Grusht i thatë

Opinione

Grusht i thatë

Nga: Fatmir Lohja Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 10:15
Fatmir Lohja

U  njoftua se bisnesmeni Luftar, do të organizonte një konferencë shtypi. Ra në sy e veçanta e lajmit. Gazetarët e mediava të shkruara, me autorizim të pronarëve, do të merrnin pesëdhjetë euro në dorë pas konferencës, ndërsa mediat vizive njëqind euro, se do të lejoheshin të hynin edhe gazetari, edhe kameramani .

Në redaksitë përkatëse u bë pak sherr. Pati edhe hatërmbetje. Me pesëdhjetë euro gazetarët  llogaritnin një drekë të mirë me kolegët. Fatlitë,  që morën autorizimet në duar, meqë kishte kohë, gërmuan për të gjetur informacion  për zotin Luftar. Të dy partitë e mëdha, e cilësojnë oligark, të kundërshtarit. Në kohët e fundit, me pushtetarët aktual, paska pas pasur një konflikt seroiz, për një tender shumë  të madh në vlera monetare. Si shkak,” goja llap, e shpina dap,” nga vënia e gjobave nga   tatimorët,  gjendja financiare e shoqërisë, me pronar zotin Luftar ,qënka tronditur bukurmirë . Po të mos ishin në mes pesëdhjetë  eurot ,dhe me parimin mos u kruaj me qeverinë,  pak gazetarë do të shkonin në konferencë.

Në sallën e madh të  konferencave ,të hotelit me pesë yje , me pronarë zotin Luftar , nuk mund  të hidhje kokrrën e mollës. Sipas lajmërimit , zoti Luftar , doli  në orën fiks  përpara pjesmarrësve. Gazetarët nuk qenë përgatitur për pyetje, se mendjen e mbanin te marrja e pesëdhjetë eurove. Kur zoti Luftar provoi mikrofonët, dëgjohej vetëm zhurma e kondisionerëve .

E nisi me qarravitje, si politikanët kur shkarkohen  nga detyra. Denoncoi , sipas interesit  tij, korrupsionin e qeverisë, duke vënë theksin se opozita është me e ndershme. Edhe kamarirët u merzitën me shefin e tyre. Piu dy shishe ujë, kur e mbaroi ligjërimin politik ,ekonomik, social e psikologjik, sipas kaplloqes së tij, nga arsimimi i mangët. Kaluan disa minuta .Gazetarët nuk drejtonin pyetje, për t’i dhënë të kuptonte se gjërat i tha “qartë” .Të mbante premtimin, dhe  të iknin turravrap në lokalet aty pranë.

- Pa më premtuar  mbështetjen tuaj, për të mbrojtur të drejtat e mia, asnjë cent  nuk e merrni nga unë!- urdhëroi zoti Luftar me ton.

U munduan gazetarët t’i shpejgonin, se editorialin e bëjnë pronarët. Se kur kanë  filluar  punë,  kanë  deklaruar me shkrim, edhe me gojë,  se janë të depolitizuar. Se janë betuar se do të thonë vetëm të vërteta të kthjellta. Nga qendrimi dukej qartë, se zoti Luftar nuk po  bindej. Nga merzija filloi edhe zhurma në sallë. Pa marrë paratë nuk  bënte asnjëri  një hap  për t’u larguar. Kamerat qenë të  hapura, por kameramanët nuk filmonin më.

Astriti, një gazetar që levron humorin në publicistikë, për çudi të gjithëve ngrejti dorën ,për të marrë fjalën. Kolegët varen turinjët ,për kohën që po u merrte. Zoti Zuftar ia dha fjalën me mosbesim të dukshëm.

- Kam një ide të shkëlqyer në kokë, që edhe zoti Luftar,edhe ne gazetarët , të bëhemi me para të madhe. Pa marrë pesëdhjetë eurot, që na janë premtuar ,nga goja ime nuk del asnjë ide!- e mbylli Astriti.

Për çudinë e tij , kolegët e mbështeten më shumë entuziazëm. Duartrokitjet energjike e mbuluan sallën skaj më skaj. Zoti Luftar u habit nga ajo që po shihte. Astritin nuk e njihte, se çfarë gazetari është. Ideja për të fituar para, binte në kundërshtim me  parimet e tija në bisnes, për të dhënë paradhënje. Meqë duartrokitjet nuk pushonin, zoti Luftar, me dyzim të plotë, dha urdhërin, me mikrofon në dorë,që të shpërndaheshin paratë. Për rreth njëçerek ore, të pranishmit, me shumë gëzim,i futën eurot në xhepat e cekët.

 Nga gëzimi, kaluan në hidhërim , kur e panë Astritin me mikrofon në dorë.” Kush e dëgjon këtë karagjoz!” - pak a shumë mendonin masivisht të pranishmit. Kur  salla ra në qetësi Astriti ,me temporitëm të ngadaltë, nisi të shprehë idetë e veta. Politikanët , për mungese shkollimi, mos leximi të librave bashkëkohor, nuk pranojnë të përballen, në ekranet televizive ,për teoritë e tyre politike . Në daljet  vetëm , si argument  kanë : “ Ne  vjedhim më pak se rivalët.”Pas votimeve,  asnjëra palë nuk e pranon humbjen,por akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje në kutitë e votimit.

Për këto shkaqe, Astriti sugjeronte ,që pranë hotelit ku po  qendronin,zoti Luftar të ndertonte një ring  boksi. Të gjithë gazetarët në sallë  të merrnin përspër njoftimin e opinonit publik ,për orarin e ndeshje dhe dyluftuesit. Si asnjëherë tjetër boksierët do të jenë politikanët e nderuar,që e kanë bërë çorap këtë vend,për tre dekada . Meqë janë të rregjistruara në gjykatë  rreth njëqindenjëzet parti politike,sugjeronte  që shortin  ta ndante në dymbëdhjetë vazo, me dhjetë parti se cila. Si FIFA,edhe UEfa , partitë e mëdha do të jenë në vazon e parë,si koka të grupit. Në vazot e mbetura, pretendentët do të renditeshin sipas  votave që kanë marrë  nga  elektorati.

Salla u zgjua nga dremitja. Nuk po kuptoheshin mirë idetë e Astritit.  Natyrshëm filluan edhe pyetjet nga të pranishimit. Shumë parti janë të rregjistruara në gjykata, por nuk kanë as kryetarë, e as elektorat!? Astriti e priste shkurt, duke i renditur në vazot e fundit, me qëllimin për të mos ia hequr asnjë partije të drejtën për pjesmarrje, në një kohë që këtë punë nuk e kanë bërë gjykatat . Ndeshja do të fitohej në tavolinë nga mospjesmarrja e kundërshtarit.

U bë edhe pyetja nësë albitrat do të jenë vendas ,apo ndërkombëtarë!? Me përgjigjen e tij Astritit i habiti të gjithë. Sipas opinionit publik  albitrat e federateve janë të korruptuar. Sipas politikanëve ,trupa diplomatike në vend është injorante, e pabesueshme,mbajtëse  e krahut të pozitës. Ndeshjet do të bëhen pa; albitër; doreza;mbrotje në kokë, thjeshtë gushti i thatë, e etikojnë rrugaçët. Fitues do të jetë ai që e dërgon me duart e veta   rivalin me barrelë në  autoambulancë.

 Po nëse tjetri fiton me hile,do  të bëhet ndeshje përsëri? Edhe Davidi Goliadin e mundi me hile. Në politikë hilja është pjesë e lojës. Astriti  qe i bindur, se nuk do të kishte përsëritje ndeshjes. I munduri do të zërë mend e njëherë e përgjithmonë , që  rivalit të mos i dalë më përpara si kundërshtar. Edhe  nga një re, që do të shetisi për qejfë në qiellin e pastërt  të    Ukrahinës, kanë për t’i dhimbur  brinjët shumë, për t’i kujtuar mos të merret më boks, se është sport i rëndë.

Zoti Luftar, donte të dinte konkretisht  se si  do ta fitonë  paranë, në një kohë   që kërkohej   para  madhe për të organizuar betejat  e politikanëve. Astriti i  garantonte vlera të mëdha monetare  nga shitje e biletave. Meqë shqiptarët vdesin për politikë, e parashikonte me optimizëm ,se do të lënë çdo punë, për t’i parë me sytë e tyre në ring  gladiatorët e politikës.

Një gazetarë do të dinte, se si ai ,me kolegët, do t’i fitonin paratë? Gjatë kohës që përgjigjej Astriti , heshtja e plotë e mbuloi sallën,si në fillim të takimit.Të ardhurat e para për gazetarët do të vinin nga shitja e biletave. Për këtë sugjeronte   të hartohej një kontratë  me zotin Luftar, me përqindje fikse  mbi  të ardhurat mbi shitjen ,përpara së të nisnin ndeshjet.

Salla u rindez nga debati.  Zoti Luftar nuk pranonte të shpërndante asnjë para, pa nxjerrë shpenzimet e nisjes së aktivitetit. Gazetarët kërkonin përqindjet, si sekeserët ,për biletat që do të shisnin  publikut. Zoti Luftar nuk pranonte në asnjë mënyrë, që biletat të shiten  nga gazetarët,se nuk ka besim se ia sjellin të ardhurat e shitjes. Koha kalonte e mosmarreveshjet po thelloheshin, sidomos kur u munduan të përcaktonin shifren e saktë    për përqindjet ndaj  vlerës së biletës. Niste nga njëzeta,e si bursat në Milano , ulej deri të dyshi me shpejtësi,më pas , më ngadalë ngrihej shumë, shumë pak.

U qetësuan pak gjakrat, kur Astriti tregoi se fitimet më të mëdha, për të gjithë , do të vinin nga bastet e tifozëve, që përkrahin politikanët sipas interesave të veta. Në moment u polarizuan bastaxhinjët.I pari del i gjati,se është më i fortë fizikisht.I shkurti del i pari,se bën hile më shumë. Gjyshi del mbi të gjithë, se ka aksperiencë të madhe në politikë.

 Zoti Luftar kërkoi ,që ai t’i organizonte bastet,se ndryshe nuk e ndërtonte ringun. U zbraps kur ia kujtuan,se gazetarët mund ta merrnin me qira   ringun e boksierëve profesionistë. Lakmia për të fituar para, e frymëzoi fantazinë. Gazetarët shihnin ëndërra me sy hapë, duke shetitur në vendet ekzotike, me vasha lozonjare për krah,duke blerë vila të shtrejta,në trojet VIP, blerjen e autoveturave që ta lakmojë kush ta shohë.

Në këtë kolaps ëndërrash, futet policia befasisht në sallë. Dikush I lajmëroi,se po bëhet një tubim antiqeveritar, dhe  eurot e shperndara nga zoti Luftar,qenë të fallsifikuara. Gazetarët, i lidhen me pranga njëri pas tjetrit. Gjatë kontrollit  të zotit Luftar, nuk iu gjet asnjë cent fallco. Mbrohu gazetarët se bisnesmeni i dhuroi  eurot fallco.Policët përgjigjeshin se fakti u gjet në xhepat e tyre,dhe jo në xhepat e zotit Luftar. Për mungesë automjetesh, të lidhur varg, në mes te qytetit, gazetarët i dërguan në këmbë  në komisariat.

Nga lart, shumë lart,u dha urdhëri i prerë: “Ata që vendosen  baste, se fiton qeveria,të lirohen menjëherë! Të tjerët ,të lihen në burg, deri sa t’u vinë mendtë,se me qeverinë nuk bëhet shaka! Pa paguar avokatin, asnjëri nuk doli nga komisariati.

Më vonë, u bënë disa tentative, për të organizuar grushtimin  e thatë, me qellimin e mirë, për të grumbulluar para, për të liruar Astritin, që mbahet ende në burg, me akuzën :”Kryekazani  i mediave shqiptare” .Elektorati, megjithëse nuk flet,në intimitet e shpreh,se kanë  deshirë maksimale  të shohnin politikanët në ring.  Ai që fiton,  ia bëftë Zoti hallall  kryevendin, dhe të tjerët të mos bëjnë më gam – gam, se na e kanë sjellë në majë të hundës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat