Analisti dhe specialisti

Opinione

Analisti dhe specialisti

Nga: Nasho Bakalli Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 23:57
Nasho Bakalli

Një nga ndjenjat që bie për keq në sy te qëndrimet e disa prej analistëve të njohur e rishtar kundrejt punës që bëhet për lehtësimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, është, simpatia e tyre e papërmbajtur për aksh politikan; dhe, antipatia e tyre për një specialist, profesor, apo inxhinier në fushën e ndërtimtarisë, ose atë të sismologjisë.

Po pse vallë politikani të jetë kaq tërheqës për analistët ndonëse, populli dhe vet ata nuk kanë parë gjer më sot që politikani të ketë kryer ndonjë vepër të shënuar dashurie mbarëkombëtare; dhe, pse specialisti, profesori, apo inxhinieri i'u rëndon atyre kaq shumë në kraharor megjithëse kurrë nuk i ka dhënë askujt shkak zemërthyerje?

Sigurisht që kjo, sjellja aktuale publike e disa analistëve, është shprehje e drejpërdrejtë e kalbëzimit që karakterizon tërë shtyllat e sistemit tonë politik qeverisës - përshirë masmedia - dhe bën që atyre t'iu ikë mendja apo, të veprojnë si mercenarë kundra interesit të përgjithshëm të cilit, tani po i shërbehet me përkushtim shembullor nga teknicienët dhe studiuesit shkencorë të harruar e të poshtëruar këta, para termetit në fjalë, nga shteti "demokratik" shqiptar.

Nuk ngopen analistët së dëgjuari politikanin e majtë apo të djathtë që, u'a ka ënda. Llomotit ai, dhe dërdëllitja e tij tingëllon në veshët e tyre si gojëtaria e Isaiah Berline. Teshtin politikani, dhe në teshtimën e tij gjejnë aq e kaq hire muzikore!. Kollitet, dhe kolla e tij thonë se ka një diçka patriotike. Eshtë i ngjirur prej rufës. Oh, sa peshë burrërie i jep zërit të tij ajo e ngjirura.

Mjerë specialisti, profesori, apo inxhinieri që analistët nuk e përtypin dot. Fjalët më të bukura nga goja e tij - për vlerat e ndërtimtarisë shqiptare në vite - atyre i'u duken fjalë boshe! Çdo konsideratë e specialistit, profesorit apo inxhinierit për termetin, sado shkencore që ajo të jetë, bën që analistët të shprehen se profesori apo inxhinieri është njeri i pagdhëndur mes shqiptarëve. Shpalosja e diturisë shkencore profesionale kombëtare, kultivuar ajo ndër vite, i bën ata të urgusen; po aq sa i sikletos edhe akti i izolimit të punës studimore - 25 vitet e fundit, me ligj të veçantë - të specialistit, profesorit, apo inxhinierit.

Politikani që analistëve i'u pëlqen, është i pabesë. Ata megjithëse i'a dinë fort mirë pabesinë, për inat të çdo logjike normale, atë minutë dashuria i'u shtohet!

Specialisti, profesori, apo inxhinieri është besnik. Besëtaria e tij i troshit; i bezdis; i bën nervozë disa analistë.

Politikani athëtohet kur shkartiset mes analistëve. I shpërfill. Kërkon ta llustrojnë. Nuk i'u kryen çdo punë. Herë herë edhe i dëmton. I përgojon, kur bisedon me të huajt. Prapëseprapë, analistët bëjnë si të marrë për të qënë të pranishëm në shoqërimin e politikanit. Me pak fjalë, disa prej tyre duken sikur politikani i'u ka hedhur trutë e gomarit!

Nga ana tjetër. Specialisti, profesori, apo inxhinieri shpërfaqet i hapur si me politikanin dhe me analistët. Eshtë shërbestar. Mundohet të jetë sa më i dobishëm. Eshtë gati të vejë kudo e në çdo kohë, dhe, nuk kundërshton asgjë që lidhet me përmbushjen e kërkesave nga bashkësitë sociale. Kudo që të ndodhet, në dynja, veçse fjalë të mira nxjerr për popullin, pushtetin, masmedia. Ai, analistët i shikon drejt e në sy. Ata, i kthejnë krahët. Nuk e honepsin kollaj atë të vërtetë shkencore që shoqërinë shqiptare prapa nuk e shpie.

Kjo sjellje, kur jemi e do të jemi në pikë të hallit për një kohë jo të shkurtër, na tregon për një sëmundje të rëndë shpirtërore - të një pjese - të asaj shtrese shoqërore shqiptare që di të përfitoje vetëm duke u zvarritur pa kokë e pa këmbë në shpinë të atdheut. Cilidoqoftë ai që e trajton në këtë mënyrë mjekimin e plagëve të termetit dhe trumpeton se do ti shërojë, është i pari që e përkeqëson gjëndjen.

Bakalli...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat