Çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është punë e kryer, sepse Rugovasit nuk do pajtohen kurrë me humbjen e mbi 8200 hektarëve toka tyre shekullore..!?

Opinione

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk është punë e kryer, sepse Rugovasit nuk do pajtohen kurrë me humbjen e mbi 8200 hektarëve toka tyre shekullore..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 12:43
Rexhep Elezaj

Deklarata e djeshme skandaloze e z. Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, e publikuar në gazetën “Bota Sot” (online) me 16 Nëntor 2019, se: “Çështje e demarkacionit me Malin e Zi është punë e kryer, se Kosova s’e ka humbë asnjë metër tokë, dhe se nuk do të ketë rishikim të marrëveshjes..”, është deklaratë jo e sakët, neveritëse, antikombëtare dhe e papranueshme për mijëra banorë autoktonë të trevës së Rugovës, të cilët kanë humbur me qindra hektarë toka të tyre shekullore, varret e të parëve, livadhe, pyje dhe qindra hektarë kullosa..!?

Isa Mustafa, ishte kryeministër i Kosovës kur e ka vënë nënshkrimin e tij mbi marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, bashkë me Hashim Thaçin, ministër për punë të jashtme dhe Skënder Hysenin, ministër për punë të brendshme, e nënshkruar në Vjenë të Austrisë me 26 gusht 2015, me të cilën Malit të Zi i kanë falur mbi 8200 hektarë toka të trevës së Rugovës, përkatësisht të Kosovës!

Është pikërisht Isa Mustafa, ai i cili për ta ratifikuar këtë marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, (lexo; për t’i falur MZ tokat shqiptare) ka bërë presion të pa parë mbi grupin parlamentar të LDK-së, kryetar i së cilës ishte, duke agjituar dhe lobuar më shumë se kushdo tjetër që ai akt i tradhtisë kombëtare të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, por e cila falë rezistencës, gazit lotsjellës dhe protestave të LVV-je bashkë me AAK-në në sheshet e Prishtinës, Pejës, etj., ratifikimi i kësaj marrëveshje u prolongua për tri vite, ngase I. Mustafa si kryeministër nuk arrinte dot t’i bënte numrat e nevojshëm të deputetëve për ratifikimin e saj në Kuvend..!?

Pra, është vetë I. Mustafa, ai i cili nuk ka lënë gurë pa lëvizur që kjo marrëveshje e tradhtisë së madhe kombëtare, të ratifikohej me çdo kusht në Kuvendin e Kosovës, duke bërë veprime bizare, siç ishte formimi i komisionit në krye me akad. Hivzi Islamin, për matjen e sipërfaqes së Kosovës (çfarë akti i turpshëm), me qëllim për ta lajthitur opinionin e gjerë kosovar, se gjoja me marrëveshjen në fjalë Kosova nuk e humbë asnjë centimetër tokë! Madje pas matjes së sipërfaqes së saj, Kosova na dilte të jetë më e madhe se ajo që ka qenë e definuar me kufijtë e komisionit të Gjillasit në vitin 1945/6..!?

Është I. M., ai i cili e vizitonte shpeshherë komunën e Pejës për t’u akorduar me kryetarin e saj, servilin G. M., për t’i “bindur” banorët e trevës së Rugovës, siç ishte edhe vizita në fshatin Nabërgjan etj., se treva e Rugovës “hë për hë” nuk do të humbte asnjë pëllëmbë tokë..!?

Ishte I. M., vetë ai, i cili në çdo takim zyrtar me ambasadorë të Kuintit në Prishtinë, me zyrtarë të lartë të BE-së në Bruksel dhe në takimet në Berlin, etj., që iu thoshte, se opozita (LVV-AAK) është fajtore për mos ratifikimin e demarkacionit me MZ, ishte I. M., ai i cili hapur i kërcënoi shtatë (7) deputetët e partisë së tij (emrat janë të njohur), të cilët e kundërshtonin ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të dëmshme, madje të cilët gati sa nuk i largoi nga partia ndaj të cilëve edhe u hakmor me rastin e përpilimit të listës për deputet në zgjedhjet e parakohshme në vitin 2017, duke mos i futur fare në listën garuese për deputet, si Shpejtim Bulliqin, ndërsa Vjosa Osmanin do e radhiste diku në vendin e 81-të si dhe veprime tjera skandaloze dhe autokratike..!?

A i shihte I. Mustafa, apo kishte harruar se sa protesta dhe tubime të qytetarëve mbaheshin kundër marrëveshjes së demarkacionit me MZ, të cilat në ato vite i organizonin së bashku banorët e trevës së Rugovës, Podgurit dhe Deçanit, sa e sa thirrje qytetarët ia kishin drejtuar atij dhe qeverisë së Kosovës në kohën kur ai ishte kryeministër, me kërkesën që kjo marrëveshje të mos ratifikohet në Parlament, a e dinte I. M., apo kishte harruar më qëllim, se Peticionin kundër kësaj marrëveshje e kishin nënshkruar mbi 220.000 qytetarë të Kosovës të cilin e kishin dorëzuar në zyrat e qeverisë së tij, dhe, a ka harruar I. M. se Komisioni shtetëror për menaxhimin dhe ruajtjen e kufirit, i udhëhequr nga Prof. Dr. Shpejtim Bulliqi, në raportin e tij prej 700 faqesh kishte gjetur me qindra fakte dhe dokumente me të cilat dëshmohej se ishte shkelur Kushtetuta e Kosovës, siç argumentohej fuqishëm se kufiri me MZ është në Çakorr dhe Kullë, e jo në Kuçishtë dhe Savinovodë 5 deri 8 km brenda territorit të Kosovës sipas marrëveshjes së nënshkruar nga vetë I. Mustafa, apo të gjitha këto fakte dhe protesta të vazhdueshme që vinin nga banorët e trevës së Rugovës, Podgurit dhe Deçanit, na paskan qenë punë koti dhe vetëm sa për të bërë zhurmë..!?

Unë, bashkë me dhjetëra gazetarë, publicist, intelektualë, inxhinierë profesionist si dhe ekspert nga fusha e gjeodezisë, gjeografisë, kadastrave, etj., kemi bërë me qindra reagime në mjetet e informimit publik, TV dhe në rrjetet sociale, por edhe si njëri nga banorët autokton nga fshati Haxhaj, që shtrihet buzë kufirit me MZ, i kemi ftuar vazhdimisht ata që kishin dyshime për vendndodhjen e kufirit të vijnë në vendin e ngjarjes që t’iu tregojmë (live) se ku është kufiri i njohur ndërkombëtarisht me MZ edhe sipas Komisionit të Badinterit të vitit 1991, dhe sa kilometra kishte hyrë brenda fshatit tonë kufiri sipas kësaj marrëveshje, gjithnjë sipas komisionit të Murat Mehës, por askush, përfshirë edhe I. Mustafën, nuk i është përgjigjur ftesave tona..!?

Si është e mundur që një (ish)kryeministër, si I. Mustafa, të mos e sheh të nevojshme që të dalë me ekipin e tij për ta pa me sy gjithë zonën kufitare, të bisedojë me banorët dhe pronarët e tokave, etj., veçse nga zyra e tij në Prishtinë t’ia caktoi Kosovës kufijtë e ri me MZ, duke i besuar një komisioni injorantësh siç ishte ai i M. Mehës, i cili në vend se ta bënte vetëm shënjimin e kufirit ekzistues aq sa edhe ishte i autorizuar, ai do e caktoi kufirin e ri  sipas orekseve të komisionit malazez dhe në dëm të integritetit territorial të Kosovës, e që ishte gabim fatal për shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Në fakt ishte tradhtia më e madhe kombëtare në historinë tragjike të popullit shqiptar në Kosovë gjatë shekullit të fundit..!?

Prandaj, çështje e demarkacionit me Malin e Zi, ende nuk ka përfunduar, derisa kufiri domosdo do të kthehet aty ku ka qenë për më shumë se 80 vite, mbase sipas vetë dokumenteve zyrtare serbo-malazeze..!?

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat