A do marrin fund krizat politike, si dhe kur do t’i vijnë Kosovës ditë më të mira?

Opinione

A do marrin fund krizat politike, si dhe kur do t’i vijnë Kosovës ditë më të mira?

Nga: Metë Mavraj Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 20:40
Metë Mavraj

Qëkur në fillim-vitet e 90-ta u themelua LDK-ja dhe derisa në krye të saj qëndroi presidenti ynë historik, Dr. Ibrahim Rugova, edhe pse në kohë dhe rrethana shumë të vështira okupuese, populli shqiptar i Kosovës ia doli të vetë organizohet në mbrojtje të qenies së tij etnike dhe kombëtare, duke ndërtuar shtetin paralel krahas dhe nën regjimi kriminal, siç ishte ai i Millosheviçit..!?

Asokohe çdo gjë ishte shtetërore dhe asgjë nuk kishte private, kur populli shqiptar luftonte me jetën dhe vdekjen, por falë vizionit politik të liderit tonë historik, Ibrahim Rugovës, ia dolëm që deri në fillim të vitit 1998, kur filloi lufta çlirimtare, të mbijetojmë dhe ta ruajmë qenien tonë fizike dhe etnike. Pra, arritëm t’i formojmë të gjitha institucionet tona shtetërore, presidentin, kryeministrin, ministrat dhe qeverinë tonë në ekzil, por mjerisht LDK-ja dhe presidenti Rugova u kundërshtuan nga grupe dhe organizata marksiste-leniniste, në vend se ato ta kundërshtonin dhe luftonin regjimin fashist të Serbisë i instaluar me dhunë në Kosovë!

Se si kemi kaluar si popull gjatë kohës së luftës çlirimtare (1998/99), e dimë të gjithë dhe sa viktima dhe sakrifica kemi dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por për fat të keq gjatë luftës, sidomos pas mbarimit të saj, filluan problemet dhe përçarjet mbi baza partiake, u formuan shumë parti, siç ishte PDK-ja, e cila si për inati kundërshtonte çdo vendim të LDK-së. Pastaj ndodhën shumë krime dhe vrasje politike në Kosovën e lirë, lufta për pushtet ishte qëllimi kryesor i udhëheqësve të saj, dhe këtij qëllimi do ia arrinin menjëherë pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, e cila (PDK) do vjen në pushtet për t’i futur në dorë postet kryesore të shtetit.

Ishte, pra Hashim Thaçi me bashkëpunëtorët e tij, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni me sejmenët e tyre, më vonë erdhi Ramush Haradinaj në pushtet, i cili premtonte se nuk do ta votojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, por posa erdhi në postin e kryeministrit i hëngri fjalët, duke e votuar të njëjtën marrëveshje në Kuvendin e Kosovës me të cilën Malit të Zi ia falën mbi 8200 hektarë të trevës së Rugovës, gjegjësisht të Kosovës, duke e pre në besë popullin e Rugovës, Podgurit dhe Dukagjinit..!?

Pra, shikuar nga aspekti i shtet-ndërtimit të Kosovës, vazhdimisht kemi humbur territore, së pari me Maqedoninë mbi 2400 hektarë, me MZ 8200 ha, si dhe gati sa nuk e humbëm edhe veriun e Kosovës, por falë miqve tanë gjerman dhe amerikan shpëtuam nga ndarja e Kosovës, plan të cilin e kishte pranuar dhe punonte në realizimin e tij vetë Hashim Thaçi. Ndërsa, Isa Mustafa i ka hangër paratë e 3%-shit pa dhënë kurrë llogari, dhe, pa dyshim se e rroki nëma e popullit, siç thuhet; “të raft damlla” (paraliza) siç edhe i ka ra, sepse e ka ngrënë djersen e rënd dhe paranë e mërgimtarëve tanë, dhe tash bile po lyp edhe me u ba president..!?

Hashim Thaçi, për kauzë e kishte liberalizimin e vizave për Kosovën, por atë nuk e realizoi as për 10 vite të qeverisjes së tij, Ramush Haradinaj për kauzë e kishte ruajtjen e kufirit me Malin e Zi në Çakorr, Mokna, Hajlë dhe Kullë, por nuk e realizoi kurrë atë premtim, përkundrazi vetë e solli në Kuvend dhe e votoi marrëveshjen e Murat Mehës, me të cilën i humbëm 8200 ha toka!

Ndërsa, z. Albin Kurti, kryeministër i ri në ardhje, ende nuk e kemi pa se si do ta udhëheq shtetin dhe qeverinë tonë, prandaj është mirë që të ndodhë sa më para koalicioni midis LVV-je dhe LDK-së, që t’i shohim se si do ta bashkë-qeverisin Kosovën këto dy parti që fituan më së shumti vota nga populli me 6 tetor 2019, por që nuk duhet pritur ndonjë mrekulli..!

Pra, ajo që desha ta theksoj, është fakti i një kronologjie të dëmshme e cila vazhdon të na përcjellë edhe sot si popull dhe si shtet, siç është zhagitja e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit mbi 2 muaj, ndërsa koalicioni midis dy partive kryesore, LVV-LDK, duket se ka vështirësi që të arrihet, dhe, kështu Kosova jonë çdo ditë e më tutje po dobësohet ekonomikisht dhe ndërkombëtarisht, vetëm për shkak se partitë tona politike, pothuajse asnjëherë nuk arritën konsensus politik, bile as kur ishin në pyetje vendime të mëdha për të mirën e Kosovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat