Tërmeti dhe Malësori shtatlartë - Bota Sot
Tërmeti dhe Malësori shtatlartë

Opinione

Tërmeti dhe Malësori shtatlartë

Nga: Alfred Papuçiu Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 14:55
Alfred Papuçiu

          Malësori, një burrë me shtat të lartë, me shpatulla të gjëra, sapo zbriti nga kamioni, futi duart në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nxorri portofolin. Shoferi e kuptoi dhe ia preu shkurt:

          - Nuk ke me pague gja.

          Malësori e shikoi drejt, me sytë e tij që kishin gjithmonë një shprehje krenarie dhe i tha duke buzëqeshur:

          - E po t'u rrit ndera, or mik! Të kjoftë udha e mbarë dhe na urdhno ndonjiherë nga katundi.

          - Po, po! Kam me ardhë!- tha shoferi dhe pasi përshëndeti me dorë nisi kamionin. Malësori ende buzëqeshte e mendonte me vete: "Për besë, ka edhe djelm të mirë!"

          Vellua e errësirës kishte nisur të mbulonte tokën. Ai me kryet lart si malet, bëri përpara. Ecte dhe trupin e mbante drejt. Mosha nuk i a pat përkulur kurrizin. Mori rrugën e fshatit që çante më dysh bregoret e maleve të mbuluara me dëborë. Dëborë kishte edhe mbi kodrina, mbi livadhe, mbi drurë, edhe në rrugë dëborë kishte. Ajo i jepte një pamje të bukur këtij peisazhi malor. Ai ndjeu erën e ftohtë dhe dehëse të natës, kopsiti xhyben e trashë, ngriti jakën e saj dhe ecte i çkujdesur. Nën këmbët e tij të mbathura me opinga dhe çorape leshi, dëbora kërciste "krrap-krrap-krrap".

          "Me siguri ata s'më presin- mendoi me vete.- Ata e dinë se unë jam ende në spital".

          Ai çante nëpër dëborë dhe mendja i rrinte atje, tek shtëpia e rrënuar nga tërmeti, tek njerëzit. Ai kishte dëgjuar për ditë në spital lajmet e gëzueshme që jepnin gazetat dhe radioja se nga i gjithë vendi kishin shkuar për të ndihmuar. Malësori i dëgjonte këto lajme dhe herë herë rrinte si i habitur. Aty në çarçafët e bardhë të spitalit ai kishte kujtuar disa herë çastin kur toka u drodh, kur u ndje një zhurmë shurdhuese, kur një tra e zuri për fundi... Herë herë para tij hapeshin kujtime të largëta që e bënin të psherëtinte.                                                        

          Ai e mbante mend mirë se edhe një herë tjetër pat rënë tërmet. Kishte shumë e shumë vjet. Atëhere pat qënë fëmijë. Shumica e shtëpive ishin rrënuar. Edhe atëhere kishte qënë dimër. E këta ishin strukur ku të mundnin nga të ftohtit. I kujtohej se si e shtrëngonte e ëma në gjoks për ta ngrohur. E ai qante, ca nga të ftohtit e ca nga tmerri, kur shikonte shtëpinë të kthyer në gërmadhë.                   I ati pat kërkuar andej këndej nëpër miq të holla për të rregulluar shtëpinë, por edhe miqtë ishin për t'u qarë hallin. Sa shumë kishin vuajtur ata dhe sa vjet iu desh të jatit të tij ta rregullonte shtëpinë!Këto shkonte ndërmend pothuaj çdo ditë në spital dhe një mëngjes i tha mjekut:                                   

  • Or zoti doktor! A po m'lëshon se due me ikë?!                                      
  •  Si ore, të ikësh!- i tha mjeku. - Do të lëshojmë kur të jesh shëruar mirë.

-Jo, besa, der at'here s'jam tue ndej- tha malësori. Plaga pothuajse më asht mbyllë. Mandej ju a po ndigjoni se ç'po bahet? Kanë shkue me na ndihmue e po ndërtojnë shtëpitë tona e unë me ndej hala këtu. Jo he burrë, mos më koritni!

          Mjeku qeshi.                                                                                               Më në fund, mbasi ja mjekuan edhe njëherë plagën dhe i dhanë porosi që të mos punonte, e lejuan të delte nga spitali.Ecte dhe nën këmbët e tij dëbora kërciste "krrap-krrap-krra-krrup".Në mend kujtonte fshatin, si e la para dhjetë ditësh, shtëpinë, njerëzit... "C'bënte Prenga, Mrika, Lokja? A do jenë strehue në ndonjë shtëpi"...Po i afrohej fshatit. Tej dukeshin disa drita që lëviznin si xixëllonja. U afrua dhe ca dhe dalloi në duar fenerë dhe pishtarë të ndezur.  

          Nuk u përmbajt më, por thirri:                                                                     - Or ju shokë!                                                                                                Një zë ju përgjigj:                                                                                        - Eeej.        

- Cka ndodhë që po bridhni natën me pishtarë?    

- Kush je ti?- pyeti njëri.                                                                             

- Jam Ndou, bre, Ndou!                                                                             

Një djalë 15 vjeçar sa dëgjoi këtë zë të njohur u turr me rrëmbim drejt tij dhe thirri:       

  • Babë! A je ti babë? Jam unë Prenga.                                            
  • Ata u pushtuan të dy at e bir, të përmalluar si të ishin ndarë prej vitesh dhe s'gjenin fjalë për të kuvenduar. S'të kena prit sonte, babë, si ke ardhë, ti akoma s'je shërue?- e theu akullin djaloshi.                  
  • Jo, bir, jam shërue. Plaga pothuajse m'u ka mbyllë. Pastaj, bir i babës, si mujsha unë me ndejtë atje. Erdha dhe unë me punue.                                           
  • - Po, babë, ashtu asht.                                                                                      Djaloshi shikonte fytyrën e hequr të të jatit me një ndjenjë të thellë dashurie. Në atë kohë ishin afruar njerëz të tjerë. Nën dritën e zbehtë të fenerëve, Ndou pa fytyra të panjohura? Prenga ju drejtua të jatit:      - Babë, këta kanë ardhur për të na ndihmuar.        
  • Malësori u shtrëngoi duart fort dhe i rroku në qafë. Prenga foli përsëri:   - Asht baba jem. Ka kenë në spital, se u plagos ditën kur ra tërmeti.        Miqtë e rrethuan prapë të porsaardhurin dhe ky i shikonte me dashuri ato fytyra të ngurosura nga të ftohtit, por që sytë e tyre shprehnin gëzim e forcë.                                                                  

" Ndoshta s'kanë pa ndonjiherë borë e s'kanë ndje kësi të ftohti të madh"- mendoi me vete. "Tani ata mund t'i gjejshe në ndonji dhomë të ngrohtë sëbashkut me familjet e tyre, tue përkëdhelë fëmijët, tue lexue ndonjë libër apo tue pjekë gështenja të ngrohta. Por ata kanë mendue ndryshe. Kanë mendue për të mirën e të tanëve." Pa e zgjatur ju drejtua atyre:                  

  •  Cka po bani tash natën?                                                              
  •  Po mbajmë trarë e tulla- tha një nga të ardhurit.                           
  •  Babë!- iu drejtua menjëherë Prenga. Shtëpinë tonë na e kanë ndërtue të re. Ke me e pa sa të bukur e kanë ba.                            
  •  Si! Kaq shpejt u ndërtue?- pyeti i habitur Ndou. S'ma ka prit mendja të bahesha kaq shpejt me shtëpi të re.                                                                    Miqtë buzëqeshnin. Buzëqeshte dhe Prenga. "Sa i lumtur jam që ja mbrina kësaj dite, mendonte me vete Ndou dhe kujtonte ato vite vuajtjesh...            

Po i afroheshin vendit ku më parë ndodhej shtëpia e vjetër. Atje në vend të saj ngrihej një tjetër e re.                                                       

Disa pika lotë filluan t'i rrjedhin në faqet e tij të ashpra. Ishin lotë gëzimi. Fytyra e tij, e pjekur nga dielli dhe era, me sy të mëdhenj, me vetulla të trasha, shkëlqente dhe dukej sikur shkrihej e tëra në botën që e rrethonte. Donte të thërriste, por e mbajti veten.                                     

- Babë! Kanë me na ardhë dhe dritat shpejt.                        

- Po bir! Kanë me na ardhë.-tha ai dhe me kryet gjithmonë lart ju afrua pragut të shtëpisë, ku ju duk se lindi dhe njëherë.                         

Pastaj malësori duke u kthyer nga miqtë ju drejtua atyre:              

  • Urdhnoni, o burra, urdhnoni. Se po ma don zemra t'iu kem miq sonte, në votrën teme.                                                                                                    

Ata hynë një nga një e pas tyre malësori që shinte atje tej, larg, dritat e një kamioni që ngjitej qafës së malit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat