Referendum për mbrojtjen e Republikës, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave përendimore të Shqipërisë

Opinione

Referendum për mbrojtjen e Republikës, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave përendimore të Shqipërisë

Nga: Azgan Haklaj Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 18:11
Azgan Haklaj

E drejta për të luftuar pushtetet tiranike e iligjitime është e drejtë hyjnore e popujve.

Dhjetor të Dytë për institucionalizimin e votës së lirë e çlirimin e institucioneve të pushtuara.

Rreth 250 vjet më parë teksa po hartonin kushtetutën e vendit të tyre Tomas Xhafersoni- Washingtoni, Madisoni dhe kolegët e tjerë i drejtoheshin njëri -tjetrit me fjalët lapidare:

"Jemi mbledhur një ansambël gjysëm perendish që po projektojmë të ardhmen e Amerikës".

Keshtu e konceptonin burrështetasit e mëdhenj të Amerikës librin themeltar e të shenjtë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Koha që ka kaluar prej dy shekujsh e gjysëm ju dha plotësisht legjitimitet hartuesve gjenialë të kushtetutës më të përparuar që ka njohur Bota. Kushtetuta e demokracia amerikane janë një makinë, ingranazhet e të cilës punojnë me përsosmëri, pa u përplasur e bllokuar njëri-tjetrin.

"Pushteti i takon popullit" thoshte Abraham Linkolni dhe Kushtetuta Amerikane e garanton përsosmërisht këtë parim themeltar të demokracisë dhe shtetit të së drejtës përmes ekuilibrave mes tre pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve.

Është kjo arsyeja themelore që ajo i ka rezistuar për një kohë kaq të gjatë sfidave të mëdha me të cilat është përballur kjo superfuqi për gjatë dy shekujve të fundit.

Nëse bëjmë një paralelizëm me realitetin e sotëm shqiptar dhe bëjmë një analizë të funksionimit të Shtetit Shqiptar shohim pushtimin e shtetit nga pushteti, uzurpimin e institucioneve, të prokurorisë, të pushtetit gjygjsor, shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, invadimin e pushtetit lokal.

Më në fund Kalifi i ri Edi Rama ka angazhuar falangat e tij dhe të Bandës së Rilindjes për të pushtuar Institucionin e Presidentit, të vetmin institucion legjitim të Shtetit Shqiptar, të cilin Sulltan Rama kërkon ta pushtojë me metoda mesjetare, bizantino-otomane.
Gjendja e sotme kaotike, ku politika është simbiozë e mafies, sherbëtore e verbër e ekzekutore e urdhërave të saj e ka burimin tek puçi kushtetues i vitit 2008, ku dy partitë kryesore politike për të ruajtur monopolin e parlamentit e ndryshuan brenda dy orësh ligjin themeltar të shtetit duke i hapur rrugë partisë shtet, shkatërrimit të institucionit themeltar të demokracisë, zgjedhjeve të lira, institucionalizimit të autokracisë, nënshtrimit e kontrollit të institucioneve nga kleptokracitë qeverisëse.
Një grup deputetësh me në krye Presidentin e sotëm Meta hynë atë kohë në grevë urie për të mbrojtur Kushtetutën, Biblën e demokracisë.

Deformimi i procesit zgjedhor prej më shumë se një dekade ka sjellë pasoja katastrofike për Shqipërinë, si kriminalizimin e parlamentit, të qeverisë e pushtetit vendor, refuzimin e hapjes së negociatave me BE, kriminalitet e varfëri, hemoragji të tmerrshme kombëtare.
Në 6 vitet e sundimit të Juntës Ushtarake të Despotit Edi Rama kanë braktisur vendin qindramijëra qytetarë, shumica prej të cilëve të rinj.

Opozita Shqiptare e ka patur të pamundur në këto kushte të ushtrojë normalisht funksionet e saj kushtetuese pikërisht për faktin se Rama e bandat e tij nuk e njohin aspak ligjin themeltar të shtetit.

Rasti i zgjedhjes në mënyrë antikushtetuese të Prokurores së Përkohëshme Arta Marku është rasti flagrant që tregon se si Kryeministri Shqiptar kërkon të zaptojë të gjitha institucionet kryesore të shtetit.

Ligji i dekriminalizimit i ideuar nga Korifeu i opozitës së bashkuar, Kryetari i Partisë Demokratike z Lulzim Basha, i mbështetur fort nga ndërkombëtarët e detyroj z Rama të debojë nga parlamenti një tufë banditësh.

Por pas kësaj Rama ndërtoj një aleancë të fshehtë e të hapur me kapot e mafies, së drogës e trafqeve, për të vjedhur zgjedhjet, tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve, të cilët kërkojnë qeveri me duar të pastra, transparente dhe të distancuar qartazi nga krimi dhe korrupsioni.

Zgjedhjet moniste të 30 qershorit janë goditja më fatale kundër demokracisë në historinë politike të pos-komunizmit në Shqipëri.
As vetë diktatori Enver Hoxha nuk ka guxuar të bënte zgjedhje pa opozitën, megjithëse vinte me aureolën e çlirimtarit.
Përpjekja e Ramës për legjitimimin e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit mori një shuplakë të rëndë nga liderët kryesorë të BE-së Franca dhe Gjermania, e cila jo vetëm nuk i dha okej Ramës, por i hartoj një sistem 9 pikash, ku i kujton se hetimi e venja para drejtësisë i autorëve të vjedhjes së zgjedhjeve, ngritja e Gjykatës Kushtetuese, venja para drejtësisë e pushtetarëve të korruptuar janë imediate.

Shtrohet pyetja:

Cili është reagimi në realitetin e politikës së brendshme e të jashtme i Kryeministrit Shqiptar, arrogant, represiv dhe i pabesë.
Në aspektin e politikës së jashtme ai zëvendësoj "Integrimin Europian" me "Shengenin Ballkanik", një klub liderësh antieuropian e antishqiptar, njëherësh qëllimi final i të cilëve është krijimi i një Jugosllavie të re, delegjitimimi i Pavarësisë së Kosovës, izolimi i saj dhe defaktorizimi i rolit politik dhe ekonomik i shqiptarëve në Ballkan e në fund renia e Gadishullit nën influencën rusosllave.

Në planin e brendshëm Rama e Banda e Tij vazhdon pa u ndalur luftën për uzurpimin e të gjitha institucioneve e pushteteve, grabitjen e pronave publike përmes PPP-ve mafioze e konçesioneve antiligjore, goditjen me anë të pushtetit të kundërshtarëve politikë, dhunimin mesjetar nga shteti policor të qytetarëve që mbrojnë pronat e shtëpitë e tyre.

Dhuna barbare ndaj banorëve të Astirit, e cila na kujton atë të kolonizatorëve europianë ndaj indigjenëve të Amerikës, tregon në mënyrë të qartë se kmerët e kuq të Rilindjes nuk dinë të ndalen para asgjëje.

Keshtu del në skenë nevoja imediate dhe alternativa e vetme që u ka mbetur shqiptarëve:

"Dhjetori i Dytë" për të mbrojtur Republikën, demokracinë, dhe për të shpetuar vendin nga përplasja e përgjakshme civile me pasoja katastrofike.

Në këto kushte organizimi i një referendumi kombëtar për të delegjitimuar zgjedhjet moniste e farsë të 30 qershorit është i vetmi mekanizëm për çmontimin e oktapodit kriminal të Rilindjes, për të legjetimuar zgjedhjet e lira, institucionalizuar votën e lirë dhe për ti kthyer pushtetin popullit sovran.

E drejta për të luftuar pushtetet tiranike e ilegjitime është e drejtë hyjnore e popujve.

Të votojnë në referendum nëse duan lirinë, demokracinë, e të ardhmen e Atdheut, apo skllavërinë, racizmin e përçmimin që na jep pa kursim çdo ditë Pushteti i Rilindjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat