Klerikët e politikës

Opinione

Klerikët e politikës

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 18:26
Abdulla Mehmeti

Drejtuesit e subjekteve politike nuk duhet të komunikojnë me qytetarët si klerikë dhe me metoda si predikuesit e feve që i frikësojnë njerëzit në emër të Zotit, këta politikanët t’i frikësuar qytetarët në emër të shtetit.

Çfarë i duhet një subjekti politik që ta vlerësojë drejtë gjendjen e shoqërisë ku vepron, që të ndërmerr masa të nevojshme dhe efikase për zgjidhjen e problemeve, apo duhet të vetëmjaftohet kur drejtuesit e atij subjekti komunikojnë nga distanca me qytetarët, zakonisht përmes deklaratave paushalle, debateve shterpe në medie dhe analizave të thata, të cilat gati gjithmonë shkaktojnë huti, paqartësi dhe mosbesim tek qytetarët?

Gjendja e një shoqërie shihet dhe vlerësohet saktë duke qëndruar e vepruar mes qytetarëve, në vendbanimet e tyre, në institucione dhe ndërmarrje, në treg, në manifestime, dasma e mort, në komunikim me qytetarë nga shtresa të ndryshme, tubime dhe biseda të shtruara me qytetarë, pavarësisht nëse janë apo nuk janë anëtarë të atij subjekti politik.

Drejtuesit e një subjekti politik të interesuar për ndryshimin e gjendjes ekzistuese duhet sa më shumë të qëndrojnë afër qytetarëve, të kuvendojnë hapur për të gjitha problemet dhe të marrin mendimet, vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre.

Pasi të sigurohen sa më tepër informacione dhe të dhëna nga qytetarët në terren, që të krijohet pasqyrë sa më reale për gjendjen e qytetarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi, puna e organeve të subjektit politik përkatës duhet të vazhdojë në zyrat e punës dhe kabinete, për përpunimin e të dhënave, përgatitjen e analiza të hollësishme dhe sjelljen e përfundimeve në lidhje me çështje të caktuara, duke e përcaktuar edhe mënyrën e zgjidhjes sa më efikase të tyre dhe në afate optimale, varësisht nga kapacitetet e subjektit, resurset kadrovike, materiale dhe financiare, duke i studiuar në mënyrë të detajuar edhe rrethanat në të cilat mund të punohet dhe duhet të veprohet.

Pas përshkrimit dhe konstatimit të saktë të gjendjes, të zgjedhjes së masave të cilat mund të ndërmerren në lidhje me ndryshimin e saj në sfera të caktuara, duhet të përgatiten dhe ekiporen individë të caktuar në bazë të përgatitjes së tyre profesionale, sipas peshës së problemeve që duhet të zgjidhen përcaktohen edhe afatet kohore dhe vlerësohet momenti më i përshtatshëm për ndërmarrjen e aktiviteteve dhe veprimeve në lidhje me këto çështje.

Në secilën fazë të aktiviteteve përkatëse duhet të organizohen konsultime profesionale, të jepen mendime dhe sugjerime dhe sipas nevojës të ndryshohen metodat e punës, strategjia e veprimit, numri i pjesëmarrësve, mjetet, metodat dhe taktika e realizimit të tyre.

Problemet e grumbulluara për një kohë më të gjatë duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë, të ndara sipas peshës së tyre dhe duhet të zgjidhen sipas radhës dhe dinamikës së përcaktuar me plane të punës dhe veprimit. Për secilin hap të ndërmarrë duhet të njoftohen organet më të larta të subjektit politik, që të japin mendimet e tyre, apo të bëjnë vlerësimin për kahen e duhur, apo dështimet e mundshme deri në realizimin e plotë të tyre.

Me përgatitjen e planeve të përgjithshme, strategjisë dhe planeve të veçanta të veprimit, duhet të merren personat me kompetencë profesionale, të cilëve u janë besuar detyre me përgjegjësi të lartë në një subjekt politik, si edhe për zbatimin e detyrave përkatëse, realizimin e aktiviteteve në institucionet e pushtetit, forumet përkatëse, apo aty ku duhet të kërkohet zgjidhja e një problemi, duhet të angazhohen njerëz kompetentë dhe me përvojë, të cilët gëzojnë nivel besueshmërie në organet drejtues të subjektit politik përkatës, por edhe autoritet para organeve ku duhet të diskutohen dhe zgjidhen problemet.

Kjo është rruga më e drejtë, e natyrshme dhe dobiprurëse për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, apo të drejtave kolektive të një populli, kur ato vazhdojnë të shkelen, mohohen dhe nëpërkëmben nga pushteti i një vendi.

Përvoja e derisotme e lëvizjes politike të shqiptarëve në përgjithësi dhe e partive politike në veçanti, fatkeqësisht e ka dëshmuar të kundërtën e kësaj qasje ndaj problemeve ekzistuese, mundësive, vullnetit dhe përkushtimit për zgjidhjen e tyre.

Veprimet në mënyrë stihike, pa strategji të qartë dhe plane konkrete veprimi, asnjëherë dhe nga asnjë subjekti politik nuk mund të sjellin suksese, rezultate konkrete dhe ndryshime.

Përfundimisht, realiteti që nuk njihet mirë, saktë dhe qartë, asnjëherë edhe nuk mund të ndryshohet. Komunikimi me qytetarët vetëm përmes medieve, apo përmes megafonave lokalë të partisë për propagandë në terren dhe mes qytetarëve, me metoda dhe teknika të agjitacionit politik, përherë i dëmtojnë interesat e qytetarëve që i përfaqësojnë, por edhe vetë subjektet politike. Prandaj edhe ka shumë papërgjegjësi, dështime dhe vonesa, që reflektojnë edhe me nivel tepër të ulët të besueshmërisë te qytetarët ndaj subjekteve politike, rrjedhimisht edhe ndaj pushtetit në të cilin marrin pjesë këto subjekte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat