Sherri i presidentit?! Pse Vjosa Osmani duhet të jetë kryetare e shtetit të Kosovës?

Opinione

Sherri i presidentit?! Pse Vjosa Osmani duhet të jetë kryetare e shtetit të Kosovës?

Prof. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. dr. Enver Bytyçi Më 17 dhjetor 2019 Në ora: 15:48
Vjosa Osmani

Ka ardhur koha që Albin Kurti t’ua mbyllë gojën ekstremistëve të vet në VV dhe Vjosa Osmani të vendosë veton kundër “sabotatorëve konservatorë” në radhët e LDK-së. Në fund të fundit qytetarët e Kosovës i kanë votuar më shumë se partitë, këto dy figura përfaqësuese dhe këtyre ua kanë besuar qeverisjen e ardhshme, si dhe ndryshimin që ata duhet të sjellin për vendin, qëndrueshmërinë dhe ardhmërinë. Këta të dy duhet ta shpallin koalicionin e qeverisjes të përfunduar.

Ishte e ditur se bisedimet për krijimin e qeverisë së re në Kosovë do të ngecnin në momentin kur të diskutohej për postet dhe emrat që do t’i zënë ato. Në botën e civilizuar, ku funksionon demokracia liberale e funksionale, ndodh ndryshe. Debati më i ashpër midis palëve politike në këto vende zhvillohet për programin dhe përafrimin e tij me alternativën që palët i kanë dhënë elektoratit. Në Kosovë edhe kësaj radhe ndodhi ndryshe. Ngërçi erdhi në momentin kur në tavolinë u vu emri i presidentit të Republikës. Kështu ndodh edhe në Shqipëri e rajon.

Ishte Lidhja Demokratike ajo e cila e inicioi propozimin e saj për këtë post. Më pas përfaqësuesit e Vetëvendosjes provokuan, duke lansuar emrat e tyre, dikush me Bekim Jasharin e dikush tjetër me Rexhep Qosjen. Ky i fundit ka gjasa të ketë marrë një lloj premtimi nga ana e krerëve të VV, po të kemi parasysh bekimin që ata morën në fillim të fushatës elektorale ai dhe më tej takimin kolektiiv të kryesisë së saj me Qosjen pas zgjedhjeve.

Por, fillimisht i trazoi ujërat kërkesa e Isa Mustafës për ta shijuar dhe ai si Hashim Thaçi postin e presidentit, pasi kishte shijuar atë të kryeministrit. Kjo kërkesë e tij zbuloi hilen, pse Isa ia dha Vjosës shansin për t’u bërë kryeministre e vendit. Ndoshta priste një dështim spektakolar të Vjosa Osmanit, që ta linçonte atë. Në qëndrimet e Lidhjes Demokratike bie në sy ajo që, ndërsa për programin politik bisedimet i udhëhoqi kandidatja për kryeministre, bisedimet për postet i udhëhoqi kryetari i LDK-së.

Madje pati raste pa pjesëmarrjen në tryezë të Vjosës. Edhe kjo pati domethënien e vet. Duket se ishte përpjekje për ta izoluar zonjën Osmani, e cila ktheu shpresën e Lidhjes Demokratike te qytetarët e Kosovës. Edhe pse kreu i LDK-së publikisht shprehet se këtë çështje e trajton thjesht nga pozita parimore, pa e kërkuar vetë postin e presidentit të Republikës, kjo nuk duket të jetë aq e besueshme.

Ndërsa, në Lidhjen Demokratike pengesë e koalicionit janë elementët konservatorë e karrieristë në kuptimin egoist të fjalës, në Vetëvendosje pengesa më e madhe duket të jenë elementët ekstremistë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë ndërruar disa parti politike, veçmas ata që vijnë nga Partia Demokratike e Thaçit. Të dy palët, me ose pa dashje, kanë rënë në kurthin e lojës politike të Hashimit dhe punojnë në sinkroni me presidentin e Kosovës për ta sabotuar çdo përpjekje për krijimin e qeverisë së koalicionit. Ky sinkron shkon edhe në interes të Beogradit.

Ka ardhur koha që Albin Kurti t’ua mbyllë gojën ekstremistëve të vet në VV dhe Vjosa Osmani të vendosë veton kundër “sabotatorëve konservatorë” në radhët e LDK-së. Në fund të fundit qytetarët e Kosovës i kanë votuar më shumë se partitë, këto dy figura përfaqësuese dhe këtyre ua kanë besuar qeverisjen e ardhshme, si dhe ndryshimin që ata duhet të sjellin për vendin, qëndrueshmërinë dhe ardhmërinë. Këta të dy duhet ta shpallin koalicionin e qeverisjes të përfunduar.

Një deklaratë e përbashkët e tyre, ku të përcaktohet qëndrimi për presidentin e ardhshëm të vendit do të ishte zgjidhja e krizës së bisedimeve. Në këtë deklaratë ka vend të thuhet qartë se “Kryeministri i takon Lëvizjes Vetëvendosja, ndërsa presidenti Lidhjes Demokratike të Kosovës” . Dhe se postin e kryeministrit e mbart kandidati për këtë post, Albim Kurti, kurse postin e presidentit kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani. Kjo formulë i jep dhe duhet t’i japë fund ngërçit të krijuar. Mundet që deri sa të zgjidhet presidente Vjosa të mbartë postin e kreut të Kuvendit e më pas këtë post t’ia lirojë një përfaqësuesi të VV. Por nëse ndodh kjo, atëherë të parashikohet që një post i rëndësishëm qeveritar t’i jepet Lidhjes Demokratike.

Fitorja e 6 tetorit sintetizohet me një lloj konsensusi midis palëve, sipas një rregulli xhentëlmenësh.

Diferenca është vetëm një deputet, por edhe sikur të ishte më e madhe, e drejta e kërkon që partia e parë, VV, të zgjedhë e para. Më pas zgjedh LDK dhe kësisoj deri në fund. Nëse VV zgjedh kryeministrin, presidentin e zgjedh LDK. Me këtë rregull fillon koalicioni. Ata që mendojnë se Vetëvendosja mund t’i ketë të dyja postet ekzekutive të shtetit kanë prirje autoritariste, nuk besojnë në demokracinë, thelbi i së cilës është balanca e pushtetit! Njëkohësisht kësisoj kapërcehet sherri për presidentin dhe vendit i sigurohet qeverisja e dëshiruar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat