Vuçiq përkëdhelet në Perëndim dhe fuqizon lidhjet e tij me Moskën - Bota Sot
Vuçiq përkëdhelet në Perëndim dhe fuqizon lidhjet e tij me Moskën

Opinione

Vuçiq përkëdhelet në Perëndim dhe fuqizon lidhjet e tij me Moskën

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më 10 dhjetor 2019 Në ora: 20:49
Aleksandar Vuciq

Është me rëndësi që ne shqiptarët me unanimitet ta pranojmë faktin se Kosovën e ka çliruar NATO dhe SHBA-të. Ky është një fakt historik i pandryshueshëm. UÇK dhe Rugova kanë meritën e madhe se u pozicionuan si aleatë të tyre dhe ndihmuan misionin e Perëndimit për lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Por a është normale që ata që çliruan shqiptarët nga terrori serb dhe u bënë dëshmitarë të atij terrori të ndryshojnë qëndrim dhe të mos reagojnë ndaj deklarimeve si ajo që bëri Aleksandër Vuçiq disa ditë më parë?!

Aleksandër Vuçiq para pak ditësh në rolin e presidentit të Serbisë u shpreh se Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999 ishte një rrenë e sajuar nga UÇK.  Ai mënjanoi akuzën për Perendimin, sepse në fakt ishte ambasadori amerikan i OSBE-së, William Worker, ai që denoncoi aso kohe nga vendngjarja këtë masakër të qeverisë ku bënte pjesë vetë Vuçiq dhe ushtrisë e policisë së vendit të tij.  Që Vuçiq të mohojë krimet serbe në Kosovë dhe të marrë në mbrojtje edhe kasapin e Ballkanit, ish-shefin e tij, Sllobodan Milosheviç, nuk përbën tashmë lajm, nuk është diçka e re.

Por ajo që duhet analizuar ka të bëjë me faktin që presidenti i Serbisë nga njëra anë bën deklarata nacionaliste deri luftënxitëse dhe nga ana tjetër, përkëdhelet nga ana e Perëndimit?! Sot Vjosa Osmani kritikoi Brukselin, sepse pavarësisht mosnjohjes së krimeve të luftës nga ana e Beogradit, Komisioni Evropian hap kapituj të rinj për diskutim. Ndërkaq përkëdhelitë duken gjithashtu nga deklaratat ekuivoke të Brukselit dhe Washingtonit ndaj këtyre deklarimeve të shefit të shtetit serb. Pas deklaratës për Reçakun zëdhënësja e Komisionit Evropian dhe ambasada e SHBA-ve në Prishtinë nuk u shprehën qartë, thjesht bënë thirrje për dialog. Ndërkohë, nuk reagoi ambasada e SHBA-ve në Beograd, kur të dy deklaratat e lartpërmendura ishin pa kuptim të qartë, ekuivoke dhe nuk bënin thirrje që Beogradi të kërkojë ndjesë për krimet e kryera kundër shqiptarëve. Nuk kishinton ton denoncimi.

Është me rëndësi që ne shqiptarët me unanimitet ta pranojmë faktin se Kosovën e ka çliruar NATO dhe SHBA-të. Ky është një fakt historik i pandryshueshëm. UÇK dhe Rugova kanë meritën e madhe se u pozicionuan si aleatë të tyre dhe ndihmuan misionin e Perëndimit për lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Por a është normale që ata që çliruan shqiptarët nga terrori serb dhe u bënë dëshmitarë të atij terrori të ndryshojnë qëndrim dhe të mos reagojnë ndaj deklarimeve si ajo që bëri Aleksandër Vuçiq disa ditë më parë?!

Unë besoj se kemi të bëjmë me një kthesë në marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve me Perëndimin. Institucionet në Kosovë nuk deshën dhe nuk mundën të sfidojnë diversionet e Serbisë në aspektin e pengesave që ajo krijoi për shtet-ndërtimin në shtetin më të ri evropian. Korrupsioni, krimi i organizuar, joshja pas bisedimeve politike, mungesa e përgjegjësisë, çuan në dobësimin e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve Kosovë-Perëndim.

Megjithatë analiza e ndryshimit të qëndrimit euro-amerikan ndaj Serbisë duhet bërë në kuadër të një koncepti më të gjerë. E gjithë kjo që ndodh duket se ka të bëjë me një projekt të ri, me të cilin Perëndimi dëshiron që ta shkëpusë Serbinë nga ndikimi dhe zona ruse e influencës për ta ankoruar në BE dhe në NATO. Madje bombardimet e NATO-s krahas misionit humanitar në mbrojtje të shqiptarëve të pambrojtur, kishin qëllim t’i dëshmonin Beogradit se nuk ka asnjë mundësi tjetër veprimi strategjik, veç aleancës me NATO-n dhe BE-në. Në fund të fundit logjika është e tillë: Serbia e rrethuar me vendet pro euro-atlantike nuk mund të realizojë një aleancë strategjike me Rusinë.

Në këto kushte Vuçiq ka premtuar ndryshimin e pozicionit gjeopolitik e gjeostrategjik të vendit të tij. Dhe për ta bërë të besueshme kthesën e tij politike ai ka kërkuar ndërmjetësimin e Edi Ramës, kryeministër i vendit “armik” të Serbisë e njëkohësisht të lidhur ngushtë me aleancat euro-atlantike. Ndërkaq, në këmbim të ndryshimit të këtij  kursi ai ka kërkuar lëshime në favor të vendit të tij Këto favore lidhen me pajtimin e Perendimit që Beogradi të ushtrojë një politikë të dyerve të hapura. Kur Vuçiq shprehej se “do të ishte një Tito i dytë”, kishte parasysh pikërisht këtë, ushtrimin e një politike pro-perëndimore, por me mundësi të lidhjeve specifike me Rusinë.

Ai u kritikua para pak ditësh nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, për faktin se ia fsheh opinionit publik ndihmat që Aleanca Atlantike jep për ushtrinë serbe, ndërkohë që pajisjet ruse për mbrojtjen serbe i propagandon fuqishëm Duket gjithashtu ta ketë marrë lejen për të përdorur retorikën nacionaliste në këmbim të anëtarësimit në NATO. Madje duhet të ketë marrë edhe premtime të tjera, si ajo që u tentua për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, nuk besoj se gjithkush në Perëndim do të ishte optimist dhe i bindur se procesi i ri në Ballkan do të përfundonte në një vendim të Beogradit për t’u pranuar në NATO. Vetë Vuçiq është në dilemë. Në subkoshiencë është kundër një asocimi të vendit të tij sidomos me NATO-n. I rrethuar nga vështirësi të jashtëzakonshme për shkak se të gjitha vendet kufitare të Serbisë janë anëtare të NATO-s, ose janë apo do jenë në BE, ai nuk sheh alternativë tjetër. Rusia i duket shumë larg. Nga real-politika shkojmë te ideja se presidenti i Serbisë luan një lojë të dyfishtë, midis Lindjes dhe Perëndimit, sigurisht me mirëkuptimin e Perëndimit. Edhe lëshimet që i bëhen Beogradit në procesin e bisedimeve me Prishtinën kanë si shkak këtë lloj pozicioni gjeopolitik. Përdoren si karem për ta tërheq Serbinë në anën e Perëndimit.

Këto stratagjema që trajtova më lart kanë rëndësi jo thjesht për qytetarët e Kosovës ose më gjerë se ajo. Trajtesa e tillë duhet të tërheqë vëmendjen e institucioneve dhe autoriteteve të Kosovës, sidomos të diplomacisë së saj, me qëllim që të ndërtojnë një politikë aktive për të fituar terren në raport me përpjekjet serbe për t’u promovuar sidomos në Perëndim. Kosova dhe Serbia në këtë drejtim janë në konkurrencë të egër. Prishtina duhet ta dobësojë rolin e Beogradit në raport me Kosovën, duke shfrytëzuar me mjeshtëri të vërtetën e pandryshueshme për krimet makabre që Serbia ka bërë në Kosovë gjatë gjithë shekullit XX, veçmas në fund të atij shekulli. Ndryshe Serbia do të ketë epërsi ndaj Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat