse, si dhe institucionet shkencore, individ e OJQ edhe të Shqipërisë. Është për çdo lavdratë, reagimi institucional dhe i OJQ të Kosovës, rreth nismës dhe pjesëmarrjes Tuaj për formimin e një “Mini Schengenit” Ballkanik, që më sa paku, apo më mirë me thënë aspak nuk i nevojitet as Shqipërisë e as Kosovës, sepse kryekëput është kundër interesit të kombit tonë. Kosova me të drejtë refuzoi pjesëmarrjen e saj në këtë Samit dhe asnjëherë nuk duhet ta pranoj si të tillë. Pajtohem me të gjithë ata që janë kundër këtij Samiti, dhe jam kundër, apo më mirë me thënë nuk pajtohem me të gjithë ata që përkrahin pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në këtë asociacion Ballkanik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat