S’ka marrëveshje! - Bota Sot
S’ka marrëveshje!

Opinione

S’ka marrëveshje!

Nexhat Haziri Nga Nexhat Haziri Më 2 dhjetor 2019 Në ora: 20:19
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Tymi i bardhë” as sot nuk doli , edhe pse ishte premtuar se gjithçka ishte gati nga të dy subjektet politike, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve dhe nga LDK-ja si parti e dytë. Pritjet e ishin të tilla, thuajse nga të gjithë, që sot të shihej ky “tym” të dilte nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, aty ku po zhvillohen bisedimet ndërmjet kryetarit të LVV-së, njëherit edhe kandidat për kryeministër Albin Kurti, me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën, për të dhënë atë “kumtin” aq shumë të pritur në radhë të parë nga qytetarët e vendit dhe për nevojën që ka vendi për institucione të dala nga vullneti i popullit i sapo deklaruar përmes zgjedhjeve të 6 Tetorit dhe për lider që kanë legjitimitet demokratik e qytetarë për të marrë vendime në emër të institucioneve shtetërore, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar.

Duket se diku ka hasë “sharra n’gozhdë” që lë për të kuptuar se të dy subjektet politike LVV dhe LDK, edhe pse kanë vet deklaruar se programi qeverisës është dakorduar 100% ndërmjet tyre, del që ndarja e ‘kulaçit’  të jetë një nga pengesat e që mund të qoj në një lloj ngërçi sa i përket finalizimit  për ndërtimin e koalicioni qeveritar LVV-LDK, si fitues të zgjedhjeve të fundit nga kampi opozitar. Se nuk pati marrëveshje as sot, e konfirmuan të dy liderët pas takimit të tyre në ndërtesën e Kuvendit, Kurti e Mustafa, por pa dashur që të tregojnë se për çfarë nuk u morën vesh, përveç asaj se ata, sipas tyre  do të hulumtojnë rrugë që të përafrohen për qëndrimet e tyre për finalizimin e koalicionit qeveritar, thuajse e kanë gjithë “kohën e dynjas” për t’u sjellë me aq komoditet karshi proceseve që ka vendi përpara dhe përballja me to kërkon veprim të shpejtë në formimin e institucioneve, si konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Shfaqja e  sotme e liderëve Kurti dhe Mustafa, pa ndonjë rezultat edhe pas dy takimeve të zhvilluara dhe deklarimet e tyre sikur nuk po iu bëhet vonë, kanë dërguar mesazh dëshpërues duke treguar jo seriozitet në raport me pritjet e qytetarëve, për t’i adresuar problemet e tyre të grumbulluara e thelluara nga ish-qeverisja skandaloze e “Panistëve”.

Për tej kësaj, dështimi i arritjes së një marrëveshjeje sot, duke mos lënë të nënkuptohet se do të ketë takime e konsulta edhe në orët në vazhdim, ka krijuar hapësirë të lansimit të teorive konspirative që dalin nga çarshia e kryeqytetit, e jo rrallë herë çarshia edhe ka ditur t’i nuhas “zierjet” brenda “teatrit” politik të Kosovës, që mund edhe ta dëmtojnë klimën e bashkëpunimit dhe të përafrimit që patën krijuar të dy subjektet politike për formimin e koalicionit qeveritar, duke forcuar edhe shpresën të qytetarët e vendit, për materializimin e ndryshimit që doli nga kutitë e votimeve në zgjedhjet e 6 Tetori. Dhe këto teori, që duken më të besueshme si asnjë herë më parë, flasin për “apetitet” tej normales dhe përtej fuqisë politike të dy partnerëve të mundshëm për të bashkëqeverisur LVV-së dhe LDK-së, për t’ia zënë “bishtin me derë” njëra-tjetrës. LVV-ja si parti fituese relative e zgjedhjeve (për shkak të sistemit zgjedhor) nuk mund të sillet në stilin se “jap çfarë dua dhe marrë çfarë dua” sikurse edhe LDK-ja nuk mund të ngushëllohet e as të arsyetohet për shkak të humbjes së zgjedhjeve me pretendime megalomane për numrin më të madh të ministrive që duhet t’i takojnë asaj, e  që shkojnë përtej fuqisë së saj të numrave në Kuvend dhe pozicionimit si e dyta nga vota e qytetarit.  

Një sjellje e tillë, përveç që është joserioze, është po ashtu në kundërshtim me premtimet e tyre gjatë fushatës së zgjedhjeve për përkushtimin e tyre për t’i dhënë vendit një qeveri kredibile, të aftë dhe të përkushtuar  për transformimin e konceptit qeverisës nga ai i tipit mafioz “Panist” në një koncept demokratik, qytetar e demokratik, si garanci e cila nuk do të abuzoj me vullnetin dhe besimin e qytetarëve për ndryshim. Mosarritja e marrëveshjes sot për finalizimin e koalicionit qeveritar nga LVV dhe LDK, dëmton në radhë të parë vendin dhe proceset e rëndësishme që e presin në rrafshin e brendshëm, dhe atë ndërkombëtar. Të vetmi që i fërkojnë duart për këto vonesa janë qeveria në largim e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj dhe presidentit Thaçi, të cilët duke e shfrytëzuar jo seriozitetin e LVV-së dhe LDK-së, mund të na “surprizojnë” edhe me ndonjë vendim tjetër siç ishte ai i emërimit të një militant partiak si shef të AKI-së, apo edhe emërime  dhe punësime të tjera në ministri e institucione të tjera në mënyrë klandestine.

Koha është për veprim!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat