Minishengeni

Opinione

Minishengeni

Nga: Lis Bukuroca Më: 23 dhjetor 2019 Në ora: 08:22
Lis Bukuroca

Nëse Mini-Shengeni është i suksesshëm, atëherë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, do të jenë pranë integrimit, apo integrohen në BE së bashku. E Serbia? Serbia jo, sepse ajo pa njohur Kosovën nuk mund të pranohet. Pra, nga Mini-Shengeni, ajo mund të përfitojë ekonomikisht, por jo të përshpejtojë integrimin e vet si tri vendet e para.

Ata që e konsiderojnë nismën e kancelares Merkel si projekt rus, mund të jenë agjentë rusë, sepse në fakt, Rusisë, nuk i konvenon integrimi i Ballkanit në BE dhe investon në tendosjen e gjendjes, jo në heqjen e kufijve brenda gati tre anëtarëve të NATO-së dhe Serbisë, çfarë po synohet.

Politika nuk është Kopsht i Fëmijëve ku Luli urdhëron Picimulin të mos luajë me Cicimulin sepse ai e ka sharë atë. Serbinë, me nxënësit e Millosheviqit në krye, nuk mund të detyrojë për asgjë Shqipëria. Nuk po mundet as Perëndimi. Takimet e shpeshta të Thaçit me Vuçiqin rehabilituan atë, sepse nuk iu vu asnjë kusht, që sot ia numërojnë Ramës, se duhej t’i kishte parasysh.

Pse Kosova nuk u ftua në Beograd? Përgjigja nuk kërkon shumë inteligjencë. Ajo nuk pranon shtetin e Kosovës. Këtë e dimë të gjithë. A duhej t’i bashkëngjitej? Duhej nëse BE dhe SHBA përkrahin nismën! Po profesori amerikan? Profesori amerikan nuk është Qeveria amerikane. Po deputeti gjerman? Ai është bira e fundit e kavallit.

Si duhet vepruar? Nëse vërtetë SHBA dhe BE mbështesin nismën, atëherë duhet t’i bashkëngjitet edhe Kosova.

Po Serbia po mohon masakrat dhe gjenocidin?

Jo vetëm ato, Serbia mohon edhe ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe Kosovën e ka akoma në kushtetutë!

Thaçi bënte negociata me Serbinë, gjersa Qeveria serbe pengonte anëtarësimin në organizate ndërkombëtare, madje takohej edhe pasi arrinin të ndikonin në çnjohje Kosovës nga ndonjë vend. E si reagohej? Nuk brengosej askush, por i merrnin aktet e kryera si të mirëqena. Si pasoja logjike! Pse? Sepse Kosova udhëhiqej nga autodidaktë që bënin improvizime politike.

Histeria kosovaro-centrike shpiku skenarë të ndryshëm, që mund të prodhojë vetëm fantazia e narcistëve dhe poseduesve të së vërtetës. Asaj ekstaze paragjykuese i mungon argumenti dhe pos qëndrimeve emocionale, nuk kishte substancë. Ata e shpallën projekt rus nismën e Merkelit. Ata panë krijimin e Jugosllavisë. Ata panë Durrësin e pushtuar. Ata panë Beogradin si kryeqytet të Shqipërisë. Ata panë Serbinë e Madhe në ndërtim e sipër! E si do të ndërtohej ajo Serbi e Madhe? Ajo do të ndërtohej me 7 milionë shqiptarë!

Të verbuar nga tërbimi, nuk shihnin se heqja e kufirit në mes vendeve të Ballkanit, hiqte kufirin edhe ndërmjet shqiptarëve në Ballkan. Mirëpo, ata nuk i gëzohen kësaj, por kërkonin nga Rama të anulojë pjesëmarrjen dhe të vazhdojë pas njohjeve mes Kosovës dhe Serbisë. A përfundon këtu? Jo! Këtu shfaqet problemi tjetër.

Kosova do të duhej të refuzonte heqjen e kufirit me Serbinë, por do të pranonte me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e zi, ku edhe jeton shumica e kombit shqiptar. Kjo ishte arsye pse Kosova duhej të merrte pjesë. Po si reagoi? Reagoi si Picimuli për Cicimulin. Ai që është jashtë lojës, nuk mund të ndikojë në krijimin e rregullave. Po pse reagoi ashtu Kosova? Sepse Kosova udhëhiqet nga njerëz pa dije dhe të paskrupullt!

Intelektualët e vërtetë nuk kanë ndikim në vendimmarrje. Këtu qëndron problemi!

Po a mund të përfundojë me integrim? Edhe kjo nuk është më e sigurt. Nëse përforcohet tutje e djathta ekstreme, atëherë qëndrimi pro serb do të rritet dhe vendet myslimane vështirë se pranohen. Thaçi ka ndërtuar një Kosovë si i konvenon Serbisë!

Kosova nuk alarmohet për masakrat, për dhunimet masive, për dëbimet masive, por gjoja tmerrohet pse politikanët serb nuk i pranojnë gojarisht, ato që ekzistojnë praktikisht si fakte. Për të ardhur deri te pranimi i fajit, duhet kohë dhe politikanë tjerë, jo ata të shkollës së Millosheviqit. Mospranimi është taktikë serbe, por edhe pasojë e mbështetjes ruse dhe e të djathtës radikale nëpër Europë.

Se çdo gjë ka dalë nga binarët normal, e dëshmoi edhe avokati, që deponoi kallëzim penal kundër Vuçiqit. Me cilat ligje? Me ligjet e shtetit të Kosovës, që Vuçiqi konsideron krahinë të veten! Po a ishte akti i tij serioz? Jo, ishte veprim infantil. Pse? Sepse nëse qenka e mundur të ndëshkohet Vuçiqi për mohim të masakrave, atëherë njeriu me mendje të shëndoshë pyet: Po pse o duda nuk grihni akuzë për shkaktimin e masakrave, deportimeve dhe dhunimeve, por për mohimin e tyre!?

Kosova udhëhiqet nga skuadra politike të ligës së tretë! Këtu qëndron problemi. Ata kërkojnë nga Rama të mos përzihet në shtetin sovran kosovar, por vetë sillen ndaj Shqipërisë si ndaj një krahine autonome. Shoqëria kosovare ka përjetuar çistka staliniste dhe gati në të gjitha partitë, është dëbuar konkurrenca intelektuale dhe nëpër kryesi, gjenden vetëm servilët e një despoti të partisë ose oligarkët autodidaktë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat