Ofertat e partive politike për zgjedhjet e 12 prillit - Bota Sot
Ofertat e partive politike për zgjedhjet e 12 prillit

Opinione

Ofertat e partive politike për zgjedhjet e 12 prillit

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 19:53
Hamdi Nuhiju

Edhe pse duket se është herët për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara që të mbahen për me 12 prill të vitit 2020, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë ndërmarr disa aktivitete dhe masa duke shpalosur para opinionit ofertat e tyre. Në këtë mënyrë, secila prej partive politike shqiptare po mundohet që ta marr hapin para partive tjera duke tentuar që të qenë sa më prezent në medie përmes ideve dhe programeve të cilat sipas tyre janë më të duhurat.

Partitë politike shqiptare në momentin e përgatitjes për t`u futur në garën e 12 prillit të vitit 2020, përveç sfidave dhe problemeve të mëdha që janë duke i preokupuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kanë edhe një problem jetik dhe përmbajtjesor sikur ai i shpërnguljes së të rinjve. Theksi vendoset tek shpërngulja ngaqë brenga e popullatës, por edhe e disa partive politike shqiptare është mu aty. Kur njerëzit shpërngulen dhe nuk kanë qëndrim të përhershëm në Maqedoni, atëherë përveç numrit të popullatës, zvogëlohet edhe numri i votuesve potencial që do të shkonin në llogarinë e partive politike shqiptare.

Po përcjelli dhe po lexoj opinione dhe debate të ndryshme në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Përveç Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët që kanë shpalosur një koncept paraprak për zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020, deri më tani prej partive tjera politike shqiptare nuk kemi dëgjuar dhe nuk kemi parë asnjë program e as ofertë të qartë për atë se si do t`i bindnin votuesit ditën e votimeve.

Nga partia Alternativa e shpalosën idenë ‘Vatra Jonë-Alternativa Jonë’ ku përmes takimeve të përditshme nëpër të gjitha ambientet shqiptare në Maqedoninë e Veriut diskutohet dhe debatohet haptas problemi i shpërnguljes së shqiptarëve si dhe zgjidhjet e mundshme për parandalimin e këtij fenomeni. Alternativa ka arritur që t`i senzibiloje strukturat dhe opinionin shqiptarë në Maqedoninë e Veriut me temën e cila është mjaft e ndjeshme për të gjithë. Si dhe ka ndërmarr disa hapa konkret në përgatitjen e ideve për gjetjen e zgjidhjeve për këtë problem.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka shpalosur ofertën e kësaj partie që përmban brengën esenciale të partisë Alternativa, e që është shpërngulja e të rinjve, duke shkuar një hap më konkretisht në opinion dhe shpalosur tre shtyllat me rëndësi sipas tyre për parandalimin e kësaj: arsimimin, shëndetësinë dhe sistemin e drejtësisë. Se si do të materializohen këto ide të Alternativës, po edhe të Aleancës për Shqiptarët, për lexuesin dhe dëgjuesin e vëmendshëm të ngjarjeve politike në vend nuk është shumë e qartë.

BDI-ja nëpër debatet televizive po mundohet që situatën politike dhe ekonomike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ta paraqes në mënyrën më të mirë. Sipas këtij subjekti politik, për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është bërë mjaft, janë përmendur disa asfaltime të rrugëve, e disa projekte nga Ministria e Kulturës të realizuara nga kuadri i Partisë Alternativa , si të arritura të mëdha të BDI-së. Në pyetjen, çka më tutje, sipas BDI-së, nënkuptohet kjo gjë nga elektorati shqiptar.

RDK dhe Vesel Memedi po merret me zgjedhjen me aklamacion të kryetarëve të degëve dhe të kryesisë së saj, ndërsa nga Lëvizja Besa po shohim zhurmë të përditshme në opinion. PDSH-ja në këtë periudhë të vitit është krejtësisht e padukshme.

Ali Ahmeti disa herë është marr me opozitën shqiptare në Maqedoni duke kundërshtuar copëzimin e votës shqiptare sipas tij.

Analisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti iu përgjigj akuzave të këtilla të Ali Ahmetit në një deklaratë për syri.net duke thënë ndërmjet tjerash se pikërisht kur BDI-ja ishte e fortë, shqiptarët ishin tepër të dobët, tash kur BDI-ja është e dobët, shqiptarët janë forcuar dukshëm.

Megjithatë, nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, në një intervistë në Pressing në T7 përmendi gabimin më të madh të LSDM-së sipas tij, e që është mbajtja gjallë e BDI-së. Zekiri deklaroi se pa bashkimin e opozitës shqiptare, do të ishte tejet e vështirë që BDI-ja të rrëzohej, ndërsa për zgjedhjet e 12 prillit, ai premtoi se në pozita për t`u bërë deputet shqiptar nga LSDM-ja do të ketë më shumë persona sesa tani.

Ofertat e partive politike shqiptare nuk janë zyrtare, por mund të themi se edhe në momentin e zyrtarizimit, elementet kryesore të atyre ofertave do të janë këto. Sulmet ndërmjet tyre tashmë janë bërë normale, pritet rritja e nivelit të sulmeve.

Opinioni është i vetëdijshëm se me 12 prill të vitit 2020 mund që ta bëje ndryshimin e madh duke përmbysur të keqen dhe çliruar përfundimisht popullin shqiptar nga kthetrat e politikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat