Sulmet agresive të zyrtarëve serb kundër Kosovës nuk ndalohen me deklarata verbale, por me platformë dhe veprime konkrete..! - Bota Sot
Sulmet agresive të zyrtarëve serb kundër Kosovës nuk ndalohen me deklarata verbale, por me platformë dhe veprime konkrete..!

Opinione

Sulmet agresive të zyrtarëve serb kundër Kosovës nuk ndalohen me deklarata verbale, por me platformë dhe veprime konkrete..!

Rexhep Elezaj  Nga Rexhep Elezaj Më 8 dhjetor 2019 Në ora: 09:03
Varrezat

Kundërpërgjigjet formale të udhëheqësve tanë shtetëror ndaj deklaratës së fundit të kreut të Serbisë, A. Vuçiçit, se “Krimi në Reçak është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker”, përveç se janë retorikë boshe, ato në fakt ilustrojnë qartë injorancën politike dhe juridike të tyre, si dhe mosveprimin konkret të qeverive të deritanishme të Kosovës karshi krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë!

Kjo nuk është hera e parë që në 20 vitet e fundit politikanët shqiptarë, pa dallim, sa herë që zyrtarët serbë kanë shpifur, gënjyer, mohuar, propaganduar dhe minimizuar para krejt botës krimet dhe masakrat e tyre ndaj shqiptarëve, ose kanë reaguar sa për sy e faqe në mënyrë verbale, ose nuk janë përgjigjur fare ndaj tyre. Kryesisht, duke mos ndërmarrë asnjë kundërveprim konkret, siç bëri dje për herë të parë, avokati Tomë Gashi, i cili ngriti aktpadi kundër presidentit serb, A. Vuçiçit për mohimin e krimeve në Kosovë..!?

Krimet dhe gjenocidi i regjimeve hegjemoniste të Serbisë të kryera ndaj 2 milion shqiptarëve në Kosovë për më shumë se një shekull, nuk demaskohen dhe as nuk zvogëlohen vetëm me deklarata për media, ngase qëkur Serbia ka kapitulluar ushtarakisht në Kosovë me 10 qershor 1999 me marrëveshjen e Kumanovës, qeveritë e Kosovës është dashur në vazhdimësi të ngritin me qindra akuza dhe aktpadi kundër Serbisë pranë gjykatave kryesore ndërkombëtare, filluar nga ajo e Hagës për krimet në ish Jugosllavi, tek Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJND), tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që të dyja me seli në Hagë, pastaj pranë organizatës “Amnesty International”, “Human Rights Watch” (Të drejtat humane) me seli në New York, si dhe pranë shumë e shumë organizatave tjera ndërkombëtare në botë, me qëllim të pasqyrimit të krimeve serbe në Kosovë, por edhe për ta denigruar dhe demaskuar politikën hegjemone serbe antishqiptare në arenën ndërkombëtare..!?

Me sa dihet, organet kompetente dhe qeveritare të Republikës së Kosovës, përjashto disa iniciativa private të grupeve, OJQ-ve dhe individëve të caktuar, nga ana e shtetit tonë nuk janë ndërmarrë fare veprime konkrete që gjykatat ndërkombëtare të furnizohen sa më shumë me materiale, libra, tekste, fotoalbume, filma dokumentar mbi krimet serbe të bëra në Kosovë, ose të jenë organizuar konferenca ose tryeza në nivel ndërkombëtar nëpër qendra të botës, ku do ishin shpalos me mijëra fakte mbi krimet, masakrat, dhunimet e grave, varret masive, vrasja e fëmijëve, shkatërrimi i qyteteve dhe fshatrave tona nga regjimet kriminale dhe gjenocide të Serbisë ndaj shqiptarëve, sidomos në periudhën e viteve 1981-1999..!?

Në këtë kontekst duhet patjetër të ceket shembulli i ndritshëm i punës dhe aktivitetit të avokatit tonë të shquar, të ndjerit Bajram Kelmendi, i cili në Gjykatën e Hagës për të drejtat e njeriut dërgoi mbi 500 faqe material me aktakuzën kundër kasapit të Ballkanit, S. Millosheviçit, por e cila i kushtoi me jetë, kur me 26. 03. 1999 në Prishtinë (afër tregut të veturave) u vra barbarisht me dy djemtë e tij Kastriotin dhe Kushtrim, si hakmarrje për dosjen e tij denoncuese kundër krimeve serbe në Kosovë!

Por, ajo që është edhe më absurde në krejt këtë mos punë dhe pasivitet 20 vjeçar nga ana e qeverive tona të deritanishme, është pa dyshim fakti i pajustifikuar, se si organet tona përkatëse të drejtësisë, siç është edhe MPJ-me, nuk kanë hartuar kurrë dhe as nuk kanë aprovuar asnjë platformë (kundër)veprimi ndaj fushatave dhe propagandës agresive të Serbisë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sikundër që nuk i janë kundërvënë me asnjë argument gënjeshtrave të diplomacisë së Serbisë, e cila nuk ka të ndalur në fushatën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, dhe jo vetëm..!?

Më në fund, për fat të mirë të Kosovës dhe kauzës sonë nacionale, populli ynë, diti se kujt ia dhuroi votën e tij me 6 tetor 2019, dhe kujt tjetër veçse liderit dhe kryeministrit në ardhje, z. Albin Kurtit, i cili për herë të parë në Kosovën e pasluftës ka paralajmëruar Platformë dhe plan me mbi 20 kërkesa konkrete kundrejt regjimit të Beogradit,i cili do hudhet mbi tavolinën e bisedimeve posa ato të vazhdojnë nën udhëheqjen e tij, si kusht themelor për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore midis dy shteteve tona! 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat