Nuk jemi aq budallenj sa na mendoni, o Xhelal Sveçla - Bota Sot
Nuk jemi aq budallenj sa na mendoni, o Xhelal Sveçla

Opinione

Nuk jemi aq budallenj sa na mendoni, o Xhelal Sveçla

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 8 dhjetor 2019 Në ora: 15:00
Xhelal Sveçla

Dje na u përplas para syve një fotografi ku dukej Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes i ulur krah Marko Gjuriqit të pushtetit serb.

Sveçla është njëri ndër njerëzit që vazhdimisht e vazhdimisht na e përsëriti qysh Kosova nuk duhej të negocionte me Serbinë pa kërkuar falje kjo e fundit, pa dhënë kompensim për dëmet e luftës, pa parime, e më-the-e-të-thashë.

Vetëvendosje, hala pa ardhur në pushtet, na e mbyti shpresën. Nuk është se hamë barin ne, vdekatarët, ne që edhe pse ndërrohet pushteti nuk është se do të përfitojmë ndonjë gjë prej tij. Ne që u mashtruam sa e sa herë, dhe prapë, krijuam iluzionin se dikush tjetër mund të jetë më i mirë e më i dëlirë.

Por jo, aspak. Vetëvendosje tash po kërkon negociata. Po thotë nuk duam marrëveshje pa bërë negociata. A iu kujtohet një parullë bre, një parullë që duket nëpër mure, nëpër semaforë, nëpër çdo skutë të vendit. Në shumë katunde, shumë lagje, shumë shkolla. A thuhet aty “Jo negociata, Vetëvendosje”?

Më duket se po. E çka kishte pushteti serb në vitin 2008 që nuk ka tash Vuçiqi? Të bëhemi të matur, Tadiqi ishte nja 10 herë më i butë se Vuçiqi. Ndoshta edhe njëqind herë. Por, ja që Vetëvendosje i trashi punët me pushtetin kriminal të Vuçiqit, që nga vetë ndërkombëtarët akuzohet për autoritarizëm, zotërim të mediave të pushtetit, për censurë, për anti-kosovarizëm të theksuar. Vuçiqi, po po Vuçiqi, ishte ai që me gojën e tij të ndyrë mburri Sllobodan Millosheviqin. Po po, atë që nga griu e na vrau. Atë që i bëri tërë ato zullume mbi ne, të pafajshmit. Dhe po i njëjti tha “jo”, nuk ka pasur masakër në Reçak. Ata 45 shqiptarë të vrarë, sipas tij, ishin një fabrikim. Imagjinoni për çfarë pushteti po flasim. Vuçiqi nuk ka qenë kurrë, kurrën e kurrës, më i keq se në këtë moment, kurrën e kurrës më i vrazhdë ndaj nesh. Por, bash tash, Vetëvendosje po kërkon t’i rraset në by*.

E çka t’i them unë Xhelal Sveçlës? Bravo Xhelal, po shkon hapave të Thaçit, a? Po, nuk janë hapa të mirë  ata. Nuk janë hapa që të çojnë në ndonjë vend të mirë. Nuk është se Kosova po vuan për pranimin e Vuçiqit, për takimin me Gjuriqin.

Turp iu qoftë! Kaq! Mos ju qoftë falë vota e krejt atyre që iu besuan të dëshpëruar nga maskarallëqet e Haradinajt e të Thaçit. Ju nuk na sollët shpresën. Ju na e vodhët shpresën. E vjedhja e shpresës është më e rëndë se vjedhja e çfarëdo gjëje materiale. Unë ende i besoj Kurtit. Deri diku. Por, Xhelalit nuk i besoj më. Xhelali i bëri masakër shpresës time, si një qytetar i rëndomtë i këtij vendi, si një gazetar që nuk ka interesa personale nga skena politike. Nuk lodhem unë se kush është në pushtet. Lodhem me atë se çka bën.

E shihet qartë se për Vetëvendosjen unë jam veç një ndër qindra-mijëra budallenjtë që do t’i hanë të gjitha foret e tyre. Një ndër ata shumë budallenj që do t’iu besojnë edhe nëse do t’i shihnin të zhveshur bashkë me zyrtarët e pështirë serbë. Jo, z. Sveçla, ndoshta nuk jemi dhe aq të mençur. Por, nuk jemi aq budallenj sa mendoni. Fotografia në fjalë iu lë cullak juve. Nuk keni të drejtë të shfajësoheni. Nuk keni të drejtë sepse me mijëra herë, ndoshta qindra mijëra herë, ndoshta miliona herë, i shatë me të drejtë njerëzit që takoheshin me njerëzit e tillë. I shatë dhe na dhatë idenë se ju nuk do ta bënit atë gjë. Se ju do të respektonit dinjitetin tonë, dhimbjen tonë, vuajtjen tonë. Do të respektonit të zhdukurit. Do të respektonit të vrarët. Do të respektonit luftën e përpjekjen tonë. Sakrificën tonë.

Dhe krejt kjo ndodhi deri sa ju ende nuk jeni në pushtet. Ende nuk jeni formalisht në pushtet. Unë nuk kam më shpresë! Nëse jeni ta bëni një gjë të tillë, ju absolutisht do të jeni të aftë të bëni gjithçka, siç kanë bërë edhe Haradinajt e Thaçët. Ndoshta më me shkollë, por prapë, të njëjtat gjëra. Pushteti i pari, e pastaj vijnë gjërat e tjera. Nëse vijnë. Ndoshta mbetet veç pushteti. Siç iu mbeti edhe atyre. E iu mbete të gjithë juve në fyt.

Unë ende megjithatë kam besim te Kurti. Deri diku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat