Kjo është sëmundja e pashërueshme nga e cila vuan Endrit Thaçi

Opinione

Kjo është sëmundja e pashërueshme nga e cila vuan Endrit Thaçi

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 19 nëntor 2019 Në ora: 17:41
Endrit dhe Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

E diela e javës që shkoi ishte ditë feste. Qyteti i mbushur plot e përplot me anglezë. Po e mbyllnim një vit të suksesshëm në futboll, me Kosovën që na e kënaqi zemrën me rezultate të mira, me lojë të mira, e na mbushi me ëndrra.

Atë ditë u zgjova disi i përtërirë nga gajlet e jetës dhe pashë se njëra çorape më ishte shqyer. Shëndosh, e marrshin të ligat. I mbatha të rejat.

Por, ditën ma prishi kamera televizive që në ndeshjen e Kosovës me Anglinë, e qiti fytyrën e të ashtuquajturit president, Hashim Thaçit që ndodhej në tribunën V.I.P. të stadiumit bashkë me të birin. Ne të vegjlit u bëmë lëmsh të gjenim një biletë normale, e ja që Hashimi me të birin ndodhej aty, si VIP, dhe i pispillosur po e këqyrte lojën. Babë e birë, të ngjyer mirë e mirë me luks, po këqyreshin më shumë se po këqyrnin. S’ishin ata për futboll aty, ishin që të dukeshin.

Mediat të nesërmen raportuan se ora e Endrit Zezës, djalit të Thaçit, kushtonte 7 mijë e kusur euro. Është fjala për një orë të dorës, për një sahat që e kallëzon kohën. Por, ashtu si ora, edhe koha e Endritit dhe babait të tij është e shtrenjtë, peshon shumë; nuk është si e ne të vegjëlve.

Mu kujtuan çorapet e shqyera. Mu kujtua vetja para televizorit. Por, edhe ora e Endritit. Hamendësova, sa aksesorë, sa çorapet e mira i kishin, sa pantallonat e bukura, sa parfumet, sa xhaketat e këmishët. Sa shumë kamje nga familja e presidentit në një vend me skamje. Në një vend çorapeshqyerish. Në një vend baksuzësh që fati iu dha njerëz të pangirë në krye.

Mendova se kisha qëlluar në thelb të korrupsionit. Ishte bash kjo lakmi e pakontrolluar, e shfrenuar, për orën 7 mijë euro, për çorape dy-treqind, për këmisha njëmijë, për parfume dymijë – ajo që i çoi këta njerëz kah veprimet e zeza që na e kallën fatin tonë, na e bënë shkrumb e hi.

Ora e Endritit vlente sa 31 rroga punëtorësh të pastrimit për një muaj. Punëtorët e pastrimit na e fshinin qytetin, na hiqnin bërllokun me 230 euro në muaj. Plus kësaj, përqesheshin nga qytetarët. E Endriti çka bën? Ai e bën ata bërllok, por çfarë bërlloku se, bërllok luksi. Edhe pordhat e tij duhet të jenë të një kualiteti të madh, më të ndryshëm se tonat.

Ora e djalit të presidentit vlente sa 24 rroga mesatare gazetarësh (po e zëmë që kaq është mesatarja). Me rrogën e tij, një mësues e mbante familjen e tij për dy vjet. Domethënë, e ushqen gojën e tij dhe gojët e familjarëve të tij.

Por, a i han palla Endritit? Jo. Ashtu siç nuk i han as të atit të tij.

Po flasim për luks, o njerëz të rëndomtë. Po flasim për luks të shfrenuar. Po flasim për një obsesion, një sëmundje që nuk shërohet lehtë. S’ka këtu kurrfarë konspiracioni, gjërat janë të thjeshta: nëse shkon në Milano a në Barcelonë, në Paris a në Gjenevë dhe e sheh ndonjë gjë të shtrenjtë që të pëlqen, ti e blen. Vuan për të. Të vjen të qash. Nëse nuk e ke, ndihesh më i varfër se një varfanjak që nuk ka as bukë në sofër.

Luksi nuk është një fjalë veç hajt. Luksi është sëmundje që nuk ka shërim. Luksi kërkon përmbushje. Egërsisht bile. Çka do të ndodhte nëse Endriti nuk do ta blinte atë orë të shtrenjtë? Me siguri do të çmendej. Ku i dihet. Sepse, ky rod i njerëzve tashmë nuk ka ndonjë ideal, nuk ka ndonjë empati, ekziston i strukur totalisht në gjërat materiale, si një viktimë e dëshirave që i vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat