Rrenat patriotike në funksion të Serbisë së Madhe të treshes Vuçiq-Thaçi-Rama!

Opinione

Rrenat patriotike në funksion të Serbisë së Madhe të treshes Vuçiq-Thaçi-Rama!

Nga: Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më: 18 nëntor 2019 Në ora: 20:15
Hashim Thaçi, Edi Rama, Aleksander Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Në jetën shoqërore ndeshen disa lloje rrencash dhe rrenash. Rrenat e ashtuquajtura të bardha quhen të padëmshme. Pastaj vijnë rrenat prej zorit. Këto bëhen në formën e mohimit, mos kallëzimit të së vërtetës për t’i shpëtuar një ndëshkimi juridik, penal a civil, ose për t’iu shmangur opinionit publik. Por ka edhe rrena pa paramendim, me dëshirën dhe vullnetin që të bëhet diçka e mirë. Rrugës dalin pengesa dhe për pasojë premtimi nuk realizohet. Kësaj i thonë rrenë për mosrespektimin e kohës së realizimit të fjalës që ke dhënë. Në këtë rast bëhesh i pabesueshëm, sepse më e pakta “rrenci” nuk është i aftë të përcaktojë çfarë dhe kur mund ta realizojë një ide, një projekt, një program, në premtim.

Por në kohët tona janë shtuar rrencat profesionistë. Këta rrenca as skuqen, as zverdhen, madje përpiqen që rrenës së parë t’ia shtojnë të dytën, të tretën dhe nëse u ecën edhe të shtatën. Këtyre rrena e vet u duket si ilaç i mbijetesës. Këta lloj rrencash janë shumë të rrezikshëm, sepse nuk njohin kufi e shkojnë deri në tradhti. Më në fund fillojnë dhe besojnë rrenat e veta. Rrencat profesionistë shpesh herë konsiderohen si rrena ‘bio’, sepse prodhojnë rrena pa fund, fantazojnë aq shumë sa krijojnë zinxhir rrenash, shpikin një rrenë më të vogël për të fshehur një vepër kriminale deri në tradhti ndaj atdheut e kombit.

Nëse e keni vënë re sjelljen p.sh të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, atëherë do të keni vënë re se rrejnë në ditën me diell dhe nuk u ndryshon ngjyra e fytyrës. As nuk skuqen, as nuk zverdhen, vetëm nxihen. E njëjta u ndodh edhe kur i bashkohen rrenës patriotike serbe për të cilën shkruan akademiku Dobrica Qosiç. Hashimi e Edi, por edhe si Batoni, janë ende shumë të rrezikshëm, shumë problematikë dhe vijojnë të shkaktojnë plagë të mëdha shoqërore dhe kombëtare. Duket se ata vazhdojnë lojën e mashtrimit për ndryshimin e kufijve të në rajon.

Image

Përmes një zinxhiri mashtrimesh, rrenash dhe intrigash vazhdon përpjekja e tyre dhe e Aleksandër Vuçiq për shkëmbime territoresh dhe ndarjen e Kosovës. Ish-zyrtari i DASH, James Hooper, deklaroi para tri ditësh në Zëri i Amerikës se ekziston marrëveshja Kosovë – Serbi për shkëmbimin e territoreve dhe se tani çeshtja është zbatimi i saj. Sipas tij, Vuçiq dhe Thaçi tashmë e kanë një marrëveshje, ndaj dhe ata kanë rënë dakord që dialogu të rifillonte pa kushte. Hooper i bën thirrje Albin Kurtit që ta marrë në konsideratë marrëveshjen midis Thaçit dhe Vuçiq, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se Kosova do të përfitonte anëtarësimin në OKB.

Në të vërtetë mashtrimi qëndron pikërisht te joshja e Prishtinës me përfitimin e asaj që quhet anëtarësim në OKB. Ndërkaq që Thaçi dhe Vuçiq u takuan së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili e joshi presidentin e Kosovës me liberalizimin e vizave në këmbim të nënshkrimit të tjetërsimit të territorit të Kosovës në favor të Serbisë. Rrjeti i rrenave për ta promovuar një marrëveshje të tillë me Serbinë është zgjeruar shumë. Gjatë një dalje publike të Vjosa Osmanit në Opioninin e Fevziut, ky i fundit tejkaloi përpjekjet e Baton Haxhiut për të promovuar dobitë e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, por fatmirësisht mori përgjigje logjike nga bashkëbiseduesja.

James Hooper gjithashtu duket si i është shtuar këtij rrjeti rrenash. Jo për atë që thotë se marrëveshja tashmë është arritur. Por se thotë që Kosova do të përfitojë ulëse në OKB. Ndarja e Kosovës ka për qëllim pikërisht evitimin e kësaj ulëseje. Nëse Kosova ndahet, atëherë asaj do ia japë lejen Beogradi të bashkohet me Shqipërinë e për pasojë nuk do të ketë më Kosovë, as shtet kosovar, as ulëse në OKB. Pikërisht për këtë arsye kolegu i Hooper në SHBA, ambasadori Edward Joseph , ish-kreu i OSBE-së në Kosovë, theksonte se Albin Kurti “Do t’i japë një vrull të ri bisedimeve me Serbinë dhe mund ta ndryshojë pozicionin e Hashim Thaçit” Dhe se ‘Unë jam i gëzuar që shkëmbimi i territoreve po zhbëhet si zgjidhje, pasi do të ishte fatkeqësi për të dyja palët, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët”.

Kujt mund t’i besohet, Hooper apo Joseph? Kjo në fakt nuk ka rëndësi. Por Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në iniciativat e tij të mbështetjes së Vuçiq nuk mund t’u besohet. Këta të dy janë rrenca “bio”, rrenca patriotë për interesat serbe! Këta rrenat nuk i lëshojnë nga zori, por i planifikojnë, i sofistikojnë, i përpunojnë dhe i përhapin me mjeshtri dhe vetëdije të plotë. Dhe të gjitha i kanë rrena në funksion të realizimit të projekteve antishqiptare të Beogradit. Këta, edhe kur gjithë bota u vihet në shpinë me kritika, vazhdojnë lojën e tyre në funksion të idesë serbe të ndarjes së Kosovës, ose krijimit të një jugosllavie të re. Atë që nuk mundën ta realizojnë Vlladan Gjorgjeviç, Nikolla Pashiç, Vasa Çubrilloviç, Ivo Andriç, Aleksandër Rankoviç dhe Sllobodan Millosheviç, por e realizon me ndihmën e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës presidenti i sotëm serb, Aleksandër Vuçiq. Gjithçka përmes rrenës patriotike ”bio” të serbëve, për të cilën Qosiq shkruante se “është rrenë e bardhë në shërbim të interesave të Serbisë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat