"Pse të zgjerohet Europa?"

Opinione

"Pse të zgjerohet Europa?"

Frederic Koller Nga Frederic Koller Më 26 nëntor 2019 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Prej dy vitesh, Europa i ka drejtuar sytë tek Brexit, gjymtimi i saj i parë, me ankthin se mund të shohë një efekt domino që të shkaktojë shpërthimin përfundimtar të Bashkimit. Megjithatë kjo e njëjta Europë, larg shkëlqimit, vazhdon të zgjerohet. Dhe shumë shtete ende trokasin portën e Brukselit për t'u bërë anëtar i klubit. Nëse kandidatura turke duket se për një kohë të gjatë është shtyrë për në kalendrat greke, nuk është e njëjta gjë me Ballkanin Perëndimor. Gjashtë shtete janë në listë: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Hapja e negociatave të pranimit duhej të ishte e vlefshme muajin e kaluar, me këto dy shtete të fundit. Të paktën ishte  plani në dukje i njëzëshëm,  përpara se Franca të vinte veton.

Parisi nuk vë në dyshim objektivin, anëtarësimin, por kundërshton metodën për ta arritur atë. Franca ka arsye të forta që do të bëjë një shtyrje: zgjerimi në Lindje nuk është pranuar akoma. Europianët e rinj zgjedhin qeveri që shkelin vlerat e BE-së. Numri i shteteve dhe pesha e tyre relative në mekanikën e Brukselit paralizojnë çdo vullnet të dobët për reformë institucionale. Eshtë koha për të rishikuar formulën për të zgjeruar familjen, mendon Emmanuel Macron. Franca propozon një model me shtatë etapa për anëtarësim të plotë: Shteti i së Drejtës dhe të drejtat themelore; arsimi dhe puna kërkimore; punësimi dhe çështjet sociale; çështjet financiare; tregu i vetëm dhe bujqësia; punët e jashtme; dhe "të tjera". Një kandidat do të anëtarësohet në BE vetëm  në përputhje me këto kritere.

Shumë mirë. Por nëse Franca nuk është plotësisht e izoluar në këtë betejë/Hollanda dhe Danimarka i përkrahin argumentat e saj/, ajo po përballet me një numër kritikash që dëshmojnë shumë mbi mënyrën se si Europa e mendon rolin e saj. Dhe nuk është surprizë, Gjermanët janë në vijën e parë. Cilat janë argumentat e tyre për të zgjeruar Europën? Kjo lidhet në radhë të parë me besueshmërinë e saj. Shqipëria dhe më tepër akoma Maqedonia e Veriut i kanë kryer detyrat për reformat e kërkuara nga Brukseli,  prandaj nuk bëhet fjalë për të ndryshuar rregullat e vendosura. Do të ishte e padrejtë. Kjo lidhet pastaj edhe me aftësinë e Europës për të krijuar një fuqi me peshë. Nëse BE do të vononte pranimin e Ballkanit Perendimor, këto vende jo vetëm do të humbisnin durimin, por do të ktheheshin drejt “protektorëve” të tjerë. “Të tjerë do të mbushnin boshllëkun », shpjegonte këto ditët e fundit, Ursula von der Leyen, presidentja e re e Komisionit Europian. Cili? « Kina, Rusia, Turqia ose Arabia Saudite ».

Tridhjetë vite pas rënies së Murit të Berlinit, këto debate na kujtojnë arsyet që çuan në zgjerimin europian pas rrëzimit të bllokut sovjetik. Në një kohë që tregohen me gisht të dështuarit e ribashkimit gjerman apo diktatet e Brukselit ndaj europianolindorëve, është mirë të kujtohet se  çfarë kërkohet dhe çfarë jepet. Si dje dhe sot, është kërkesa e ngutshme e shteteve të izoluara që të bashkohen me një lloj sigurie, prosperiteti dhe demokracie, për të garantuar paqen. NATO prej një kohe i ka eliminuar zvarritjet e procesit europian. Por zgjerimi drejt Lindjes u realizua në një kohë rekord, duke patur parasysh sfidat që duheshin kapërcyer. Dimensioni gjeopolitik është i dukshëm: nëse Europa nuk shtrin dorën drejt europianolindorëve, këta, të paktën për disa prej tyre, do të ktheheshin drejt protektoratit rus, të krijuar me vlera dhe rregulla të tjera. E njëjta gjë është sot në Ballkan, megjithëse oferta është ndryshuar në mundësi alternative. Ky “boshllëk” për të cilin flet Gjermania është një rrezik shumë real, siç mund të shihet këto ditë në Lindjen e Mesme. Pohimi rus dhe kinez nuk u lë zgjedhje tjetër europianëve, veçse t’i pranojnë këto shtete.

Përktheu: Alfred Papuçiu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat