Lustrim urgjent për Ilir Metën

Opinione

Lustrim urgjent për Ilir Metën

Nga: Andi Rakipi Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 11:01
Andi Rakipi dhe Ilir Meta

Çka do të ndodhte nëse do të ushtrohej një lustrim vetingu mbi figurën e Ilir Metës? Si shqiptarë do të bëheshim gaz i botës! Si shtet do të dëshmonim që nuk e kemi vendin në mesin e familjes së madhe europiane. Si politikë do të dëshmonim se qysh në kreun më të lartë të shtetit jemi të kriminalizuar dhe të denjë për një karantinë që e lehtëson kthimin deri në fazën e tabulla rasës, aq shumë të nevojshme për ne si etni

Kryetari i shtetit kundër të gjitha institucioneve të shtetit! Kryetari i shtetit kur t’i dojë qejfi shpall datë për zgjedhje parlamentare e lokale, kur t’i dojë qejfi i anulon datat dhe nxjerr data të reja! Kush nuk e dëgjon do të përballet me video inçizime, me mesazhe telefonike e me afera politike! Nëse nuk ia miratojnë politikën ndërkombëtarët, sakaq do të shpallen “leckë” të Edi Ramës (në kuptimin e prezervativit!) Kryetari ynë i shtetit e ka këtë guxim! Kryetari i shtetit tonë, sirtaret i ka përplotë me video inçizime të figurave të ndryshme duke bërë dashuri me politikane! Ne, kryetarin e shtetit e paskemi operator kurse Presidencën studio private televizive!

Sapo e paska zënë “Katicën” e Shqipërisë (duke aluduar në Katica Janevën, ish-prokuroren speciale të Republikës së Maqedonisë së Veriut). Me “Katica” Ilir Meta nënkupton kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, z. Ardian Dvoranin! Katicën e futi në kurthin e gjahtarit “Boki 13”, një transfestit i cili, përmes medias së vet private, ka arritur të ngjitet deri në majat e politikanëve të Maqedonisë së Veriut dhe më gjërë. Boki 13 është sinonim i zhvatjes dhe i haraçit, sinonim i kapjes mafioze të drejtësisë. Çka i lë mangut këtij farë Boki 13 presidenti ynë, Ilir Meta? Asgjë! Kohëve të fundit po sillet në mënyrë tipike si Boki 13, i cili, fatmirësisht, tashmë po dergjet burgjeve të Maqedonisë së Veriut!

Ilir Meta, kush ia “kallë datën” menjëherë e shpall persona “non grata”! Përfaqësuesin më të lartë të OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Borchard, nuk e lë të futet në pallatin presidencial, sepse e paska kritikuar për shpalljen jo të ligjshme të datës së zgjedhjeve lokale, si dhe pse ia paska nxjerrë gishtin e mesit protestuesve të “Astirit”! Në mesin e asaj turme mbase është gjendur ndonjë provokatorë i nxitur nga soji i Ilir Metës i cili mund ta ketë sharë e ofenduar rëndë, gjë që e ka nxitur në veprim të pamatur njeriun e gjallë, siç është z. Bernd Borchardt! Asnjë politikan në Shqipëri, qoftë vendor apo i huaj, nuk është shpërfytyruar në qenie jonjerëzore më rëndë se Ilir Meta kur ka qenë i provokuar. Shpërfytyrimi i tij ka qenë i atyre përmasave sa ai e ka merituar vendin që moti në ndonjë repart të psikiatrisë, i lidhur me këmishë çmendie, e jo në Presidencë!

Ilir Meta po përballet me procesin e shkarkimit, të largimit nga posti i kryetarit të shtetit, sepse, tashmë e ka mbushur kupën! Ilir Meta pa dyshim që është nën llupën e shërbimit intelegjent të vendit dhe miqve shqiptarë të këtij shërbimi! Ilir Meta nuk mund ta shpallë person non grata ambasadorin europian kurse t’i japë nënshtetësi dhe ta pranojë në pallatin presidencial, po atë ditë, njeriun që është në proces gjyqësor për një gamë të gjërë veprimesh kriminale! Në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si instrument për paqen” e cila po mbahet nën patronatin e z. Ilir Metes, ai ka ftuar edhe Sulejman Rexhepin, kreun e BFI të Maqedonisë së Veriut, madje me të del në foto siç nuk ka dalur ndonjëherë me Monikën, ndërkohë që kundër tij janë ngritur disa procese gjyqësore për veprimtari kriminale dhe për kriminalizim të Bashkësisë Fetare Islame në RMV.

Me të drejtë këtyre ditëve u botua një shkrim që trajtonte pikërisht problemin e shërbimeve tona kombëtare intelegjente në ruajtjen e pastërtisë së figurës të krerëve tanë politikë nga persona që “infiltrohen” apo kontrabandohen deri te bota jonë politike përmes sekserëve të cilët gjithësesi që mbajnë lidhje të fuqishme me politikanët tanë. Në shënjestër të pikados e kishin vënë pikërisht Ilir Metën dhe lidhjen e tij me Sulejman Rexhepin, të cilin na e paskësh dekoruar dhe me “Urdhëri i Kalorësit të Skënderbeut”! Dhjetë ditë para këtij dekorimi, ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Sulejman Rexhepit, z. Afrim Tahiri, i drejtohet me letër të hapur z. Ilir Metës që mos ta dekorojë bashkëpunëtorin e UDB-së, të njohur me nofkën policore “Zharko” (Prushi), i cili tërë karrierën e vet fetare e paska zhvilluar në luftë kundër “nacionalizmit dhe seperatzmit shqiptar”, luftë kjo e udhëhequr nga politikat raciste serbomëdha (https://shqiptarja.com/lajm/maqedoni-ish-sekretari-i-bfi-br-afrim-tahiri-leter-publike-ilir-metes-br)! Ilir Metës i janë dorëzuar publikisht, përmes kësaj letre të hapur, dhjetra fakte që dëshmojnë për ekzistimin e botës së tmerrshme kriminale të Sulejman Rexhepit! I njëjti këto ditë u dekorua edhe “ambasador i paqes” nga disa matrapazë shumë të afërt me Ilir Metën. Të gjitha këto veprime duhet të inicojnë edhe një analizim të veprimeve të Ilir Metës në keqpërdorimin e detyrës dhe të pozitës shtetërore, sidomos në kontrabandimin e institucionit të dekoratave presidenciale. Këto dekorata po shiten. Po  (hetohet Lulzim Bash e Edi Rama për fotografim të paguar me presidentit amerikan. Po ky Ilir Meta që shet tituj e dekorata?! Kontrollimi i kësaj “veprimtarie” do të zbardhte skandale të turpshme të Iir Metës, i cili, ka shkuar aq larg sa, tashmë kërcënohet edhe me video inçizime? Moralin dhe dinjitetin Enver Hoxha ua ka ruajtur edhe prostitutave më të thjeshta. Po ky? Ky që kërcënohet me video inçizime; që u kërcënohet politikanëve, punë kjo e denjë për nëtokën e mafias?! Kjo deri më sot nuk i ka shkuar ndorësh as diktatorëve më kriminelë të njerëzimit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat