“Këtu nuk bëhet asnjëherë mirë”

Opinione

“Këtu nuk bëhet asnjëherë mirë”

Nga: Merxhan Jakupi Më: 22 dhjetor 2019 Në ora: 11:22
Merxhan Jakupi

Duke lexuar romanin “Stambolli” të shkrimtarit të madh turk, nobelistit Orhan Pamuk, hasa  te përshkrimi i periudhës së viteve ’60 –’70. Autori shkruan për elitën politike të përçarë që kishin kapur shtetin, për klasën pasanike që nuk i paguanin taksat shtetit, e mbanin të fshehur pasurinë dhe depozitonin valutë nëpër bankat perëndimore. Autori tregon për klanin që lidhte tri hallka: elitën politike, elitën ushtarake dhe elitën e pasanikëve. Turqia në këtë periudhë, shkruan shkrimtari nobelist, ishte shtet i botës së tretë, ‘shtet bananesh’, i cili i ngjante shteteve të Amerikës Latine me juntë militariste.

Orhan Pamuku tregon se në atë periudhë populli turk ishte i lodhur, i vuajtur dhe i varfër. Nëpër kafene, çajtore e vende të tjera publike përsëritej gjithnjë maksima “Këtu nuk bëhet asnjëherë mirë”. Edhe tek ne shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, në takimet e mia me miq e shokë në kafene e restorante kam dëgjuar të përsëritet i njëjti refren, të nëjtat fraza: “Këtu nuk bëhet asnjëherë mirë. Është e kotë dhe nuk ia vlen të dalësh e të votosh. Këtu nuk ka ardhmëri…”.

Ndryshe nga shtetet tjera, ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kemi të njëjtin lidership për më shumë se 20 vite, të njëjtën gardë politike që kërkon të jetë në pushtet përgjithmonë duke hyrë në koalicion me partitë maqedone, pa marrë parasysh nëse është VMRO-ja apo SDS-ja, mjafton të jenë në pushtet.

XXX

Para një muaji lexova në gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung për Ballkanin se shumë kuadro të dy partive kryesore maqedonase kanë studjuar në universitetet e SHBA-s dhe Europës, siç është, për shembull, ministri i jashtëm Nikola Dimitrov që është diplomuar në Universitetin e Kembrixhit, etj. Autori i artikullit thotë se e vetmja parti shqiptare që doli pas konfliktit të pranverës së vitit 2001është BDI - ajo që udhëhiqet nga lideri militant Ali Ameti që erdhi nga Zvicra. Kjo parti me struktura të vjetra dhe me liderin e saj, një komandant rebel, akoma është në skenën politike duke i përfaqësuar shqiptarët e Maqedonisë.  Nga kuadrot drejtues të BDI-së ka shumë pak politikanë të rinj me vision, pragmatikë e transparentë. Ndërkohë, mijëra studentë shqiptarë nga diaspora studjojnë e diplomohen në universitetet e Europës. Këta studentë mund të kthehen në vendlindje me bagazh të pasur intelektual dhe mund të bëhen kuadro me vlerë. Por paradoksi është se këta student të diplomuar nuk kompromentohen dhe nuk servilosen, prandaj konsiderohen persona non grata nga liderët e partive shqiptare në Maqedoni. Autori i shkrimit në gazetën zvicerane tregon për takimet e tij me disa aktivistë  e kaudro politike me origjinë shqiptare që marrin pjesë në subjektet politike zvicerane. Partitë shqiptare kanë nevojë për kuadro të reja e të shkolluara që kanë dalë pas luftrave ballkanike, të cilët të marrin timonin dhe të sfidojnë e të eliminojnë gardën e vjetër e të kalbur politike. 

Kongresi IV i BDI-së

Lideri i BDI-së Ali Ameti pas luftës ishte i pakrahasueshëm. Kur zbriti nga malet, hoqi uniformën ushtarake dhe u vesh me kostum blu e kravatë të kuqe, populli e priti si Mesia me entuziazëm dhe plot shpresa. Atëherë ai ishte idhull e ikonë që adhurohej nga shumica e popullit të tij. Lideri i sapodalë nga lufta kishte reputacion në popull. Finesa, oratoria, shkëqimi dhe energjia rimore i jepnin një imazh të ndryshëm nga liderët e mëparshëm që ishin shtrydhur si limoni nga  elita dhe liderët politikë maqedonas. Ali Ameti, si politikan i ri e pa përvojë, në filllim u shpreh me fjalorth nacionalo-komunist, me folklorizëm politik e nacionalizëm romantik.    

Një pjesë e garniturës politike që doli nga luftrat në Kosovë dhe Maqedoni ishte e vjetruar; ata i takonin gjeneratës së viteve ’70 që ishte e indoktrinuar nga ideologjia marksiste-leniniste dhe utopizmi enverist.

 XXX

 Sipas prognozës së disa politologëve dhe analistëve, Kongresi IV i BDI-së që do të mbahet me 21 dhjetor në Shkup do të përfundojë si të gjithë kongreset e mëparshëm. Në kontekstin historik, të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në kongresin e parë ose të dytë kanë dhënë dorëheqjen ose janë larguar dhe janë zëvendësuar me me liderë të rinj. Kurse në Kongresin IV të BDI-së pritet të zgjidhet në krye përsëri lideri Ali Ameti. Kongreset e mëparshëm të BDI-së kanë qenë më shumë autoritarë e të centralizuar në krahasim me periudhën e monizmit në ish-Jugosllavi. Në kongreset dhe në komitetin qnëdror të Lidhjes Komuniste Jugosllave ka pasur njëfarë pluralizmi brenda-partiak të quajtur “demokatski centralizam” (centralizëm demokratik). Në krahasim me Kongreset e BDI-së, kongreset e tyre ishin dis më liberale, kishte kritika, dorëheqje, reforma e zëvendësime me kuadro të reja. Në kongreset e BDI-së nuk ndodh kështu. Shumica e kandidatëve për deputetë nuk dalin të zgjedhur nga elektorati.  Në zgjedhjet locale kandidatët përcaktohen nga lideri dhe eksponentë të partisë. Për shembull, në zgjedhjet e kaluara në një fshat të malësisë së Sharrit, i cili ishte thuajse krejt i zbrazur, me shumë pak banorë, në kutinë e votimit kishte 120 fletë votimi dhe të gjitha votat ishin për BDI. Në kongreset e mëparëshme të kësaj partie nuk ka pasur asnjë platformë për alternativa, aq më pak pluralizëm. Kongesi i tretë ishte thjeshtë produkt i jetgjatësisë së pushtetit. Kursi politik i qeverisjes së  BDI-së vazhdon të jetë i dominuar dhe i drejtuar nga kuadro dhe struktura të vjetra dhe të kalbura.

Kongreset e BDI-së u ngjanin më së shumti Kongreseve të Partisë së Punës në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Nëpër bina me shou dhe spektakël përsëriteshin parulla e sllogane standarte e të thata. Është një paradigmë bajate që lidershipi mban fjalime me narrativa e premtime boshe, me lavde e mburrje, me fraza të thata që u thurin lavde dëshmorëve e veteranëve për besnikërinë dhe bëmat e  arritjet e partisë, pavarsisht se sot  shumica e veteranëve bredhin rrugëve të papunë. Të nesërmen pas kongresit gazetarët, pseudo-analistët e pseudo-intelektualët lajkatarë që janë në shërbim të partisë do të mbushin faqet e gazetave dhe emisionet televizive me deklarata për suksesin dhe progresin e kongresit të mbajtur të BDI-së.

XXX

Po qe se në Kongresin IV të BDi-së do të zgjidhet i njëjti lider, atëherë pas disa javësh nëpër parlament e nëpër sallone pritjeje do të shohim të njëjtët lajkatarë që u vijnë rrotull të njëjtëve liderë dinosaur, ndrkohë që do të mungojnë liderët karismatikë dhe kuadrot e reja. Do të jetë një tablo e zymtë pa ardhmëri, pa shpresa, me rritje të papunësisë dhe varfërisë. Do të vazhdojë avazi i vjetër i braktisjes së vendlindjes, i emigracionit të rinisë, i ikjes së trurit, i zbrazjes së qyteteve, fshatrave e lagjeve. Populli edhe me tej do të përsëritë frazën e shkrimtarit të madh turk Orhan Pamuk “Këtu nuk bëhet asnjëherë, kurrë mirë”.

 Të nderuar lexues! Doja të shtoja, për hir të së vërtetës, se në BDI ka dhe një pakicë aktivistësh dhe politikanësh pragmatikë dhe me vizion. Nuk duhen hedhur të gjithë në një kazan, por këta politikanë premtues e transparentë duhet të distancohen nga garnitura e vjetër, të kalojnë në një fraksion opozitar dhe në të ardhmen të bashkohen në një front demokratik, të formojnë një subjekt të ri politik ose t’i bashkangjiten opozitës në një front të përbashkët demokratik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat