Kriza e pushtetit

Opinione

Kriza e pushtetit

Nga: Afrim Tahiri Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 12:01
Ilustrim

Pushteti i pacënueshëm i drejtësisë është ai garanci e fuqishme e bashkëjetesës në harmoni në mes të shoqërisë dhe të gjitha pushteteve të tjera. Vetëm prishja e këtij balanci sjell krizën e pushtetit. Dhe krizat e tilla kurrë nuk përfundojnë pa largimin-ikjen e pushtetit. Historikisht, lëvizjet janë ato që ngjadhnjejnë mbi çdo pushtet me krizë identitare

Këndvështrimet prej të cilave u qasemi fenomeneve, mënyra e qasjes, sasia e informacionit, pasojat e shkaktuara dhe të trashëguara nga fenomenet, dhe një sërë elementesh të tjerë, bëjnë që, vëllimi i trajtesave të jetë shumëfish më i madh se sa vëllimi i trajtesave të “shkarravitura” për bartësin apo shkaktarin e fonomenit. Sëkëndejmi, zhurma e bartësit të fenomenit është absolutisht shurdhuese në raport me zhurmën që ngritet në përpjekje për ta eliminuar fenomenin. Ç’është e vërteta, në shoqërinë tonë shumë shpesh ngatërrohet fenomeni me dukurinë, sepse, në fakt dukuritë edhe kur shkaktohen ato bëhen me qëllim që të marrin epitetin e fenomenit, si diçka e natyrshme, si diçka që nuk është në fuqinë tonë, ndaj dhe, si diçka që detyrimisht duhet të ndodhë!

Fundloja e dukurisë që “mëton” të marrë trajtat e fenomenit, arrihet përmes krizës identitare të “kujdestarëve” të sëmirës së përgjithshm, përmes humbjes së fillit të së mirës. Kjo krizë identitare i hap udhë krizës së pushtetit dhe – këtu pastaj fillon lufta e domosdoshme e vënies së një rendi të ri, të një pushteti të ri, të një force racionale e cila do të di të përballet, ta eliminojë dhe t’i sanojë të gjitha pasojat e asaj krize të pushtetit.

Kriza e pushtetit nuk mund të vie pa vënë dorë mbi drejtësinë. Kur të kapet drejtësia, kur të gjitha dispozitat ligjore, të gjitha ligjet, të gjitha kodet, të gjithë gjyqtarët e prokurorët do të lidhen si “tespih” në dorën e “mbretit”, kokrrat-rruzat e të cilëve ndërrohen me një gisht, atëherë në zyren e pushtetarit instalohet “liria absolute” e veprimit diktatorial, pushtet ky i cili, pahetueshëm, e konsumon, e shpenzon, duke e sjellë në buzë të çmendisë pushtetmbajtësin.

Kriza e pushtetit, pra, vjen me kapjen e pushtetit të drejtësisë! Kjo bëhet për ta vjelur pushtetin—shoqërinë pa dhënë përgjegjësi-raport para askujt! Qëndrimi më i gjatë në pushtet farkëton dhe e bën të pathyeshëm lakminë për pushtet mbi thesarin e shtetit. Në ndërdie frymon edhe bindja racionale se tani erdhi koha për ikje nga pushteti. Kur ndodë kjo ikje? Vetëm atëher kur pushtetmbajtësi nis e bindet se, ky pushtet që e ka lodhur, do të duhet t’ia kthejë borxhin, t’ia kompensojë këtë lodhje, duke i hapur dyert e thesarit të përgjithshëm. Pushtetmbajtësi nuk ik nga pushteti pa e sakatosu thesarin e shtetit, ndërsa kjo “sakatosje” është proces i gjatë, është si sharrimi i krahut – dhembja e trishtë të plandë gjysëm të vdekur kur të hasë sharra në kockë!

Pra, kriza e pushtetit, kriza e një ideologjie, kriza e një pune të shenjtë, shfaqet në momentin kur shfaqet edhe oreksi për vetëshpagim, kur të pjell djalli në tru e të bindë se, tani ka ardhur koha që t’i shijoshë përfitime nga të qenurit në pushtet dhe nga drejtimi i gjatë i tij. Vetëshpagimi bëhet në mënyrë konkrete, “jo në natyrë” por, në të mira materiale që dalin nga thesari i shtetit, nga pasuria e përgjithshme, nga ajo që më së shumti u takon atyreve që u shërben si pushtetar.

Këtu pastaj zënë fill revoltat gjithëpopullore, zënë fill lëvizjet, të cilat nuk shuhen përderisa nuk merr fund keqmenaxhimi me pushtetin dhe përderisa nuk kryhen reformat e thella dhe gjithëpërfshirëse. Shoqëria sërish duhet të jetojë , e lumtur, e respektuar dhe me dijitet. Pushteti i pacënueshëm i drejtësisë është ai garanci e fuqishme e bashkëjetesës në harmoni në mes të shoqërisë dhe të gjithë pushteteve të tjerë. Vetëm prishja e këtij balanci sjell krizën e pushtetit. Dhe, krizat e tilla kurrë nuk përfundojnë pa largimin-ikjen e pushtetit. Historikisht, lëvizjet janë ato që ngjadhnjejnë mbi çdo pushtet me krizë identitare.

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat