Pse duhet të zgjidhet Presidenti nga qytetarët

Opinione

Pse duhet të zgjidhet Presidenti nga qytetarët

Nga: Adem Shala Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 15:14
Adem Shala

Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit, është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë, dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutën. Kompetencat  dhe  përgjegjësitë në procesin qeverisës të këtij institucioni [Nenin 84 të Kapitullit V], paraqesin kompetenca tejet të avancuara në sasi dhe në cilësi. Për ta krye me sukses rolin-efektet, funksionet dhe përgjegjësitë, Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërsëdrejti nga qytetarët ngase: procesi  i  zgjedhjes  se  Presidentit nga Kuvendi  po has në vështirësi në sigurimin e shumicës në Parlament si rezultat i raporteve në mes të subjekteve politike dhe vështirësive për të krijuar pozitën, si dhe faktit se, partitë po e përdorin si mjet për krijimin e kualicioneve paszgjedhore. Si rezultat i gjithë kësaj nuk po përfillen sa duhet cilësitë e përshtatshme, vlerat dhe karakteristikat që duhet t’i ketë kandidati për President, me pasojat përcjellëse. Si rrjedhojë e kësaj, vazhdimisht janë shfaqur edhe vështirësi në zgjedhjen e Presidentit. Problem dhe zgjidhje e papërshtatshme paraqet edhe shpërndarja e Kuvendit-nëse, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës as në votimin  e tretë; Pra, caktimi i kandidatit nga kualicionet paszgjedhore për të kriju pozitën, po krijojnë  vështirësi në zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti dhe po e pamundësojnë  zgjedhjen e kandidatit cilësor për president. Të gjitha këto,  e  arsyetojnë propozimin dhe  kërkesën  për  zgjedhje  të  tij/saj  të  drejtpërdrejtë  nga  qytetaret, e jo nga Parlamenti.

Roli unifikues, përfaqësues dhe i forcimit të kohezionit të shoqërisë kosovare që ka presidenti, kërkon zgjedhjen e drejtpërdrejtë të tij nga votuesit e jo nga parlamenti. I zgjedhur nga qytetarët, si udhëheqës plebishitar, jashtë ndikimit ekstrem të ngushtë grupor e partiak në parlament, është më legjitim, më efikas dhe më efektiv në funksionet, kompetencat dhe përgjegjësitë e tij. I zgjedhur nga qytetaret, presidenti me këto kompetenca ekzistuese do ishtë një faktor stabilizues. Pra, kompetencat dhe përgjegjësitë e tanishme të jenë të njëjtat, por vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë nga qytetaret, do të kishte refleksione shumë më pozitive në procesin efektiv qeverisës e institucional.

Mënyra e tanishme e zgjidhjes  është e papërshtatshme. Edhe mënyra e zgjedhjes për herën e tretë (61-vota) është e ngushtë për legjitimitet dhe efektivitet të Presidentit. Mënyra ekzistuese po i mundëson pozitës të kandidojë kandidatë më orientim të ngushtë partiak e klanor, e jo të përshtatshëm për rolin dhe funksionin që parasheh Kushtetuta. Zgjedhja e kandidatit sipas mënyrës së tanishme është një grumbull mekanik i votave dhe pazar ndërpartiak i koalicioneve  për të krijuar pozitën,  pa përfillur vlerat dhe cilësitë e duhura të  kandidatit për atë funksion. Njëkohësisht, edhe shpërndarja e Kuvendit dhe përsëritja e zgjedhjeve ne rast të mos votimit të presidentit nga kuvendi, është e papërshtatshme. Zgjedhja nga qytetaret-votuesit, do ti detyron subjektet të dalin me kandidatë më unifikues dhe me cilësor.

Modeli qeverisës i Kosovës, si qeverisje parlamentare me sistem elektoral proporcional po sjell vështirësi vendimmarrëse në procesin qeverisës dhe në veçanti në formimin e institucioneve-pozitës menjëherë pas zgjedhjeve.  Sistemi zgjedhor proporcional ka rezultuar në shumëpartizëm, me parti jo të medha. Kjo praktikë e zvogëlon sadopak dominimin e një partie masive në dukuritë  negative parti-shtet dhe në polarizim e konfrontim ekstrem të dy partive kryesore. Por, si pozita në istitucione ashtu edhe opozita është e fragmentarizuar në disa parti të mesme e të vogla. Kjo gjendje po ndikon në jo efikasitet e jo efektivitet të sistemit politik, dhe  kjo po ndikon edhe në zgjedhjen dhe funksionet-efektet e presidentit. Edhe për këtë arsye, presidenti duhet gjithësesi të zgjidhet nga qytetaret, e jo nga Kuvendi-partitë.

Presidenti si përfaqësues i unitetit duhet të zgjidhet  drejtpërdrejti nga elektorati, ngase do jetë më cilësor në rolin dhe funksionet që kërkohen  dhe mundëson tejkalimet e vështirësive e dobësive të zgjedhjes së tij/saj nga Kuvendi-partitë. Kompetencat dhe përgjegjësitë, të jenë të njëjtat, për të mos ndryshuar karakterin parlamentar të qeverisjes, por zgjedhja nga qytetarët drejtpërdrejti nxjerr Kandidatët dhe Presidentin më cilësor për kompetencat, rolet dhe funksionet që ka ky institucion. Zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga qytetarët, i shtynë subjektet politike të dalin me kandidatë më unifikues dhe më të përshtatshëm e më cilësor për ushtrimin e roleve dhe funksioneve të përcaktuara më kushtetutë dhe ligje. Shumica e votuesve do të përcaktoheshin për kandidatin më cilësi përkatëse.

 Pra, kjo mënyrë e zgjedhjes së presidentit forcon legjitimitetin dhe forcën vendimmarrëse, qeverisëse e stabilizuese edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare; do të luante rol pozitiv në stabilitet dhe qeverisje sipas kompetencave gjatë procesit zgjedhor e konsolidues të institucioneve; në krizat eventuale qeveritare dhe gjatë procesit zgjedhor, funksionimin stabil të institucionit të presidentit i zgjedhur drejtpërdrejti; pra, mund t’i kryen më mirë detyrat e funksionet e përcaktuara më kushtetutë; do jetë më i pavarur nga grupet e ngushta partiake. Pra, ndryshimet kushtetuese e ligjore në mënyrën e zgjedhjes se tanishme  të  presidentit,  janë të domosdoshme dhe më  pragmatike.

Ndryshimet kushtetuese e ligjore të sistemit zgjedhor duhet të kenë synim përmirësimin e procesit zgjedhor; ky ndryshim do të filtronte përgjegjësinë, do të ndihmonte në demokratizimin e partive politike, do t’i detyronte partitë për të gjetur kandidatë me më reputacion dhe do të përmirësonte procesin zgjedhor dhe qeverisës. Institucionet e Kosovës dhe subjektete partiake janë zotuar se do t’i përmbyllin reformat e ndryshimeve kushtetuese e ligjore përkatëse për zgjedhjet qysh në fund të vitit 2012 (KE: Raportin e progresit, 2012); por ndryshimet nuk ndodhen, ngase, subjektet në pushtet dhe shumica e atyre opozitare, nuk ishin për ndryshime reale në procesin zgjedhor dhe qeverisës; ngase, ju dukeshin të papërshtatshme për interesa  të ngushta grupore  të  udhëheqjeve  partiake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat