Mini Schengeni, një ide e shkëlqyer në një kontekst jo të përkryer!?

Opinione

Mini Schengeni, një ide e shkëlqyer në një kontekst jo të përkryer!?

Nga: Lirim Begzati Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 15:19
Lirim Begzati

Qarkullimi i lirë i mallrave, i njerëzve, i shërbimeve dhe i kapitaleve janë ndër virtytet kryesore që i gjejmë në iniciativën e shpalosur këtyre ditëve të fundit nga disa protagonistë të politikës ballkanike.

Aty hasim edhe shumë vlera të tjera që përputhen me atë që e vërejmë në funksionimin aktual të Bashkësisë Evropiane (BE). Madje, disa nga parimet e saj teorike na përkujtojnë ca aspekte që ndërlidhen edhe me vlerat, bazamentin dhe historinë e BE.

Jo vetëm se nuk ka asgjë të keqe nga përmbajtja e rregullave të propozuara, por ata edhe iu shkojnë përshtati kërkesave që dalin nga qarqet evropiane, të cilat e përsërisin gjithmonë faktin se integrimi në BE duhet të kalojë paraprakisht dhe domosdoshmërish përmes integrimit rajonal. Qofshin këto thënie, perceptimi i të cilave shpesh ka shkuar në vesh të shurdhër!

Merita e iniciativës është se ajo e prekë thelbin e disa nevojave reale të Ballkanit. Por, konkretizimit të saj praktik i mungojnë parakushtet, i mungojnë shumë gjëra, sa që, ndoshta, ia hapin saj vetëm horizontin e dështimit. Apo, sipas një analize sadopak më optimiste për dikë, ajo do të mund të realizohet dhe implementohet vetëm pjesërisht, duke iu shkuar përshtati interesave të dikujt, dhe vetëm dikujt. 

Fatkeqësisht, megjithëse ambiciet e afishuara, së paku në shqim të parë, e mbajnë ngjyrën e vullnetit të mirë, projekti përkatës vuan nga një e metë e cila lehtë e zbehë vlerën e tij; aleancat e kësaj natyre kërkojnë bashkëpunim të ndërsjellë dhe reciprocitet në kuadër të aplikimit të parimeve të një marrëveshje të propozuar. Nëse për dikë, kjo duket si një kriter veç i realizuar, kjo nuk vlen aspak për dikë tjetër.

Me plotë arsye, Kosova nuk mund të futet në një formulë të propozuar funksionimi, të cilës i mungojnë parakushtet primare. Mungon një etapë e rëndësishme ; derisa Kosova nuk njihet nga dy shtetet potenciale të “Mini Schengenit”, siç janë Serbia dhe Bosnja, duket e paimagjinueshme përfshirja në llojin e marrëveshjeve të ashtuquajtura të bashkëpunimit të cilat, së paku, kërkojnë nga shtetet t’a njohin njëri tjetrin. Në moment, mungon pra parakushti që ka të bëj me njohjen e Kosovës. Një çështje kjo aq e përfolur, po ashtu me plotë arsye, pas jehonës së kësaj nisme.

Pse jo Kroacia dhe Sllovenia ? Nuk ka asnjë befasi për këtë. Madje edhe të kishin pasur një dëshirë të flaktë që të integrohen në projektin përkatës, këto dy shtete do të ballafaqoheshin me rregullat që vijnë nga BE, të cilat nuk besohet se do t’iu lejonin atyre që të futën në këtë “lojë”. Le të mos harrojmë se Kroacia paraqet “kufirin e fundit” të jashtëm të BE me shtetet jo anëtare të Ballkanit perëndimor. Thjeshtë, projekti i shpalosur nuk mund të aplikohet, si i tillë, në kuadër të një bashkëpunimi ndërshtetëror, në mes të shteteve anëtare dhe jo anëtare të BE.

Është diskutabile ajo se çfarë vlere do të kishte, hipotetikisht, një nisëm e cila do t’i përfshinte vetëm tre shtetet iniciuese. Me siguri se askush nuk ka të drejtë me iu a ndalur tyre të bëjnë këtë. Është vështirë të vlerësohen ndërkohë edhe efektet e “koalicionit” përkatës, për të tjerët. Vallë, a do të kishte kjo ndonjë ndikim eventualisht pozitiv për shtetet që nuk përfshihen në marrëveshje? Është kjo një pikëpyetje e madhe, sidomos për interesin e Kosovës. Kalkulime të thjeshta politike e thonë një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat