Në këtë përvjetor më shumë se kurrë nga Ju kërkohet urtësi shtetformuese

Opinione

Në këtë përvjetor më shumë se kurrë nga Ju kërkohet urtësi shtetformuese

Dijana Toska Nga Dijana Toska Më 23 dhjetor 2019 Në ora: 11:59
Ibrahim Rugova dhe Dijana Toska

Populli në mënyrë masive flaku librezat e kuqe me çfarë bëri të ditur se nuk e do më regjimin njëpartiak komunist.

30 vjet më parë intelegjencia e ndërgjegjshme kombëtare krijoi Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kishin Idealin ta bënin Kosovën shtet të pavarur e demokratik. U angazhuan në organizimin e jetës shoqërore e politike, ishin në nivel të detyrës dhe të profesionit. Intelektualët bënë punën e tyre duke ndikuar në politikën dhe në rrjedhat aktuale. Me mjete intelektuale ndikuan në vendimet politike, kërkuan mirëkuptim brenda kombit dhe e gjetën, duke mos nxitur të keqen njerëzore. Edhepse nën okupimin e Serbisë, ajo zhvilloi institucione paralele, mbajti arsimin gjallë, shëndetësinë, diaspora mbante gjallë frymën, situata e sigurisë ishte e qetë, populli ishte i ndëgjueshëm shmangte provokimet e policisë serbe, ishte një mrekulli, ishte një sistem uniteti që po funksiononte më mirë se në çdo shtet në tranzicion. Fati i Kosovës ndër të tjera ishte në duart të një Trinie të Fuqishme Patriotike Shqiptare, Rugova, Sopi, Boja të shkrira në një qëllim të vetëm, Kosova shtet sovran dhe i pavarur.
20 Vjet LIRI

Pas lufte në jetën politike të Kosovës hynë kryesisht njerëz që në emër të luftës ngulfatën politikën liridashëse të popullit të Kosovës, të drejtat dhe liritë e njeriut dhe duke u bërë bashkë me të ashtuquajtur politikan të gjitha idetë progresive civilizuese, në vend që ti materializojnë dhe historinë tonë ta pasurojnë, manipuluan dhe keqpërdorën gjërat më sublime të një shoqërie demokratike, ndërkohë që populli ra në depresion kolektiv.

20 vjet nga liria e Kosovës, jo rrallëherë pushteti intelektualin e largoi nga vendimmarrja e etiketoi si element „ antishtetëror“ duke ia mohuar legjitimitetin kombëtar e kulturor dhe të drejtën e mendimit. Prandaj, 20 vjet Kosovës i mungoi intelegjencia politike e cila krahas pragmatizmit politik, kishte për të bërë përpjekje të respektojë intelektualin shqiptar. Nuk u respektua minimumi i pavarësisë së intelektualit, por edhe atëherë kur u ftua, nga ai u kërkua që ai të jetë gjithçka tjetër, por jo intelektual.

Okupatorët kërkonin pastrimin e trurit, ku truri i shqiptarëve, deshe s'deshe, thonin duhet të fillojë të mendojë sipas atij serb. Fastkeqësisht në këto 20 vjet lirie pushteti i oligarkëve e bëri të njejtën gjë në një paketim tjetër, por cila është diferenca, perveç se dhimbja u bë edhe më e madhe. Ky pushtet nuk deshi ti dëgjojë intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor, por deshi progresin personal, klanor e farefisnor.

Para 3 muajve u mbajtën zgjedhjet e lira demokratike për çka u vlerësuan tejet demokratike, kurse populli e tha fjalën e vet, tregoi se çka do e çka nuk do më, çka do të tolerojë e çka nuk do të durojë më, po ashtu se çka do të ndodhë me Kosovën, kur me fatin e saj po vazhdon të merret Rusia duke deponuar afër kufirit tonë armatimin më të sofistikuar. Serbia e Shqipëria bashkërisht në Minishengenin e krijuar enkas në rajon, flasin për kufijt dhe pjesë të teritorit tonë, ndërkohë që për politikanët po duket më jetik posti i presidentit dhe ndarja e posteve tjera, se sa në momentet kur na duhen më së shumti, qeveri e institucione të konsoliduara, për ta mësuar lojën dhe rolin që duhet ta luajmë në këtë lojë të kurdisur historike.

Polemikat rajonale që po zhvillohen rreth Minishengenit janë tepër të rrezikshme, po kërkojnë të krijojnë situatë që një popull të ngritet kundër pjesës tjetër të popullit apo gjakut të vet dhe këtë moment po e ndezin disa analista shqiptarë pa fije ndërgjegjje e njohurie elementare të raporteve gjeostrategjike në rajon, ngjashëm si në vitete 90 kur Serbia i vendosi masat e dhunës në Kosovë dhe kërkonte konflikt mes popullit serb dhe atij shqiptarë.

Sot, skenës politike mbarëshqiptare po i mungon tipi i politikanit intelektual ndërsa koncepti modern i një Intelektuali, nuk është vetëm të mendojë e të shkruajë, por kur demokracia ngulfatet dhe është në rrezik duhet të angazhohet edhe konkretisht në mbrojtje të lirisë së kombit.

Presidenti Rugova, thoshte: Unë tani jam një politikan, po natyrisht me origjinë intelektuale të cilën e kanë të vështirë ta kuptojnë politikanët.
I dashuri President, në këtë përvjetor jubilar të faleminderohem përzemërsisht që i dhae vlerë intelektuale politikës dhe në këtë rrugëtim më dhae nderin në disa momente historike të jem me Ju.

Të nderuar, anëtarë të LDK,
Ndiqni rrugën e Presidentit Tuaj dhe mbani lartë flamurin e Mirënjohjes
Kujtoni dhe faleminderohuni të gjithë atyre që para 30 viteve guxuan për të thënë e bërë diçka.

Sepse ju nuk ju falet injoranca, as ekskomunikimi i njerëzve dhe kundërshtimi i mendimit të lirë.
Në këtë përvjetor shkoni te varri i Akademik Idriz Ajetit dhe kërkoni falje deri në përkulje që nuk i organizuat një varrim të dinjitetshëm.
Në këtë përvjetor, shkoni fshini pluhurin nga busti i Anton Çetës i cili po ju pret me vite në bodrume dhe kërkoni falje deri në përgjërim sepse ai nuk është relikt, por Plaku Ynë i Urtë i Kombit i cili e luftoi gjakmarrjen si mbetje nga pushtimet e huaja duke hequr nga prangat mijëra njerëz të bllokuar në burgje shtëpiake.

Në këtë përvjetor më shumë se kurrë nga Ju kërkohet urtësi shtetformuese.
Urime 30 vjetori LDK !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat